“Turp, kështu argumenton edhe Serbia”: A rrëshqiti Kurti në diskurs të Beogradit për ‘lëvizje të njëanshme’? - NACIONALE

“Turp, kështu argumenton edhe Serbia”: A rrëshqiti Kurti në diskurs të Beogradit për ‘lëvizje të njëanshme’?

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Me tone të mprehta dje Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, u lëshua në një ekuacion të padëgjuar më parë për atë që rëndom Kosova kritikohet për “lëvizje të njëanshme” në veri të Kosovës nga QUINT-i, e në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian: duke qenë se në ato zona ka hisedarë ndërkombëtarë të sigurisë: NATO-ja.

Ndonëse në linjë e kishte Serbinë dhe çka Beogradi pretendon mbi Kosovën, Kurti iu drejtua partisë së vet kështu:

Ata që ankohen për veprimet tona unilaterale, janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë, janë duke u ankuar pse fituam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë duke u ankuar pse përfundoi mbikëqyrja e pavarësisë”.

Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja. Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë, ndoshta. Kosova mund të ketë pasë nevojë për ndihmë të parë në pranverën dhe verën e vitit 1999. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku sundimi i ligjit vjen si detyrë direkte nga sovraniteti i shtetit”.

Gazetari Lirim Mehmetaj reagoi se barazimi i shpalljes së pavarësisë si çështje e njëanshme është diskurs i Serbisë; ndërsa shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë proces i bashkërenduar me aleatët.

Vec Albin Kurti edhe Serbia mendojne qe pavaresia e Kosoves ka qene nje levizje e njeanshme e Kosoves. Ne shqiptaret, populli i Kosoves, e dijme qe pavaresia e Kosoves ka qene nje proces i kordinuar dhe bashkerenduar me aleatet. Ka qene nje moment i mireorganizuar me Shtetet e Bashkuara te Amerikes e shtetet tjera mike”, shkroi Mehmetaj.

Neve, shqiptareve, na ka ndihmuar bota demokratike te pavaresohemi dhe levizjet kane qene te perbashketa. Argumenti i Serbise ka qene se po veprojme njeanshem. Tash kete qendrim e paska edhe kryeministri i Kosoves. Turp. Turp. Turp”, shkroi ai.

Tash e gati dy vite Kosova qortohet me të madhe në veprimet e saj në veri të Kosovës, e cila frazohet ndërkombëtarisht si “lëvizje të njëanshme”; ndërsa Kurti e dha të përgjithësuar si “ata që ankohen për veprime tona unilaterale janë duke u ankuar pse kemi shpallur pavarësinë”.

Pjesa e plotë e fjalimit të Kurtit:

Tash, Serbia ankohet që Kosova po bën veprime unilaterale. Në fakt, ajo vetëm po ankohet për qëndrimin e saj: mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Ankesa është përsëritje. E akt bilateral do të ishte pikërisht nënshkrimi i përbashkët i Marrëveshjes Bazike me Aneks të Implementimit për normalizim të marrëdhënieve. Pikërisht duke e nënshkruar marrëveshjen bëjmë gjëra bilaterale. Ndërkaq, gjërat e brendshme të Kosovës, sikurse shpallja e pavarësisë së Kosovës, padyshim që janë çështje të Kosovës. Ata që ankohen për veprimet tona unilaterale, janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë, janë duke u ankuar pse fituam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë duke u ankuar pse përfundoi mbikëqyrja e pavarësisë.

Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja. Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë, ndoshta. Kosova mund të ketë pasë nevojë për ndihmë të parë në pranverën dhe verën e vitit 1999. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku sundimi i ligjit vjen si detyrë direkte nga sovraniteti i shtetit. E këtë sundim të ligjit ne nuk e kemi përdorur në kurriz të të drejtave, për shkak se ligji është i drejtë dhe për shkak se shteti është demokratik; dhe pikërisht pse ligji i drejtë ai ka respektuar të drejtat edhe të serbëve, sidomos të serbëve, por është rritur nervoza në Beograd dhe agresiviteti ndaj vendit. Sulmet që na bëjnë janë dëshmi jo vetëm e drejtësisë tonë por edhe e sukseseve tona.

Lajme të ngjashme