Vudi Xhymshiti i mori 10 mijë e 500 euro për fotografi që s'i bëri kurrë, Ministria e Kulturës nuk tregon as pse
“Njoftim emocionues” brohoriste personazhi më së lehti thënë kontraverz i “X”-it, Vudi Xhymshiti, në uebsajtin e tij teksa bënte të ditur se kishte marrë plot 10 mijë e 500 euro nga Ministria e Kulturës, Rinës dhe Sportit për të realizuar një të ashtuquajtur projekt “ambicioz” fotografik ku do të shpalonte “kostumet tradicionale të llojeve të ndryshme të komuniteteve etnike në Kosovë, përfshirë shqiptarëve, serbëve, egjiptianëve, turqve dhe boshniakëve”. MKRS si përfitues të 10 mijë e 500 eurove Xhymshitin e ka shpallur qysh më 28 korrik 2023.
Projektit që buxheti i shtetit kosovar tash në duart e pushteti të Vetëvendosjes ia kishte dhënë 10 mijë e 500 euro, Xhymshiti – që krejt kapacitetet e tij online i drejton në mbrojtje të pushtetit me një vrer-hedhje të pashoq ndaj bashkësisë ndërkombëtare perëndimore, e në veçanti ShBA-së – ia kishte veshur emrin “Etnofoto” dhe njoftonte se kishte nisur ekzekutimin “pas gjashtë javësh punë intensive”. Kjo ishte më 5 shtator 2023.
Fjalë sa të duash shkruante aty Xhymshiti duke krijuar përshypje se s’do të line teshë-në-trup të ndokujt pa i fotografuar; por këto syreta s’i pa kush. Gjërat shkojnë keq për kërkuesin kur nis të hulumtojë për këtë projekt aq të vetë-trumbetuar. Paratë MKRS ia ka dhënë në korrik të 2023, produktin Xhumshiti nuk e ka hedhur as në fund të prillit të 2024.
E pyetëm MKRS-në pse? A janë në dijeni që s’e ka bërë punën për çka është financuar? Nuk e ndjenë nevojë të përgjigjen. As në nënpyetje tjera që derivojnë nga pyetja bazike. Më shumë se një ditë që nga pyetjet e Nacioanales, Ministria që udhëheqet nga Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes s’thanë gjëd.
Xhymshiti, në anën tjetër, ka artikuluar shumë punën që s’e ka kryer hiç.
Në uebsajtin e tij ai vendos vegëzat (linçet) që supozohet të dërgojë përdoruesin te ky projekt madhor i tij, por krejt çka gjen janë dy profile të “etnofoto”, një në “X” dhe një në “Instagram”. As në uebsajtin e tij në kategorinë e projekteve nuk gjen gjë përveç dy njoftimeve për po atë, por pa fotografi në to. Zero postime në Instagram, dy-tri postime në "X", një "retweet" të MKRS. Përmbajtja kurrëkund.
Një fotografi si ballinë me disa plisa është krejt çka ai ka ofruar: 10 mijë e 500 euro për fotografim të një grumbulli plisash?
Vegëza “shihni Koleksioni e Galerisë tonë” po ashtu zero.
Xhumshiti e çon në qiell projektin 10 mijë e 500 eurosh pa asgjë: “’ETNOFOTO’ nuk ka të bëjë vetëm me fotografitë; ka të bëjë me kapjen e thelbit të identitetit tonë kulturor, ndarjen e tij me botën dhe sigurimin që traditat tona të vazhdojnë të frymëzojnë dhe rezonojnë me brezat që vijnë”.
“Unë do të fokusohem intensivisht në Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan gjatë një periudhe dymujore. Përkushtimi dhe pasioni im për këtë projekt mbeten të palëkundur”, shkruan ai aty.
Nacionale e pyeti MKRS-në për 10 mijë eurot e dhëna Xhymshit për punë të pakryera, por më kot, pa përgjige.