Zgjedhjet afër, Kurti në dy konferencat merret me marrëveshjen e Thaçit me NATO-n për FSK-në - NACIONALE

Zgjedhjet afër, Kurti në dy konferencat merret me marrëveshjen e Thaçit me NATO-n për FSK-në

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Në dy konferenca të jashtëzakonshme për media, të thirrura për të adresuar sulmin në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, me potencialisht pasoja serioze për infrastrukturën kritike të vendit, kryeministri Albin Kurti nuk i rezistoi tundimit për të bërë deklarata politike në prag zgjedhjesh. Kreu i qeverisë i kushtoi një pjesë të madhe të kohës konferencave që të drejtojë vëmendjen te marrëveshja e vitit 2013 e ish-kryeministrit Hashim Thaçi me NATO-n.

Në konferencën e parë, ai deklaroi se pavarësisht se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk mund të operojë në veri për shkak të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013, Qeveria e tij po shënon përparime atje.

Narrativi i Kurtit u bë kristal i qartë se synonte zhvendosjen vëmendjen te, gjoja, “gabimet” e rivalëve të tij politikë, dhe se përkundër kësaj, ai po “shënon progres në veri”.

“Ne në veri vazhdojmë të jemi të suksesshëm përkundër faktit që nuk e kemi ushtrinë tonë atje, për shkak të asaj letrës të 19 prillit të vitit 2013, që FSK-ja nuk bën ta kaloj lumin Ibër. Dhe ne kemi vazhduar ta respektojmë atë gjë. E kemi trashëguar e kemi respektuar. Sepse po dëshmojmë që jemi qeveri e të njëjtës Republikë”, ka thënë Kurti.

Në konferencën e dytë, Kurti shfrytëzoi edhe më shumë këtë çështje për të bërë sulme të drejtpërdrejta politike, duke përmendur emrin e Thaçit dhe duke e cilësuar zotimin e tij të atëhershëm si një "hendikep" për shtetin.

“Në veri jemi të hendikepuar pasi ushtria jonë, që nga zotimi i Thaçit në 2013, s'mund të shkojë në veri e atje s'është situata si në pjesë të tjera të vendit tonë. Nga nervozizmi, Serbia i rrit aksionet e tilla, meqë nuk e posedojnë më veriun e Kosovës. Dëshirojnë të thonë se s’do t’iu lëmë rehat. Kjo tregon se ata kanë humbur, por nuk duan që ne të fitojmë, të jetojmë...” – tha Kurti.

Në këtë kontekst, gazetari Lirim Mehmetaj reagoi në Facebook, duke e vënë në pah rolin historik të Thaçit në formimin dhe ndërkombëtarizimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Albin Kurti në konferencë për media: “Në veri jemi të hendikepuar pasi ushtria jonë, që nga zotimi i Thaçit në 2013, s'mund të shkojë në veri e atje s'është situata si në pjesë të tjera të vendit tonë..." Hashim Thaçi e ka themeluar një ushtri, e ka shtrirë në gjithë territorin e Kosovës dhe në fund e ka bindur botën demokratike t’i bëhet aleate asaj ushtrie. E ti, ushtrinë veçse e ke, thjesht ke me çu në veri të vendit. As qekaq s'mundesh me ba. Tuc bre. Tuc.” – shkroi Mehmetaj në reagimin e tij në Facebook.

Ndërsa anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, i bëri thirrje Kurtit që të rezervohet nga përmendja e tij, nëse nuk mund ta mbështesë në përballjen e tij dhe të krerëve të tjerë të UÇK-së me Dhomat e Specializuara në Hagë.

“I nderuari Kryeministër, Armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj. Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në. Ato vendime që janë në funksion të fuqizimit të Republikës i mbështesim edhe ne. E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë.” - tha Çitaku.

Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i quajti “ofendim për publikun” deklaratat e Kurtit, ndërsa shtoi se në kushte paqeje, Ushtria e Kosovës nuk ka kompetencë për të bërë roje në objektet kritike, pasi kjo detyrë u përket shërbimeve të inteligjencës dhe policisë.

Lajme të ngjashme