VV i merr veç 39 vota, dështon sërish votimi i fshehtë dhe Albulena Haxhiu
Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, në një seancë më ndryshe e cila nisi pas orës 20:00. Kësaj radhe, komisioni për votimin e fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje mori vetëm 39 vota, ndërsa në sallë ndodheshin 74 deputetë.
Qysh në fillim të seancës, kryesuesi Avni Dehari foli pak për situatën e krijuar pas alarmit të rrejshëm për bombë.
“Për shkak të një telefonate kërcënuese për bombë në sallën e Kuvendit, u ndërpre seanca e orës 11:00.
Ekipi për deminimin e mjeteve eksploduese ka bërë kontrollin, kam qenë në kontakt me përgjegjësit e këtij ekipi dhe na kanë tregu se pëer sa kohë do të krijohen kushte për fillimin e seancës, dhe për këtë arsye, e kemi thirrë seancën në këtë kohë.
Falenderoj të gjithë deputetët që respektuan urdhrin ep olicisë për shmangie nga rreziku” – tha ai, transmeton Nacionale.
Ndërkohë, në seancë morën fjalën deputetë të partive që ishin në opozitë gjatë legjislaturës së kaluar.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka marrë fjalën në seancën e sotme konstituive, duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta e Kosovës.
Fillimisht, ajo deklaroi:
“Kërkoj në emër të PDK-së që ky Kuvend e kjo seancë të kthehet në rendin e ditës, të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Më pas, me kërkesë të kryesuesit, Avni Dehari asaj iu ndal mikrofoni.
Megjithatë, deputetja vazhdoi të flasë para kolegëve, duke pyetur se a është më e rëndëishme Albulena Haxhiu apo Republika e Kosovës.
“A ma e rëndësishme Albulena Haxhiu a Republika e Kosovës…Po e ndalni fjalën e lirë…” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Jehohna Lushaku, i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për të respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe për të siguruar që ajo të mos shkelet.
Në fjalën e saj gjatë seancës, Lushaku theksoi se LDK ka një propozim të vetëm: "Në emër të LDK-së, ne kemi një propozim të vetëm: që të respektohet Kushtetuta dhe të mos shkelet ajo."
Theksojmë se vazhdimi i kësaj seance ishte paraparë të ndodhte paraditen e sotme, në orën 11:00.
Megjithatë, kjo u shty për shkak të një alarmi për bombë që doli të jetë i rrejshëm.
Për herën e 43-të, seanca konstituive vazhdon më shtatë korrik, në orën 11:00.