Zbatimi i Marrëveshjes Bazike, Kosova i përgjigjet BE-së: Çka dërgoi Qeveria në Bruksel? - NACIONALE

Zbatimi i Marrëveshjes Bazike, Kosova i përgjigjet BE-së: Çka dërgoi Qeveria në Bruksel?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht se cilat janë komentet që ka dërguar në Bruksel rreth zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Ndonëse kryeministri Albin Kurti dje ka thënë se për përmbajtjen e këtyre komenteve opinioni do të njoftohet sot paradite, deri në publikimin e këtij teksti nuk ka ndonjë informacion zyrtar të ekzekutivit se çka ka dorëzuar Kosova te Bashkimi Evropian.

Ajo që dihet është vetëm një konfirmim i këshilltarit të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, i cili për gazetën online Reporteri.net ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka dërguar komentet e saj në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti dje ka thënë se Kosova do t`i përgjigjet Brukselit në mënyrë adekuate.

Në një konferencë për media, Kurti nuk ka dhënë shumë detaje se cilat do të jenë komentet.

Ai ka thënë vetëm se ekipi i Besnik Bislimi është duke punuar për të ia dërguar BE-së komentet.

Ekipi i zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është duke punuar edhe në këtë kohë që ne po flasim në mënyrë që t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate dhe të merituar, e për këtë gjë sigurisht do t’ju njoftojnë edhe juve gjatë ditës se sotme ose më së largu nesër paradite”, ka thënë Kurti.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Kosovës për marrëveshjen në fjalë.

Sipas Kurtit, kjo marrëveshje se pari duhet të respektohet e më pas të zbatohet.

Së pari, para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes, duhet të kemi respektim. Nuk mund të kemi zbatim të vërtetë e as të qëndrueshëm nëse nuk kemi respektim. Serbia s’e ka bërë këtu, përkundër e ka shkelur për çdo javë prej kur është pranuar vitin e kaluar, duke kulmuar me letrën e Bërnabiq, në mes të muajti dhjetor dërguar 27 vendeve të BE-së ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja”, është shprehur ai, duke shtuar se për këtë marrëveshje nevojitet nënshkrimi.

Pra ne insistojmë në respektim të marrëveshjes, për këtë gjë nevojitet nënshkrimi, sepse nënshkrimi do të ishte garanti e sinqeritetit, mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme”, është shprehur Kurti.

Afati i fundit që Kosova dhe Serbia t`i dërgojnë komentet e tyre në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes Bazike ka qenë 18 korriku.

Lajme të ngjashme