Zbatimi i plotë i Marrëveshjes "deri në fund të verës", beson Escobar: "Kosova e ka obligim Asociacionin" - NACIONALE

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes "deri në fund të verës", beson Escobar: "Kosova e ka obligim Asociacionin"

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Kosova e ka obligim të formojë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, ndërkaq Serbia duhet t’i përmbush disa elemente siç janë njohja e tabelave të regjistrimit, letërnjoftimet "dhe disa gjëra të tjera". Kështu tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe të Eurazisë i ngarkuar me çështje të Ballkanit, Gabriel Esocbar, gjatë qëndrimit të tij në Podgoricë, ku hiç më larg se dje vlerësoi se “asnjëra palë nuk është duke e zbatuar marrëveshjen”. Ndonëse kohëve të fundit ishte rezervuar në dhënien e konstatimeve se kush-çka nuk po zbaton, Escobar tha se moszbatimi është i dypalshëm. Veç kësaj, ai tha se “nuk sheh asnjë arsye” që zbatimi i plotë i marrëveshjes të mos konkludohet “deri në fund të verës”.

Duke folur për agjencionin malazias të lajmeve "Mina" diplomati amerikan tha se "nuk sheh arsye" që deri në fund të verës implementimi i marrëveshjes të mos konkludohet. Sa i përket palës serbe, janë disa elemente që ajo duhet t'i përmbush: "njohja e tabelave të regjistrimeve, letërnjoftimet dhe disa gjëra tjera", u shpreh ai. Kosova, ndërkaq, duhet të formojë Asociacionin. "Më vjen keq, kjo nuk është pritshmëri. Është obligim", tha Escobar.

Që të dyja këto procese, ShBA pret që të ndodhin sa më parë. Escobar u shpreh optimist se qëllimi do të arrihet teksa u shpreh mirëbesues se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “mund të tregojnë guximin politik të nevojshëm për të ndërmarrë hapat e duhur”.

Qëndrimet e palëve rreth sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes kanë mbetur në një ngërç të ri: Serbia, në njërën anë, që insiston që nuk i nënshtrohet obligmeve të zbatimit të marrëveshjes pa u themeluar Asociaconi – dhe, Kosova, në anën tjetër, që insiston që zbatimi të nis në tërësi pa u vënë (para)kushte në pjesë të caktuara të marrëveshjes siç është Asociacioni ose në atë që “binari i parë” duhet vendosur me pjesën e njohjes “de facto” për të vendosur njëkohësisht “binarin e dytë” që është Asociacioni ose Neni 7.

Gabriel Escobar dje gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të paraqesin një draft-Statut për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe. “Kjo duhet bërë tash”, i tha ai televizionit publik . Ndërkaq sa i përket palës serbe, nuk specifikoi cilën-pikë duhet ta trajtojë në rend të parë, por tha se për të dyja palët është “urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre”.

Emisari amerikan sërish iu kthye një gjëje që ai e sheh të nevojshme “për ta kuptuar”. Se serbët e Kosovës “janë shtetas të dyfishtë”. Këtë gjë Escobar e ka mbajtur si të qëndrim të kahershëm për të cilën ShBA shtyn para. Megjithatë, sipas tij, ShBA këtë Asociacion e sheh krejtësisht në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, tha ai.

Më duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”.

Asociacioni i Escobar-it, edhe i Kurtit

Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe Zëvendë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Eurazisë, Gabriel Escobar, do të botonin më 31 janar një Op/Ed me titullin “Koha për të themeluar Asociacionin/Zajednicën është tani”. Aty shpjegohej se “çka është” dhe “çka nuk është” ky Asociacion për nga botëvështrimi amerikan. Aty kishin skicuar se si këtij Asociacioni i paramendohej një rol koordinues mes këtyre komunave.

Një a dy muaj më vonë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë vizion të amerikanëve e kishte bërë të tij, natyrisht në heshtje. Në bisedimet maratonëshe të Ohrit ai atë Op/Ed e kishte bërë njërën nga tri shtyllat e tij, krahas kushtetuetshmërisë (2015) dhe garancës së BE’së (2015) të artikuluar në Letrën e Federica Mogherin-it. Ishte vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili të nesërmen në konferencë për media ankohej për këtë qëndrim të Kurtit. “Si mund të jetë një Op/Ed burim i së drejtës?”, pyeste ankueshëm ai në frekuencat kombëtare të televizioneve serbe.

Escobar, i angazhuar drejtpërsëdrejti në terren për kohë më të gjatë se Chollet në këtë çështje, kishte artikuluar pikëpamjen amerikane për këtë. Ishte në një intervistë vitin e kaluar në N1 ku ai mbase e kishte përmbledhur të tërën si në vijim.

Le të jemi tejet të qartë. Ato njerëz (serbët) në Kosovë janë qytetarë të dyfishtë: qytetarë edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Pra, në këtë aspekt, të drejtat e tyre, në të dyja anët, duhet të jenë të mbrojtura. Si qytetarë të Serbisë ata kanë të drejtë votojnë dhe të marrin pjesë në jetën ekonomike dhe kulturore të Serbisë; por edhe si qytetarë të Kosovës ata kanë të drejtën e tyre të jenë të mbrojtur nga institucionet e Kosovës. Prandaj, ne ngulim në këmbë në këtë. Ne ngulim këmbë që të gjitha të drejtat demokratike të tyre të jenë të mbrojtura”, deklaronte ai.

Muaj më vonë, kur u shpalos Draft-Statuti nga Ekipi Menaxhues, një draft i cili nuk mbante as erë konsiderate për aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kurti doli nga takimi sërish duke u thirrir në “shtyllën amerikane” të artikuluar në Op/Ed-in e 31 janarit. Drafti i 2 majit ishte “në themel anti-kushtetues” dhe “dëshirë e zjarrtë për Republikë Serbe” në Kosovë. Kurti kishte shpaluar një “draft-Vizion” të tij, siç tha ai, të frymëzuar nga “modeli kroat”.

Lajme të ngjashme