Zhbllokimi i të hyrave vetanake të komunave: Si e fitoi opozita betejën me Qeverinë? - NACIONALE

Zhbllokimi i të hyrave vetanake të komunave: Si e fitoi opozita betejën me Qeverinë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas shumë përpjekjesh, opozita e ka fituar një betejë të rëndësishme me Qeverinë e Kosovës. Kjo e fundit, sot është zotuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, i cili mundëson zhbllokimin e të hyrave vetanake të komunave.

Pezullimi i të hyrave vetnaike të komunave kishte nxitur reagime të shumta nga opozita. Iniciativa e LDK-së për të kushtëzuar votimin e marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend me zhbllokimin e këtyre mjeteve ishte përkrahur edhe nga AAK-ja.

Ndonëse më herët kishte refuzuar, sot Qeveria e Kosovës është dorëzuar përball kërkesës së opozitës dhe komunave.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në ndryshimin e agjendës legjislative duhet të përfshihet edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Ju ftoj që të plotësojmë dhe ndryshojmë agjendën tonë legjislative me shtimin e tri projektligjeve të sponsorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve: I pari është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për zhvillim ndërkombëtar. E dyta është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe e treta është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale.” – ka thënë ai.

Opozita reflekton

Pas zotimit të Qeverisë ka reaguar edhe opozita. Deputetët e partive opozitare kanë bërë me dije se tani mund të kthehet normaliteti në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka vlerësuar se në këtë mënyrë hapet rruga për zhbllokimin e të hyrave vetanake që kapin vlerën e 37.5 milionë eurove.

Sot, pozita u zotua për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, ku i hapet rruga realizimit të projekteve të komunave për të mirën e qytetarëve, dhe atë në vlerën prej 37.5 milion eurove. Me këtë rast, zotimi i pozitës përkthehet në zotimin tonë për vijimin e punë së rregullt në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht për pjesëmarrje në votim. Nga zbatimi i zotimit të pozitës varet edhe puna e rregullt e opozitës në Kuvend”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se kjo është një fitore e opozitës.

Sot, pas një beteje parlamentare dhe kërkesës sonë opozitare, u premtua që të hyrat vetanake të kthehen tek komunat. Po ashtu, në emër të grupit parlamentar të AAK-së, propozova që kërkesa jonë për rritjen e vlerës së koeficientit në Ligjin e Pagave në vlerë prej 129 euro, të diskutohet në rishikim të buxhetit. Shpërndarja e parave si koncept i 'vitrave' në administratë, nuk e zgjidh problemin. Vetëm rritja e pagave me koeficient 129 euro është përgjigja!”, ka shkruar Tahiri.

Kërkesa urgjente e komunave

Pas takimit me kryeministrin Kurti, javën e kaluar, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që në mënyrë urgjente të zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave.

Përmes një kërkese, drejtuar kryeparlamentarit Konjufca, kryeministrit Kurti dhe ministrit Murati, kryetari i AKK-së, Agim Aliu, kishte kërkuar ndryshimin e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023.

Prandaj, në zbatim të dispozitave kushtetuese, kërkojmë nga ana juaj që urgjentisht të ndërmerrni veprimet për Plotësimin dhe Ndryshimin e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit Nr. 08/L-193 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, me përmbajtjen si në vijim: ‘Bilancet e pashpenzuara te të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022 dhe nga vitet paraprake, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të LMFPP- së dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës’”, është thënë në kërkesën e Asociacionit.

Lajme të ngjashme