Thonë që janë transparentë, por Ministria e Jashtme në mënyrë skandaloze përsëri refuzon publikimin e dokumenteve - NACIONALE

Thonë që janë transparentë, por Ministria e Jashtme në mënyrë skandaloze përsëri refuzon publikimin e dokumenteve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ende s'e ka marrë mësimin. 13 mijë eurot e taksapaguesve kosovarë u 'derdhën' kot nga autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Kjo pasi, javë më parë, MPJD refuzoi të publikonte shpenzimet e Prindon Sadriut.

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e kishte dënuar ministrinë respektive, pasi kjo e fundit s'kishte ofruar qasje në dokumentet publike të shpenzimeve për udhëtime (karburante) të diplomatit dhe bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, gjatë periudhës (shkurt 2019 - shkurt 2022).

Me shumën prej tre mijë eurove, MPJ-ja ishte gjobitur për shkak të moszbatimit të vendimit Nr A-272/2022 për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike, ndërsa 10 mijë euro është gjobitur për moszbatimin e vendimit Nr A-272/2022 dhe për pamundësimin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.

Nacionale ka siguruar vendimin e AIP, ku e obligon MPJD qe t'i ofrojë qasje avokates Nafije Muqaj, perfaqesuese ligjore e diplomatit Viskont Jakupi për një kopje të dokumentit të kërkuar, megjithatë dokumenti nuk i është dhënë, por i është dërguar vetem nje e-mail i shkurtër.

Avazi i njëjtë

Megjithatë, dikasteri që udhëhiqet nga Donika Gërvalla - Schwarz po vazhdon me avazin e njëjtë.

Kjo pasi, në një dokument që e ka siguruar Nacionale, shihet se si MPJD-ja nuk i ka dhënë qasje në dokumente publike një qytetari që kishte kërkuar një gjë të tillë.

Qasja në dokumentet publike garantohet me ligj dhe nëse nuk respektohet, pason dënimi.

Ky qytetar i tha Nacionales se pas mospranimit të një përgjigjeje nga Ministria e Jashtme ishte ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Atje e fitoi rastin, pasi kërkesa e tij ishte legjitime, për më tepër ishte bërë në rrugën e duhur.

Kërkesa kishte të bënte me shpenzimet për qira të ambasadorit aktual në Britaninë e Madhe, Ilir Kapiti.

Megjithatë, kjo kërkesë kishte hasur në vesh të shurdhër. Pasi, në postën elektronike (e-mail) të pranuar shihen veç disa të dhëna protokolare dhe jo nënshkruesi, pra fshihet identiteti i personit që e ka nënshkruar dokumentin në fjalë.

Dhe këto dokumente sigurohen nga Nacionale pikërisht në ditën kur Gërvalla-Schwarz u lavdërua për transparencë para mediave.

Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Gërvalla-Schwarz se qeveria aktuale është më transparentja ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, por që nuk shkoi shumë dhe u desh ta demantojmë sërish.

"Mendoj që kjo është qeveria më transparente ndonjëherë në historinë e re të Republikës së Kosovës, mendoj se kjo qeveri larg së qeni perfekte në punën e saj, ka ofruar qasje qoftë në dokumente publike por qoftë edhe në përgjithësi në informacione që kanë të bëjnë me qeverinë, ka ofruar qasje shumë më të madhe jo vetëm për gazetarë por edhe institucione apo për shoqërinë civile", tha fillimisht ajo.

Tutje, Schwarz pohoi se ajo është e lumtur me faktin se mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për transparencë, duke shtuar se kjo i shërben një demokracie më të fortë në vendin tonë.

"Unë shumë gëzohem që shoqëria civile dhe mediat në Kosovë janë kaq të zëshme në kërkesat e tyre për më shumë transparencë sepse mendoj që kjo i shërben një demokracie më të fortë në Kosovë. Ne kemi nevojë për një transparencë edhe më të lartë edhe pse tregojnë edhe matjet ndërkombëtare që Kosova sa i përket të drejtës së lirisë së mediave ka kërcyer në organizata ndërkombëtare disa vende lart, prandaj larg së qeni perfekt, jemi duke u munduar që të jemi edhe më mirë. Megjithatë të mos harrojmë që kjo është qeveria më transparente që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës".

Lajme të ngjashme