Ymeri: Ndihmat financiare në prag të zgjedhjeve, shkojnë në favor të Kurtit
Analisti Visar Ymeri ka reaguar pasi qeveria ua ndau nga 100 euro studentëve.
Ymeri ka shkruar në rrjete sociale se këto ndihma, i shkojnë përshtati Albin Kurtit.
Postimi:
Asgjë! Veç marketing politik
Ndihma financiare ndaj studentëve, pensionistëve, dhe familjeve me qëllim të sanimit të rritjes së kostos së jetesës, në parim do të kishte qenë gjë e mirë. Në fund të fundit këtë do të duhej ta bënte një qeveri social demokrate.
Mirëpo, politikat rishpërndarëse duhet të jenë të mirëmenduara, transparente, të parashikueshme e në përputhje me parimet e drejtësisë sociale. Kur këto ndihma vijnë në prag të zgjedhjeve (në këtë rast lokale) ato e humb kuptimin. Çka do të duhej të trajtohej si e drejtë e qytetarëve shndërrohet në favor nga politikani (në këtë rast Albin Kurti).
Çka i duhet Kosovës janë institucione dhe mekanizma institucional – mekanizma të mirëqenies që garantojnë parashikueshmëri, planifikim, dhe mbrojtje për të gjithë, në kohë të mira e të vështira, pavarësisht kush është në pushtet. VV e Kurti kurrë nuk u denjuan që këto ndihma t’i shndërrojnë në të drejta për qytetarët, duke u kujdesur vazhdimisht që këto t’i mbajnë në nivel të zemërgjërësisë së Liderit pa kurfarë transparence, llogaridhënie e parashikueshmërie.
Kështu solidariteti shndërrohet në marketing e politika në bamirësi.