“U dëmtuam 1,6 milion euro”: Kompania “Rahovica” e padit OShP-në, OShP-ja i mohon akuzat - NACIONALE

“U dëmtuam 1,6 milion euro”: Kompania “Rahovica” e padit OShP-në, OShP-ja i mohon akuzat

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Kompania “Rahovica” po ankohet në lidhje me trajtimin që po ia bënë Organi Shqyrtues i Prokurimit në lidhje me projektet e saj. Madje, së fundmi, kjo kompani e njohur ka ushtruar edhe një kallëzim penal ndaj anëtarëve të këtij organi, duke i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Nga OShP-ja i kanë mohuar akuzat për konflikt interesi, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës ka heshtur në lidhje me kallëzimin penal të ushtruar nga kompania “Rahovica”.

Në një ankesë drejtuar OShP-së, kompania “Rahovica” është ankuar për aktivitetin e prokurimit për “Zgjerimin e rrguës nga ura e Veternikut deri në hyrje të Graçanicës”. Në lidhje me këtë çështja, kjo kompani pretendon se është dëmtuar me mbi 1.6 milionë euro, duke e quajtur vendimin e OShP-s si të “pabazuar”.

Më saktë, kjo kompani ka ushtruar kallëzim penal ndaj Vedat Peterqoit, Isa Hasanit dhe Vjosa Gradina-Mexhuani, anëtarë të OShP-së, ku pretendon se të lartëcekurit kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

“Me dashje kanë përpiluar vendim të këndërligjshëm duke bishtuar përmbajtjen e provës krysore njoftimit nga banka për mbështetje financiare të të dëmtuarit, duke cituar se nuk është deklarata dhe kanë cituar në mënyrë të pavërtetë faktet e çështjes ashtu që kanë nxjerr vendim me të cilin kanë aprovuar pjesëarisht ankesën e të dëmtuarës “Rahovica Comerce sh.p.k.”, në kundërshtim me propozimin e ekspertit të caktuar nga vet të dyshiarit, i cili kishte propozuar që ankesa të aprovohet…dhe me këtë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe nuk kanë kryer detyrën zyrtare me qëllim për të i shkaktuar dëm të dëmtuarës në vlerën monetare një million e gjashtëqind e pesdhjetë mijë euro” – thuhet në hyrje të kallëzimit penal të kompanisë “Rahovica”.

Në kallëzimin penal të tyre, kompania “Rahovica” ka renditur arsyetimin e saj.

Në lidhje me këto akuza, Nacionale ka pyetur edhe OShP-në, të cilët kanë pretenduar se kanë vepruar në bazë të ligjit.

“Duke ju referuar pyetjes suaj, ju informojmë se OSHP zbaton këshillën ligjore në çdo vendim të saj, duke lejuar palën e pakënaqur të drejtohet te gjykata kompetente, pasi udhëzimi për përdorimin e mjetit ligjor është një nga elementet qenësore dhe të domosdoshme të çdo vendimi përfundimtar.

OSHP ju informon se vendimi nr. 2024/0185 është publikuar në faqen zyrtare të institucionit tonë, oshp@rks-gov.net dhe në të njëjtin janë pasqyruar të gjitha faktet, rrethanat dhe provat relevante në dispozicion të shkresave të kësaj lënde, pa nevojë për ti përsëritur sërish të gjitha ato. Sidoqoftë, vendimi në rastin konkret përmban dhe këshillën juridike, sikurse parashihet mes tjerash me paragrafin 3, të nenit 99 të Ligjit të cituar, sipas të cilit, cituar: “Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”” – ka theksuar OShP-ja në një përgjigje për Nacionalen.

Në fakt, kjo kompani ka pretenduar se është dëmtuar edhe përmes një vendimi tjetër të OShP-së, për të cilin i është drejtuar prokurorisë para një viti, ndonëse kjo e fundit deri më tani nuk ka marrë ndonjë hap.

Në lidhje me kallëzimin penal të “Rahovicës”, Nacionale ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të cilët nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Lajme të ngjashme