Veton Surroi mbron shefin e vajzës së tij për Marrëveshjen e Ohrit, thotë se kaloi "barrierë psikologjike" - NACIONALE

Veton Surroi mbron shefin e vajzës së tij për Marrëveshjen e Ohrit, thotë se kaloi "barrierë psikologjike"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Veton Surroi ka dhënë 'verdiktin' e tij për Propozimin Evropian dhe Aneksin e Zbatimit. Ai ka përmendur 'barazinë' pesë herë në tekst, mes të cilave një herë edhe me konotacion psikologjik.

Publicisti Veton Surroi duket se ka lënë menjanë grindjet e tij në rrjete sociale me qytetarë dhe ka kapur lapsin për të shkruar një opinion për Kohën Ditore. Sot me mëngjes, ora 7 e 40, ai publikoi shkrimin “Terra incognita” (shq. Territor i panjohur, i pashkelur) si koment për marrëveshjen e Ohrit.

Çka tha Surroi?

Ai e cilëson opinionin e tij “version të destiluar të asaj që ndodhi në Ohër”. Paraprakisht, Surroi sulmon analistët e tjerë duke i cilësuar (disa prej tyre) si version të “Big Brother”. Pra, Surroi është “i destiluari”.

Ish-negociatori dhe ish-politikani duket se përmbledh të këqijat apo mangësitë e Propozimit përmes titullit të artikullit të tij “Terra incognita”.

Por, megjithatë pjesa më interesante është kur Surroi provon ta mbrojë Kurtin. Aty ai përfshin termin “barazi”, madje duke e thirrur në ndihmë edhe psikologjinë”.

“...për dallim prej periudhës së asteriskut (fusnotës, dmth periudha e Thaçit, Mustafës etj.), natyra e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë tashmë ka kaluar barrierën psikologjike të barazisë.” – thotë z. Surroi.

Çka është ky togfjalësh? Duket se publicisti provoi thjesht të fuste diçka të mirë në këtë çështje, duke e përmendur termin e preferuar nga më i barabarti mes nesh, kryeministri Kurti.

Sipas këtij këndvështrimi, qeveritë e mëhershme e shihnin veten e tyre si inferiore karshi Serbisë. Dhe tash, Kurti e sheh veten e tij si të barabartë (e ndoshta edhe superior) ndaj Kosovës. Por, a është ‘i destiluar’ një shpjegim i tillë me kuptime të mjegullta psikologjike? Qoftë për ndonjë nxënës fillorist?!

Një qëndrim interesant z. Surroi e jep kur flet për ndëshkimet që mund t’i marrin palët nëse nuk zbatojnë marrëveshjet.

Ish-politikani i pasur kosovar duket se nuk sheh kurrfarë rreziku nga një gjë e tillë.

“Për të arritur ndëshkimet duhet dakordim i vendeve anëtare, e ato jodomosdoshmërisht pajtohen me vlerësimet e lehtësuesit të BE-së.” - shkruan ai.

Surroi duket sikur dekurajon tutje Kosovën që të mos zbatojë marrëveshjen edhe kur flet për shpërblimet (karrotat).

“Edhe nëse nënshkruhen të gjitha marrëveshjet në 150 ditët e ardhshme, Serbia e Kosova do të jenë pothuajse në të njëjtin vend karshi BE-së.” – thotë në mënyrë arbitrare ai.

Kujtojmë se ditë më parë vajza e z. Surroi, Zoja, u punësua si këshilltare politike në Zyrë të Kryeministrit.

Lexo shkrimin e plotë duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme