VV humbet garën me grevistët edhe në komunat që udhëheq: Grevë në Llap, Gjilan e Shtime - NACIONALE

VV humbet garën me grevistët edhe në komunat që udhëheq: Grevë në Llap, Gjilan e Shtime

1 vit më parë

nga Trina Zuka

1 shtatori i gjen në grevë edhe mësimdhënësit në komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundër thirrjeve të krerëve të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financave për të filluar mësimi, të njëjtit nuk po punojnë, e për të cilën Qeveria i ‘dënoi’ me mos ekzekutim të pagave. Gazeta Nacionale ka kontaktuar me drejtorët e Arsimit në Shtime, Gjilan e Podujevë, dhe të njejtit kanë thënë se nuk ka mësim, por grevë.

Asnjë fëmijë, nuk ka hyrë në shumicën dermuese në objektet shkollore anembanë Kosovës, pasi që greva e thirrur nga SBASHK-u po mbahet, ndonëse shumë nga prindërit nuk e dinin nësë do t’i dërgonin fëmijët në shkolla, apo jo.

SBASHK-u nuk po tërhiqej nga vendimi për grevë, e në anën tjetër ministrja e Arsimit e ai i Financave, thonin se viti i ri shkollor fillon me 1 shtator.

Por, fjalët e dy të parëve të këtyre ministrive, Nagavci e Muratit, nuk i kanë dëgjuar grevistët as në komunat, të cilat udhëhiqen nga partia në pushtet, Vetëvendosje.

Shtimja, Gjilani e Podujeva në grevë

Drejtorët e këtyre komunave, thonë se shkollat në Gjilan, Podujevë e Shtime janë në grevë dhe se një gjë të tillë nuk mund t’ia mohojnë grevistëve.

Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në komunën e Shtimës, thotë se nuk mund t’ia imponojnë mësimin mësimdhënësve, sepse iu takon me ligj greva të cilën po e bëjnë.

"Në mëngjes kam bisedu me drejotrët e shkollave, shkollat janë në greva. Mësimdhënësit iu kanë përgjigjur vendit të punës, por mësim nuk janë tu majtë. Përgatitjet i kemi bë të gjitha, kushtet i kemi kriju për vitin e ri mësimor. Por na nuk mundem me ua imponu mësimin sepse iu takon me ligj" tha për gazetën Lulzim Sahiti drejtor i Arsimit në Shtime.

Ngjashëm situata është edhe në Podujevën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, i Vetëvendosjes.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, thotë se vetëm çerdhja po punon.

"Përveç çerdhes të gjitha shkollat prej orës 9 kanë hy në grevë. Ka disa mësimdhënës që kanë ardhë me majtë mësim, por kur e kanë pa që s'ka nxënësa iu kanë bashkangjitur grevës. Në përjashtim që veç çerdhja po punon", potencoi Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në Podujevë.

Në komunën e Gjilanit nga Drejtoria e Arsimit, thonë se nxënësat nuk janë lajmëruar hiç në shkollë edhe nësë ka pas gatishmëri të mësimdhënësve.

"Në grevë edhe ne. Momentalisht nxënësat nuk janë lajmëru hiç në shkollë edhe nëse ka pas gatishmëri të mësimdhënësve. Jemi tu e plotësu raportin që jemi në greve”, thonë nga kjo komunë.

Gazeta ka kontaktuar edhe me komunën e Kamenicës, por të njejtit nuk kane qenë të qasshëm.

Deklaratat që ç’orientuan teorinë ka mësim apo ska mësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ekzekutimi i pjesshëm i pagës, nuk ka të bëjë me inate, por sipas tij nuk mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë.

“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës … kërkesat që njerëzit të paguhen për punën që nuk e bëjnë janë kthim i avazit të vjetër.”, tha Kurti pas përurimit të Abetares.

“Kërkesat sindikale dhe greva si instrument nuk duhet të dalin përtej racionales, nuk duhet të jenë të palogjikshme. Sepse kur dikush thotë duhet të ma rrisësh pagën 100 euro pyetja është pse jo 300 euro .. planifikimet financiare shtetërore nuk bëhen në mënyrë të papërgjegjshme”, tha Kurti.

Gjatë ditës së mërkurë Sindikata e Arsimit deklaruan se greva vazhdon, si pasojë e mosdialogut me qeverinë.

Rrahman Jasharaj deklaroi se nuk do të ketë mësim.

Po të kishim angazhim të sinqertë të shtetit tonë nesër do të kishim fillim të vitit shkollor, por fatkeqësisht pasi mungon dialogu greva vazhdon. Greva do të vazhdojë derisa qeveria të filloj realizimin e kërkesave tona”, ka deklaruar Jasharaj.

Por, ministrja e Arsimit e ai i Financave kishin fjalë krejt të kundërta me ato të Jasharajt.

Arbërie Nagavci deklaroi se 90 për qind e shkollava nuk po mbajnë grevë, andaj sipas saj mësimi do të mbahej.

Unë pres dhe kërkoj që të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit. Me përgjegjësinë më të lartë ju njoftoj se gjatë mandatit tim si ministre, janë përfshirë të gjitha kërkesat që kanë qenë për sigurinë dhe mirëqenien e stafit arsimor”, tha Nagavci të mërkurën.

Kërcënimet

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, ka gjetur mënyrat më të rënda për t’i luftuar grevistët, si ata në sektorin e arsimit, por edhe punëtorët të administratës shetërore.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se është bërë ekzkutimi i pjesëshëm i pagave, pra ndalje të pagave.

Sot është bërë vetëm pjesërisht ekzekutimi i pagave, për shkak se procesimi dhe përgatitja e llogaritjes së pagave merr kohë. Mirëpo siç e dini që greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK, ka kriju nevojën që të procesohen edhe llogaritjet nga ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva e shpallur dhe marrë parasysh që sipas ligjit detyrimi i punëdhënësit gjatë kohës sa punëtori është në grevë, pezullohet, ne kemi marrë për detyrë që të përditësohen listat e pagave”, ka thënë Murati gjatë një konference për media.

Ndërsa, SBASHK-u i është përgjigjur akuzave të Muratit me një kallëzim penal.

Lajme të ngjashme