“Verë e nxehtë”: Qeveria Kurti planifikon në qershor dërgimin e projekt-kodit civil në Kuvend, s’dihet nëse i ka votat - NACIONALE

“Verë e nxehtë”: Qeveria Kurti planifikon në qershor dërgimin e projekt-kodit civil në Kuvend, s’dihet nëse i ka votat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vera do të jetë e nxehtë. Nuk po flasim për temperaturat e larta, por për tensionet e mundshme politike. Më saktësisht, “nxehtësia” e verës politike mund të arrijë temperature të larta më 30 qershor. Në këtë datës, Qeveria Kurti planifikon ta dërgojë projekt-kodin civil sërish në Kuvendin e Kosovës, i cili herën e parë nuk u votua për shkak të nenit që parashihte bashkëjetesat e seksit të njëjtë.

Së paku, kështu parashihet në programin legjislativ për vitin 2023, të cilën Qeveria Kurti e ka miratuar në mbledhjen e 121-të. Në tabelën që mund të gjindet online, Qeveria Kurti, më saktësisht Ministria e Drejtësisë, ka paraparë që më 30 qershor të jetë në agjendë të Kuvendit të Kosovës. Madje, për këtë çështje, kohë më parë kishte folur edhe ministrja Albulena Haxhiu, Ministria e të cilës është hartuese e projekt-kodit civil.

Haxhiu deklaronte se kësaj radhe shpreson që do të kalojë projekt-kodi, duke theksuar se Qeveria Kurti II angazhohet për të drejtat e njeriut. Një gjë e tillë nënkuptonte se neni rreth bashkëjetesës civile të seksit të njëtë do të ishte sërish në projekt-kodin civil.

“Besoj që shumë shpejt e procedojmë në Kuvendin e Kosovës dhe kësaj radhe do të kalojë në Kuvend, për faktin se është dokument i rëndësishëm. Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime me grupin parlamentar, qeveria jonë dhe grupi parlamentar angazhohen për avancimin e të drejtave të njeriut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e Kodit Civil, besojmë se do të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haxhiu pas mbledhjes së Qeverisë.

Por, në një përgjigje për Nacionale, e që ishte atëbotë kundërpërgjigje për Haxhiun, Eman Rrahmani, deputet i VV-së, deklaronte se do të votonte kundër nëse përmbajtja është e njëjtë.

“Përmbajtja e njëjtë, vota e njëjtë”, ishte përgjigjja e shkurtër e z.Rrahmani katër muaj më parë, i cili herën e parë kishte votuar kundër.

Zonja Haxhiu katër muaj më parë, nuk ishte e sigurt se cili grup brenda VV-së do të votonte pro.

“Kjo bazohet në takimet që kemi pasur me grupin parlamentar. Nuk them që secili prej grupit do të votojë për, ka ende disa që kanë qëndrime dhe bindjet e tyre, por Qeveria dhe grupi parlamentar me shumicë angazhohet për avancimin e të drejtave të njeriut. Për hir të proceseve që kemi apliku, p.sh. aplikimi në Këshillin e Evropës dhe për t’u bërë anëtar, duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Shpresoj ta kemi mbështetjen jo vetëm të grupit parlamentar, por edhe të opozitës", tha ajo.

Rreth mosvotimit të projekt-kodit civil, i zhgënjyer ishte parë edhe Tomas Szunyog, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Ne jemi mjaft të zhgënjyer nga mënyra sesi është trajtuar në tentimin e parë që të kalojë në Parlament, shpresojmë që ky ligj, ky kod të shkojë në Parlament sa më shpejt që është e mundur dhe të diskutohet seriozisht dhe të miratohet. Kodi civil është me siguri pjesa e legjislacionit e detyra me radhë më e rëndësishme pas Kushtetutës, është një tekst që i ka diku 1500 nene të cilat lidhen me të gjitha aktivitetet civile të qytetarëve të shtetit. Kjo i ndryshon çështjet që janë të rëndësishme lidhur me trashëgimin, pronësinë. Unë nuk e kuptoj se pse kjo nuk mund të bëhet dhe të avancohet më shpejt. Mendoj që kjo duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur.” - theksonte ai në tetor të vitit të kaluar.

Historia përsëritet?

Në fakt, ditë më parë brenda grupit parlamentar të VV-së shpërtheu një debat i zjarrtë në lidhje me fertilizimin e asistuar mjekësor. Eman Rrahmani, deputet i VV-së, i doli kundër kësaj nisme, që ishte hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, që udhëhiqet nga Arben Vitia.

“Projektligji prej jo vetëm shëndetin, por edhe parime etike e morale të lidhrua me familjen dhe konceptin e saj…Parimisht mendoj që duhet të rishikohet ky projektligj i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak që cenon familjen, të cilën neve, ose të paktën unë, besoj dhe angazhohem për mbrojtjen e vlerave të saj. Në njërën prej neneve ku sqarohet e drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara.” – vlerësoi deputeti Rrahmani.

“Fëmijve nuk duhet t’ia ndalojmë të kenë babë, nuk besoj që duhet të bëjmë këso lloj krahasime ku e stimulojmë një process të kundërtë të natyrës dhe të asaj që e ka krijuar Zoti” – tha deputeti Rrahmani.

Ndaj këtij fjalimi, reagoi zonja Saranda Bogujevci, e cila e denoncoi karakterin seksist të shoqërisë, duke refuzuar determinimin nga burrat të mënyrës se si jetojnë gratë.

“Kur i rregullojnë gjanat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinu ne si gra se qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë. Diçka që nuk parashihet në pjesën e burrave.” – u shpreh Bogujevci.

Tutje, zonja Bogujevci vlerësoi se ajo ka dashur të bëhet nanë, ndonëse nuk e ka pasur mundësinë të ketë një lidhje.

“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë që unë përderisa nuk e kam pasë mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore apo çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë.” – vazhdoi ajo.

Zonja Bogujevci vazhdoi fjalimin e saj duke thënë se nuk lejon që jeta e saj të determinohet nga një burrë.

“Edhe unë duhna me qenë e limitume në bazë të asaj që e the (e ka fjalën për z. Rrahmani) pse një shoqni mendon se një normë duhet me qenë në një formë të caktume. Edhe përderisa unë kom dashtë me u ba nanë, për mu ka qenë me randësi se çfarë ka ofru shkenca për me ma mundësu qat të drejtë. E jo me ma determinu një burrë. Që unë duhna medoemos me pasë një burrë me të cilin martohem për me pasë mundësinë me u ba nanë.” – shtoi deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme