Vrau vëllain dhe ia dogji kufomën, Gjykata Supreme vërteton dënimin me burgim të përjetshëm - NACIONALE

Vrau vëllain dhe ia dogji kufomën, Gjykata Supreme vërteton dënimin me burgim të përjetshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit për vrasje të rëndë G.K., i cili kishte vrarë vëllain e tij dhe ia kishte djegur kufomën,

Ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës është cilësuar si e pabazuar.

Në njoftimin e Gjykatës Supreme është bërë me dije se i dyshuar nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale.

Sipas aktgjykimit, edhe familjaret e të dyshuarit e kanë dëshmuar se G.K e ka vrarë vëllain e tij B.K.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme PA-II.nr.1/2023, precizohet se vet i akuzuarit, në mbrojtjen e tij, në deklaratën e dhënë në polici, nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale në drejtim të vëllait të tij, përkundrazi e ka përshkruar në detaje se si e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.K., pastaj se si e ka djegur kufomën dhe si e ka hedhur të njëjtën me qëllim që të fshihen gjurmët e vrasjes. Përveç kësaj, dëshmitarët e familjes së të dënuarit dhe dëshmitarët e familjes së tani të ndjerit, kanë vërtetuar se pikërisht i akuzuari G.K. është personi që e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B., prandaj konkludimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta të ndjerin janë të drejta dhe të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresat tjera të lëndës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Duke marrë parasysh mënyrën e kryerjes se veprës penale, Gjykata Suprem ka konstatuar se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, i cili është vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë.

Gjykata Supreme duke marr parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, vendin e kryerjes së veprës penale, sjelljen e të akuzuarit para kryerjes së veprës penale si dhe pas kryerjes së veprës penale, faktin se vepra penale është kryer në “rrethana veçanërisht rënduese”, konsideron se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë, i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të dënuarit, dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit”, është thënë në njoftimin e gjykatës.

Gjykata Themelore në Gjakovë të akuzuarin G.K., e kishte shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasja e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe ia ka shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm.

I njëjti dënim është ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Lajme të ngjashme