Vërejtje veç pse nuk e transmetuan lajmin për Kurtin, Inspektorati rrëzon vendimin e Rilind Gërvallës ndaj tre gazetarëve të RTK-së
Për një kronikë se a duhet t’i thuhej Albin Kurtit ‘kryeministër në detyrë’ apo jo, para disa muajsh, Rilind Gërvalla, drejtori i TV-së në RTK, kishte dënuar me vërejtje tre gazetarë.
Nacionale kishte raportuar se vërejtja ishte shqiptuar ndaj Jehona Zhitisë, Arton Mulliqit dhe Valon Bajramit.
Të njëjtit, nuk e kishin transmetuar në edicionet e natës një kronikë për Kurtin.
Kjo kishte ardhur pas urdhrit që Kurtit t’i referoheshin si kryeministër.
Kronika ndërlidhej me një Email të cilin me datë 26 shkurt e kishte dërguar redaktori Besart Galica. Ai urdhëronte që Kurtit të mos i thuhej kryeministër në detyrë.
Nacionale kishte raportuar se tre gazetarëve u ishte shqiptuar vërejtje, vetëm pse nuk e transmetuan kronikën në fjalë.
Vendimi ishte nënshkruar nga ish-anëtari i VV-së, militanti i partisë së Kurtit i instaluar si drejtor i televizionit në RTK, Rilind Gërvalla.
Megjithatë, lajmi i fundit është që vërejtja e Gërvallës, është rrëzuar.
Inspektorati i Punës ka evidentuar se nuk ka pasur ndonjë shkelje, dhe se vendimi për vërejtje, nuk duhet të qëndrojë.
Në vendimin që e ka siguruar Nacionale, Inspektorati ka gjetur se vendimi për të mos e transmetuar këtë kronikë, nuk përbënte ndonjë shkelje të ndonjë akti apo rregulloreje të brendshme të RTK-së.
“Nga çfarë u theksua rrjedh se punonjësit Valon Bajrami, Jehona Zhitia dhe Arton Mulliqi nuk kanë qenë të njoftuar se z.Besart Galica është përgjegjës për informacion dhe e zëvendëson Milaim Shefkiun. Masa disiplinore e përcaktuar me nenin gjashtë të rregullores për përgjegjësitë materiale e disiplinore, thekson se citoj: ‘mosbindja e një urdhri të arsyeshëm, i cili nështë i paraparë me kontratë dhe këtë rregullore’. Në rastin konkret, nuk ka ekzistuar ndonjë urdhër për transmetimin e kronikës edhe në edicionin e orës 23:00. Gjithashtu nuk është gjetur nga inspektorët e punës ndonjë skemë programore për edicionin e lajmeve të orës 23:00 ku punonjësit kanë ashkaluar atë, dhe po ashtu nuk ka dëshmi se kronikat e transmetuara në orën 19:300 domosdo duhet të transmetohen edhe në edicionet e tjera. Andaj, nga sa u theksua më lart, rrjedh se masa disiplinore e shqiptuar ndaj punonjësve, nuk qëndron, pra nuk ka arsyetim të qëndrueshëm”, thuhet në vendimin që e ka parë gazeta Nacionale.
Sipas vendimit, përveç mungesës së arsyetimeve, në rastin konkret ka pasur edhe shkelje të Ligjit të Punës.
Raportimi i Nacionales
Një kronikë në të cilën ka sqarime se a duhet t’i thuhet Kurtit kryeministër në detyrë apo jo, ka rezultuar me pasoja për tre gazetarë të RTK-së.
Gazeta Nacionale ka mësuar detaje ekskluzive nga një zhvillim skandaloz në Televizionin Publik të Kosovës, që paguhet me taksat e qytetarëve.
Jehona Zhitia, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, janë dënuar nga drejtori i TV-së në RTK, Rilind Gërvalla.
Kjo erdhi pasi të njëjtit, nuk e kishin transmetuar një kronikë në edicionin e lajmeve të orës 23:00.
Kronika ndërlidhej me një Email të cilin me datë 26 shkurt e kishte dërguar redaktori Besart Galica. Ai urdhëronte që Kurtit të mos i thuhej kryeministër në detyrë.
Në po të njëjtën ditë, RTK-ja kishte transmetuar një kronikë për këtë temë, duke iu referuar Zyrës Ligjore të Qeverisë, si Zyra Ligjore e Kosovës. Më pas, kishin intervistuar edhe dy përfaqësues nga shoqëria civile, dhe u transmetua kronika “RTK në të drejtën e vet”. Kjo për të mbrojtur qasjen e saj se Kurti nuk është kryeministër në detyrë.
