Zgjedhjet Lokale: Partitë politike i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve, liderët optimistë rreth rezultatit më 12 tetor
Partitë politike mbrëmë para mesnatës i kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të këshilltarëve për kuvendet komunale. Së bashku me listat, subjektet politike kanë dorëzuar dhe kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Pas dorëzimit të këtyre listave, liderët e partive politike janë shprehur optimist për suksesin në këto zgjedhje.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë bërë me dije se për këto zgjedhje kanë zgjedhur ekipet më të mira.
Krasniqi ka bërë me dije se PDK do të garojë me 33 kandidatë për kryetarë komunash, prej të cilëve tri janë gra, si dhe me lista të këshilltarëve në 36 komunat e Kosovës.
Në nivel të këshilltarëve komunalë, sipas tij, PDK-ja do të garojë me 878 kandidatë, prej të cilëve 555 janë burra (63%) dhe 323 janë gra (37%).
“PDK po hyn në këtë garë me ekipin më të gjerë, më të përgatitur dhe më të përkushtuar për të udhëhequr komunat tona drejt zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo është një garë për punë, rezultate dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë”, ka theksuar Krasniqi.
Krenar me listën e tij është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se LDK-ja garon në këto zgjedhje në 31 komuna me 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe me 839 kandidatë për asambletë komunale.
“Lidhja Demokratike e Kosovës paraqet me krenari kandidatët e saj për kryetarë të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale. LDK garon në këto zgjedhje në 31 komuna me 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe me 839 kandidatë për asambletë komunale. Me integritet, përvojë dhe vizion të qartë për zhvillimin e komunave tona, këta kandidatë përfaqësojnë angazhimin e LDK-së për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve e, mbi të gjitha, një vizion që shkon përtej të zakonshmes. Ne besojmë në një Kosovë me institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe jetë më të mirë për çdo qytetar. Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim për ndryshim dhe zhvillim përtej!”, ka shkruar ai.
Periudha e aplikimit të subjekteve politike për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve, kishte filluar më 26 qershor dhe ka përfunduar më 13 gusht 2025, në orën 23:59.
Në mbledhjen e fundit, KQZ-ja ka marrë disa vendime për certifikimin e 10 subjekteve politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 64. 5 prej tyre janë kandidatë për kryetarë të komunave dhe 59 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.