Trump, Gjykata Speciale, zgjidhja Kosovë-Serbi | Intervistë me Nevenka Tromp - NACIONALE

Trump, Gjykata Speciale, zgjidhja Kosovë-Serbi | Intervistë me Nevenka Tromp

3 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpi të Bardhë “do ta lirojmë Hashim Thaçin nga burgu”.

Është kjo një nga zotimet prej më tonikeve të Richard Grenell – njeriu arçetip i Donald Trump – që ka rezonuar me të madhe në atmosferën publike kosovare.

Tash pretendenti më i madh për postin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare – ose, atë të Sekretarit të Shtetit – Grenell e quante “të papranueshme këtë çfarë po bëjnë evropianët”.

Për më tepër, kryeakuzuesi i krerëve të UÇK-së është Jack Smith: personi që ka përndjekur Donald Trump-in; dhe një nga personazhet më të urryer ndër republikanët.

Por, sa ka gjasë që të jetësohet ajo çfarë Richard Grenell e jepte për punë të kryer, i.e, lirimin e Hashim Thaçit thjesht-ashtu?

Për eksperten ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, ka gjëra që Trump “do të mund të” bënte vis-a-vis Gjykatës Speciale, e në veçanti në atë se adversari kyç i tij, Jack Smith, ka qenë akuzuesi i Thaçit dhe të tjerëve.

Në rend të parë, rikujton ajo në një bisedë me ‘Nacionale’, në rastin e një gjykateje “ad hoc” ndërkombëtare siç është Gjykata Speciale, shtetet që paguajnë shpenzimet e saj janë palët “që kanë pushtetin real”.

Kur jemi te Dhomat e Specializuara të Kosovës, mendoj se përvoja e tij personale me sistemin ligjor në ShBA këto vitet e fundit e kanë bërë atë fort armiqësor ndaj çfarëdo gjykateje që ai s’e ka nën kontroll”, thotë fillimisht ajo.

Nevenka Tromp kthehet në kohë të kujtojë se kjo Gjykatë Speciale u formua “me rolin aktiv dhe kyç në proces nga Administra e Barack Obama dhe Hillary Clinton si Sekretareshë Shteti”.

Por, çka do të mund të – hipotetikisht – bënte Trump?

Nëse Trump përnjëmend dëshiron që të zhbëjë Gjykatën Spepciale ai së pari do të mund t’ia këpuste/ndalonte mbështetjen financiare dhe të tërheqte stafin amerikan nga Gjykata Speciale”, tha Nevenka Tromp për ‘Nacionale’.

Pushteti real i kësaj gjykate – thotë ajo – është te paguesit e parave për funksionimin e saj.

Në këtë peisazh drejtësie penale ndërkombëtare ‘ad hoc’, palët që paguajnë shpenzimet e gjykatës kanë pushtetin real. Në këtë rast, shtetet anëtare të BE-së si Norvegjia, Zvicra, Kanadaja dhe ShBA-së, ose edhe Komisioni Evropian”.

Duke shtjelluar më tej mundësinë e angazhimit të ShBA-së për zhbërje të kësaj gjykate, Tromp thotë se presidenti-në-ardhje amerikan, Donald Trump, nuk do ta bënte i udhëzuar nga ndonjë sens-drejtësie, por si demonstrim pushteti ndaj evropianëve.

Por. edhe si “appeasment” (i.e tërheqje ngavetja) për Kosovën në çështje të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë (zhbërjen) Trump s’do ta bënte me ndonjëfarë ndjenje drejtësie ndaj të paraburgosurve të Kosovës, por do ta përdorte si demonstrim pushteti kundrejt BE-së dhe si një monedhë pazari – si një akt ‘të tërheqjes së Kosovës nga vetja’ në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Tromp.

Trump, Kosova dhe Serbia, frikat për “korrigjim të kufijve”

Ardhjen e Trump në krye të superfuqisë më të madhe botërore, ekspertja nga Universiteti i Amsterdamit, nuk e sheh për omen të mirë.

Shtetet si Hungaria dhe Serbia, na thotë ajo, i kanë sytë nga Donald Trump “me pritshmëritë që administrata Trump t’ua legjitimojë ideologjitë shtetërore nacionaliste me stil autoktratik të udhëheqjes”.

Nevenka Tromp s’e ka të qartë se nga do të peshojë perspektiva me Donald Trump. Zgjidhje me kufij aktualë? Zgjidhje me ndryshim të kufijve? S’dihet dhe vështirë të thuhet.

Nëse administrata e Trump i qasjet kësaj si ‘ujdi në pako’ – duhet të reflektojë mbi modaletet e të drejtës publike ndërkombëtare. Kur u shpërbë Jugosllavia në të nëntëdhjetat, u bë simbas parimit ‘uti posidetis’. Kjo do të thotë që kufijt mbeten ‘si më parë’. I njëjti parim u aplikua për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik”.

Çka ne shohim është që Serbia kurrë s’e ka pranuar këtë parim ndaj Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës. Rusia po ashtu e ka refuzuar ‘uti posidetis’-in kur e aneksoi njëanshëm Krimenë dhe me këtë që tash po bën në rajonin e Donbasit në Ukrainë”.

Nëse Trump i qaset Rusisë post-komuniste dhe Serbisë ‘duke i tërhequr nga vetja’ duke u dhënë territor që u përket shteteve fqinje atëherë do të thyejë parimin ‘uti posidetis’”, thotë mes tjerash ajo.

Në dritën e kësaj qasjeje, ajo sheh inkurajum të shteteve për të rivizituar kufijt e tyre të pas-Luftës së Ftohtë: e kjo do të përkthehej në “destabilitete të reja e madje edhe në konflikte të hapura të armatosura”.

Duke dëgjuar çfarë ka thënë Trump gjatë fushatës zgjedhore dhe duke lexuar analiza të eskpertëve është vështirë të parashikohet se cilat premtime zgjedhore t’i përmbush. Trump ka dëshmuar të jetë një autokrat i interesuar veçse në veten e vet dhe duhet dyshuar se ai ka ardhur për të zgjidhur problemet që ka premtuar t’i zgjidhë”, tha ajo.

Më shumë ka të ngjarë që të eksploatojë çështjet politike për interesa vetanake dhe në interes të oligarëve përreth vetes, siç është Elon Musk. Që nga 2016, praktikat e Trump kanë çuar në normalizim të abuzimieve të detyrave zyrtare për përfitime personale dhe biznesore. Dhe, nuk kemi arsye të besojmë se kësaj here do të jetë ndryshe”, përfundon ajo.

Lajme të ngjashme