Vizita e paparalajmëruar: Kurti “zbret” në veri me shumë policë, shmang kryetarët e PDK-së - NACIONALE

Vizita e paparalajmëruar: Kurti “zbret” në veri me shumë policë, shmang kryetarët e PDK-së

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një vizitë të shkurtër në veri të Kosovës. Kurti shkoi në Leposaviq, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemi, e pastaj qëndroi edhe në Mitrovicë të Veriut. Çfarë bëri Kurti në veri?

Në pasditën e së mërkurës, Kurti qëndroi në veri të Kosovës, ku u takua me Lulzim Hetemin, kryetar i Leposaviqit, ndryshe i njohur si “Oso Kuka”, për shkak të ngujimit disa mujorë në objektin e komunës.

Gjatë rrugës, Kurti është ndalur edhe te pllakata që nderon rënien e Enver Zymerit, polict që u vra më 2011 nga serbët në veri. Në një deklaratë për medie, Kurti ka treguar se çfarë bëri në veri të Kosovës.

“Vizituam edhe përmendoren e Enver Zymberit që tani do t’i mbushte 45 vjet, por është vrarë, siç e dimë në korrik të 2011. Po ashtu, e vizituam edhe vendin ku ishte organizuar ajo prita kriminale ku është vrarë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar nga paramilitarët dhe terroristë që tash fshihen në Serbi” – tha Kurti.

Nga Mitrovica e Veriut, Kurti foli edhe për temën e dinarit, duke theksuar se zëvendësministri Besnik Bislimi nuk mund të negociojë për rregulloren e BQK-së.

“Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK’së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore. Vetëm nëse ka ndonjë pasojë që askush s’e do atëherë hajde të shohim se çka mund të bëjmë që të ketë një tranzicion sa më të mirë e sa më të shpejtë. Ne nuk jemi bartës të këtij vendimi të ri të BQK’së, në këtë kuptim ngjarja kryesore tashmë ka ndodhur, tash jemi në fazën post festum dhe duhet të shohim që të mos ketë asnjë pasojë” – tha Kurti.

Ndërsa Hetemi tha se nuk po mërzitet se mund të shkarkohet nga referendumi i serbëve, i cili pritet të mbahet më 20 prill. Ai ka vlerësuar se këtë proces e ka lejuar Qeveria e Kosovës, duke shtuar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më demokratike.

“Sa i përket referendumit nuk ka asnjë problem. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka lejuar, nuk ka problem edhe nëse shkarkohemi. Me partitë serbe që shkojnë në zgjedhje dhe iniciativat qytetare e të tjera. partitë do të jenë tre-katër parti, kështu që do t’i ngjajë pak demokracisë dhe jo se në zgjedhje është gjithmonë një parti”, ka thënë Hetemi për “Kosovo Online”.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e viztës së Kurtit në Zubin Potokut, komunë që udhëhiqet nga Izmir Zeqiri i PDK-së. Në një përgjigje për Tëvë 1, Zeqiri ka theksuar se nuk ka qenë fare i informuar për vizitën e kryeministrit Kurti në komunë dhe te pllaka përkujtimore e heroit Zymeri.

“Nuk kam qenë i informuar prej kryeministrit as dikujt tjetër kështu që nuk kam qenë as prezent se nuk kam ditë as agjendën e qeverise, në këtë rast as kryeministrit a do të vizitoj a s’do të mitizoj, nuk kam qenë fare i informuar, kjo është ajo qka mund të them” – ka theksuar Zeqiri.

Kurti nuk ka shkuar as në Zveçan, që po ashtu udhëhiqet nga Ilir Peci i PDK-së.

Lajme të ngjashme