Trashet pikëpyetja për heqjen e sanksioneve, BE-ja “po e përfshinë si përshkallëzim" mbylljen e zyreve bankare serbe
Kosova me ç’duket nuk do ta shkund pluhurin e sanksioneve nga këmbët në një të ardhme të afërt. Pikëpyetja e (mos)heqjes së masave ndëshkuese (fjalë e përdorur si përzbutje për ‘sanksione’) veçse u trash edhe më tej në konferencën për media të përditshme të Peter Stanos, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Se a do të hiqen masat ose jo kjo do të gjejë epilog në një raport që pritet të hartohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në linjë me disa prej konkluzioneve të KE-së të miratuara në dhjetor të vitit të kaluar.
Masat ndëshkuese, tha Stano, qysh në rend të parë qenë vendosur “për të motivuar” qeverinë kosovare “që të depërshkallëzojë situatën”; ndërsa aksionet e fundit policore në veri me mbylljen e disa degëve të zyrave bankare serbe tha se “kanë ndikuar negativisht” në këtë drejtim; për çka edhe shtoi se “po përfshihen në tekstin e raportit (të Borrell)”.
“Po, sigurisht (që kanë ndikuar). Sepse masat ishin vendosur si përgjigje ndaj hapave të njëanshëm dhe të pabashkërenduar që çonin në përshkallëzime të mëtejme dhe s’i ndihmonin de-përshkallëzimit; dhe ato qenë vendosur me qëllimin për të motivuar autoritetet kosovare për të de-përshkallëzuar situatën. Dhe, sigurisht, krejt kjo çfarë po ndodh në terren që ka ndikim negativ në përpjekjet që duhet të çojnë depërshkallëzim po shikohet dhe po përfshihet në raport”, ka thënë Peter Stano.
Ditëve të fundit në një intervistë me ambasadorin evropian në Prishtinë, Thomas Szunyog, e pyetëm se “a je optimist?” se masat do të hiqen së shpejti, por as ai s’mundi të thotë asgjë me siguri; përveç se iu kthye origjinës së vendosjes së tyre dhe kërkesave të shtruara nga unioni njëzet e shtatë shtetësh më 3 qershor 2023.
“BE-ja ka bërë kërkesa specifike ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 dhe ato i janë komunikuar në mënyrë të qartë dhe të përsëritshme palës së Kosovës”, tha ai për Nacionale.
“Në shtator 2023, të gjitha shtetet anëtare të BE-së potencuan se BE-ja qëndron gati për t’i larguar masat, nëse ka progres në përmbushjen e kërkesave që ekzistojnë. Në konkluzat e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli potencoi që do t’i diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti nga Përfaqësuesi i Lartë në përmbushjen e kërkesave të BE-së. Ky raport do t’i prezantohet Këshillit shpejt. Unë shpresoj që do të jemi në gjendje ta fokusojmë vëmendjen tonë në reformat që janë kritike për ta afruar Kosovën te BE-ja dhe janë në interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës”.
Kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës pretendon (duke e marrë të mirëqenë) se duke qenë se kanë ofruar referendumin në veri për largim të kryetarëve shqiptarë - pavarësisht se është bojkotuar nga ana e komunitetit serb - janë përmbushur kushtet e caktuara nga BE dhe kanë kërkuar të hiqen.
Ambasdori gjerman, Jorn Rohde, muaj më parë çëshjten e heqjes-ose-jo të sanksioneve e lidhte me mospërmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova; e kjo kryesisht në lidhje me mbajtjen me doemos të kryetarëve shqiptarë në veri pa legjitimitet politik lokal.
“Nëse lexoni tekstin të 3 qershorit, aty thuhen dy gjëra: që kryetarët të punojnë nga tjera ndërtesa; gjë që s’ka ndodhur ende. Ka ende njëri që punon në ndërtesën komunale. Dhe kemi punën e zgjedhjeve të reja. Për çfarë unë jam i shqetësuar është që këto masa të BE-së çdo herë e më shumë ndikojnë në ndihmën tonë bilaterale (të Gjermanisë me BE-në); Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj të Kosovës”, na pati thënë Rohde.
“Kemi projektin për grumbullimin e mbeturinave, projektin për ujërat e zeza në Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë. Kemi projekte me KOSTT-in, sepse janë projekte që bashkëfinancohen me ndihmë bilaterale, dhe mjete financiare të BE-së. Nëse BE-ja nuk mund të disbursojë paratë i tërë projekti rrezikohet. Këto janë projekte me vlerë qindra milionë euro. Dua masat të hiqen sa më shpejtë të jetë e mundur, por duhet që Qeveria e Kosovës t’i përmbush kushtet për këtë”.
Nacionale: Por, zoti Bislimi thotë se ka bërë një marrëvshje në Bratisllav me Lajçakut, ndërsa shprehet se kanë përmbushur gjithçka rreth saj?
Rohde: Ju keni parë panumër deklarime nga BE-ja dhe bilateralisht që s’pajtohemi me këto vlerësime (të Qeverisë) dhe thash që një kryetar është ende duke punuar në ndërtesë komunale dhe ai (Lulzim Hetemi) do të mund të punonte përkohësisht diku tjetër, sepse tash ai do të çvotohet, do të ketë referendum. Kosova duhet të ecë para, dhe për sa kohë kjo nuk ndodh, nuk shoh që masat do të hiqen.