Kjo kornikë në atë ditë, nuk ishte transmetuar në edicionin e lajmeve të orës 23:00, ku përgjegjës ishin Arton Mulliqi, Valon Bajrami dhe Jehona Zhitia. Kjo konfirmohet edhe nga edicioni që është publik. Aty kronika nuk është transmetuar, dhe në fund emrat e Mulliqit, Bajramit dhe Zhitisë, shfaqen në fund të edicionit.
Kaq mjaftoi që RTK-ja t’i nisë ndaj të treve procedurat për t’i disiplinuar.
Nacionale ka mësuar se ndaj të treve, RTK-ja ka shqiptuar masën Vërejtje me Shkrim.
Vendimi sipas burimeve të gazetës është nënshkruar nga drejtori Rilind Gërvalla, një militant, ish-anëtar, e përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje. Emërimi i tij në pozitën e drejtorit ishte kritikuar nga organizata vendore e ndërkombëtare.
Rekomandimi fillestar ka ardhur nga redaktori Besart Galica, i cili i pari kishte nisur Emailin urdhërues se Kurtit nuk duhet t’i thuhet kryeministër në detyrë.
Rekomandimin final e ka dhënë U.D kryeredaktori, Milaim Shefkiu.
Në emailin të cilin e kishte publikuar Nacionale, thuhej se qeveria nuk është në detyrë.
Përmes një emaili, redaktori i lajme qendrore, Besart Galica, ka urdhëruar që në asnjë kronikë televizive dhe në asnjë edicion të lajmeve të mos përdoren terme të tilla.
“Qeveria aktuale është me të gjitha kompetencat e saj deri në konstatimin e legjislaturës së re. Kështu që, në asnjë edicion të lajmeve të mos nënshkruhet – kryeministër në detyrë apo qeveria në detyrë, dhe në asnjë kronikë”, thuhet në email të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.
Për këtë rast, ka reaguar edhe juristja e medias, Flutura Kusari.
“Menaxhmenti aktual është duke i ndjekë të njëjtat metoda që janë përdorë në Hungari, Poloni (përpara),Sllovaki etj me i frikësu gazetarët dhe me i detyru me iu nënshtru propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje. Një prej metodave kryesore është me i terrorizu gazetarët me procedura disiplinore dhe vendime të padrejta kinse për shkelje të rregullave. Një gjë e tillë ka ndodhë sot. Thellësisht e shqetësuar. Turp për këtë menaxhment shtypës dhe cenzurues”, thuhet në postimin e Kusarit.
Nacionale dje publikoi një tjetër Email ku gazetarëve dhe moderatorëve iu ndalua reklamimi nëpër rrjetet e tyre sociale. Një tjetër diktat i RTK-së mbi punëtorët.
Në Email thuhet se ky vendim është marrë në përputhje me Standardet dhe Parimet Etike në Programet e RTK-së. Megjithatë, aty nuk është cituar ndonjë nen a paragraf specifik.
“Duke marrë parasysh misionin e transmetuesit publik për të ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë e programeve tona, ju njoftojmë se është marrë vendim për tu ndaluar reklamimi i produkteve, shërbimeve, ose brendeve në rrjetet tuaja sociale. Ky vendim është marrë në përputhje me politikën tonë të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë të transmetuesit publik, si dhe për të shmanguar çdo ndërlidhje të mundshme mes interesave të jashtme dhe misionit tonë publik”, thuhet në këtë Email të RTK-së.
Deri më tash, gazetarët e moderatorët, kanë shfrytëzuar rrjetet e tyre sociale për të reklamuar dyqanet e ndryshme të veshjeve të cilat ata i kanë shfrytëzuar nëpër emisione. Tash, për këtë, ata duhet të adresohen në divizionin për marketing.
“Sa i përket veshjeve të caktuara ose materiale promocionale për emisionet që drejtoni, kjo do të mund të realizohet vetëm nëpërmjet një kontrate të veçantë me institucionin apo forma të tjera bashkëpunuese. Derisa sa i përket marrëveshjeve me kompensim të hapësirës publicitare do të duhet të përfshihet departamenti i marketingut, i cili do të ju asistoj në fomralizimin e marrëveshjeve me palë të treta”, thuhet më tutje.