VV e humb hegjemoninë e tregimit politik: Baza e vet mbështetëse e bën ‘kahre’ për Vjosa Osmanin
Vetëvendosjes i besuan 51% e zgjedhësve kosovarë se më 2025 opozita “po e bllokonte” në formimin e institucioneve dhe përfundimisht qeverinë.
Prej nivelit më të lartë të partisë deri te mbështetësit në skaje të internetit kishin angazhim masiv për të (për)forcuar tregimin e “fajtorëve.”
Por, me të fituar zgjedhjet më 28 dhjetor me rezultat shterrues dhe afrimin e çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës ky dominim në tregim me ç’duket ka prekur fundin.
Vetëvendosja e ka humbur hegjemoninë e bërjes së opinionit në favor të tyre. Dhe krejt kjo në (pa)shpjegimin pse s’po kandidojnë Vjosa Osmanin.
Pas raportimit të Nacionales dhe mediave tjera se Kurti planifikon të kandidojë Glauk Konjufcën për pozitën e të parit të shtetit, spin-doktorë dhe profile të rreme të angazhuar për të mirëmbajtur dhe justifikuar “arsyeshmërinë” e ngjarjeve që do të pasojnë, e kanë gjetur veten në vështirësi.
Një i angazhuar me orar të plotë në rrjete sociale me çështje të ndjelljes së mendimeve të linjës partiake të Vetëvendosjes, Xhevdet Pozhari, veçse e ka pranuar “dështimin” e shtyrjeve të veta.
Ai shkroi se “Në sondazh (i veti), bindshëm e preferuar për Presidente të Republikës së Kosovës është Vjosa Osmani”.
Kjo pasi e provoi matjen online mes Konjufcës dhe Osmanit. Rezultati i doli nga 1 mijë e 600 reagime, 1 mijë për Osmanin, 600 për Konjufcën.
Edhe në postimet e Vetëvendosjes komentet dhe reagimet janë disproporcionalisht në anën e Osmanit.
Mijëra komente dhe diskutime shprehen haptas mosbesues ndaj tregimit të VV-së.
Megjithatë, ndonëse ky disponim ka qenë konstantja disa-javore, Albin Kurti i Vetëvendosje s’është lëkundur nga rrjedha e tij kundër bazës elektorale të vet.
Kurti, me ç’ka kuptuar Nacionale, u ka thënë edhe liderëve opozitare se nuk dëshiron kandidat “që përzihet në kompetenca të Qeverisë”, duke iu referuar indirekt Vjosa Osmanit.
Zhvillimet politike...
Vjosa Osmani më nuk është opsion.
Kështu kupton gazeta Nacionale nga burime të mirëinformuara me procesin e bisedimeve ndërpartiake për çështjen e Presidentit të Kosovës.
Albin Kurti i Vetëvendosjes, me 66 vota të ligjvënësve me vete, si forca dominante politike në vend, planifikon ta propozojë Glauk Konjufcën për President.
Megjithatë, ende s’janë proceduar 30 nënshkrime për ta inicuar në parlament si kandidaturë zyrtare.
Albin Kurti ka shmangur kategorikisht që të përmend Vjosa Osmanin si presidente për një term të dytë.
Justifikimi i tij: Nuk i kemi 80 vota në sallë.
Por, 80 në sallë, deri më tash, nuk i ka as për Konjufcën.
Me ç’ka kuptuar Nacionale, Kurti po llogarit në vota të PDK-së, disa prej tyre, por një burim brenda kësaj partie na e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë: “Asnjë votë për Konjufcën,” na tha ky burim.
Po ashtu, mbështetje për Konjufcën nuk kanë as LDK-ja, me një burim që na tha “s’bëhet fjalë për Konjufcën”.
Por, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, u tha gazetarëve se janë “dy mënyra” se si kjo parti operon në raport me zgjedhjen e presidentit.
Ose me figurë konsensuale, përkatësisht me pajtim të përgjithshëm – ose përmes një marrëveshje politike mes Lidhjes Demokratike dhe Vetëvendosjes.
Albin Kurti u the gazetarëve pas takimit me Lumir Abdixhikun se “ende nuk kemi zgjidhje.”
Deklarimi i LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës pas mbledhjes së grupit të tyre parlamentar tha se deri më tash nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare për President të Kosovës.
Besian Mustafa, zëdhënës i subjektit, tha se si parti kanë ofruar dy mundësi: ose zgjedhje të një figure me pajtim të përgjithshëm ndërpartiak ose përmes një marrëveshke politike LDK – VV.
Por, deri tash, asnjëra nga këto nuk ka qenë rasti.
Për atë që Nacionale ka raportuar se Albin Kurtit pritet të propozojë Glauk Konjufcën për President, ai tha se LDK nuk është në dijeni deri më tash që një kandidaturë e tillë është proceduar edhe me nënshkrime.
“Nuk është problem hezitimi për Osmanin, por s’kemi asnjë kandidaturë. Duhen 30 nënshkrim,e vetme LDK s’mund të bëjë 30 nënhkrime. Ata VV mund të propozojnë dy emra e deri tash asnjë,” tha Mustafa.
“Është qëndrim i LDK-së që zgjedhjet janë të panevojshme, të shmangshme dhe nuk i duhen askujt. Dhe LDK mund të ofrojë kontribut për president, ose me konsesnsus ose me marrëveshje politike,” tha ai.
Deklarimi i VV-së
Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, duke dhënë një prononcim për takimin mes Albin Kurtit të Vetëvendosjes dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështje të presidentit, tha se si parti “do të bëjmë gjithçka” për të mos shkuar në zgjedhje të reja.
“Takimet janë intensive me të gjitha palët. Natyrisht zoti Abdixhiku është kryetar i një partie me 15 deputetë andaj diskutimet janë të vazhdueshme me të gjitha palët, që do të mund të kontribuonin për t’i shmangur zgjedhjet”, ka thënë ajo
Nagavci po ashtu shtoi se “do të bëjnë gjithçka brenda kompetencave për të shmangur edhe një palë zgjedhje”.