Votimi me dokumente të skaduara në diasporë nuk kalon: PZAP anulon vendimin e KQZ-së - NACIONALE

Votimi me dokumente të skaduara në diasporë nuk kalon: PZAP anulon vendimin e KQZ-së

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili kishte lejuar votimin me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Sipas PZAP-së, është aprovuar si e bazuar ankesa e paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër këtij vendimi të KQZ-së, në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.

“ANULOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në arsyetimin e tij, paneli thekson se pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit përkatës, ka konstatuar se ankesa është e bazuar.

“Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.

Sipas PZAP-së, KQZ-ja nuk ka pasur bazë ligjore që përmes një vendimi administrativ t’u mundësojë votuesve jashtë vendit të votojnë me dokumente identifikimi të skaduara, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon qartë paraqitjen e dokumenteve të vlefshme.

Paneli i referohet nenit 90, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton se votuesit, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike, mund të votojnë vetëm pasi të identifikohen me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Republika e Kosovës, si letërnjoftimi, pasaporta ose leja e vozitjes.

Po ashtu, PZAP vlerëson se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime që do ta trajtonin një dokument të skaduar si të vlefshëm për procesin e votimit.

“Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.

Paneli ka trajtuar edhe argumentin e KQZ-së se gjatë regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës janë pranuar aplikime me dokumente të skaduara.

“Në përgjigjen e dhënë KQZ ka theksuar se gjatë fazës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka lejuar që aplikues të caktuar të regjistrohen duke paraqitur dokumente të identifikimit me afat të skaduar. Mirëpo PZAP vlerëson se kjo rrethanë në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohet me automatizëm si e drejtë për të votuar me dokument të skaduar në ditën e votimit. Nga procedura e regjistrimit të votuesve dhe procedura e votimit janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”.

Lajme të ngjashme