SBAShK-u tërhiqet nga 100 euro, pranon përgjysmimin e tyre me disa kushte shtesë - NACIONALE

SBAShK-u tërhiqet nga 100 euro, pranon përgjysmimin e tyre me disa kushte shtesë

2 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Pas gati një muaj grevë, kryetari i SBASHK-ut, Rahman Jasharaj duket se është tërhequr nga propozimi i tij për 100 euro shtesë për mësimdhënësit.

Në dokumentin që kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj i ka dërguar Avokatit të Popullit, të cilën e ka siguruar Nacionale, ai është tërhequr nga kërkesa paraprake prej 100 eurove.

Në një prononcim për Nacionalen, përfaqësuesi i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, konfirmoi një gjë të tillë.

“Kërkesa jonë është 50 euroshi i ofruar nga qeveria plus 10 për qind ngritje page deri në fund të vitit, ndërsa nga viti i ardhshëm me pasë përsëri rritje të pagës në bazë të inflacionit dhe në bazë të rritjes ekonomike që i bie përafërsisht 20 për qind nga janari me qenë në rritje”, tha Ymeri për Nacionale.com.

Jasharaj tërheqjen e SBAShK-ut nga kërkesa për 100 euro e ka bërë të ditur në letrën që ia ka dorëzuar sot Avokatit të Popullit, të cilën e ka siguruar Nacionale.

Bazuar në dokuemntin e siguruar nga Nacionale, kërkesa për 100 euro shtesa është zëvendësuar nga:

1. Rritja e pagës për 10.45 % aq sa ishte rritja ekonomike;

2.Plotësim ndryshimi i ligjit për skemat pensionale;

3. Deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim ndryshimi i ligjit të sigurimeve shëndetësor.

  1. "Rritja e pagës për 10.45% aq sa ishte rritja ekonomike (BPV) në Kosovë sipas ASK (T1 -4, 12%+T2-16.77+T3- 14.53+T4.36) bazuar në ligjin për menaxhimin e financave publike dhe shtesa prej 50 Euro nga paketa Ekonomike e publikuar nga Qeveria ,e 3 shtator 2022 për periudhën shtator-dhjetor 2022, kurse nga janari 2023 rritja e pagës për aq % sa është rritja ekonomike e vitit 2022 plus shkallën e inflacionit e vitit 2022 bazuar në kontratën kolektive SBASHK-MASHT (neni 35 paragrafi 10). Të merren parasysh vërejtjet e arsyetura të SBASHK-ut të dhëna gjatë diskutimit publik për ligjin e pagave si dhe për ligjin e zyrtarëve publik."
  2. "Plotësim ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nnr.04L 131, sidomos të ndryshohet ose fshihet në tërësi neni 8, pragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e Sigurimeve Pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që ti ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 01.01.1999, deri në fund të nëntorit 2022."
  3. "Deri në fund t vitit 2022 të miratohet plotësim ndryshimi i ligjit të sigurimeve shëndetësore ose në të kundërtën të fillon zbatimi i ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2022."

Megjithatë, kreu i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj ka thënë se nuk janë afër marrëveshjes dhe se nuk janë tërhequr në disa nga kërkesat e tyre.

Sipas tij, ata kanë ndryshuar konceptin e kërkesës, duke lënë ato që u ka ofruar Kurti, pra 50 euro, por tri kushte shtesë që duket të jenë kruciale për sindikalistët.

Tutje, Jasharaj, në një prononcim për Nacionalen shtoi se Avokati ka gjetur disa pika kritike (duke aluduar në faktin se greva po dëmton nxënësit), por konfirmoi se nga ora 20:00 janë në një takim me degët e sindikatave dhe të universiteteve.

"I pashë lajmet. Avokati është duke bërë një lojë. E vërteta është se SBAShK-u nuk është tërhequr nga kërkesa, jo veëtm 100 po edhe nga kërkesat tjera. Avokati edhe dje e tha në mënyrë emocione që të martën do të arrihet marrëveshja, gjë që nuk është e vërtetë. Nga ora 20:00 jemi me degët e sindikatave dhe të universiteteve dhe përkundër faktit se është vonë do të dalim me komunikatë nga SBAShK-u ka dërguar një shkresë te Avokati, e cila mund të jetë lexuar gabim, por e vërteta është se karshi 50 eurove është edhe ajo shuma e ngritjes. Nuk jemi tërhequr, por kemi dhënë një version të ri. Ne i kemi dërguar një shkresë Avokatit, por po kritikon kërkesat tona, po insiston në disa pika. Ai ka thënë se të martën do të ketë marrëveshje, por që nuk është e vërtetë.", shtoi Jasharaj për Nacionale.com.

Kujtojmë që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte shpallur grevën të enjten e 25-gushtit për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, kishte deklaruar se greva e nisur do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

“Kërkojmë 100 euro shtesë deri sa të miratohet Ligji për Paga. Më 10 gusht 2022 BSPK-ja mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim të sigurisë të situatës. BSPK-ja përsëri ndoqi të gjitha rrugët ligjore drejt realizimit të kërkesave, por nuk ia doli të ulet me Qeverinë dhe të gjejmë një rrugë të duhur. Prandaj sot dua t’ju informoj se ligji është që na obligon të hyjmë në grevë, mu ky është shkaku që sot po e shpallim grevën e përgjithshme për shkak të mos-realizimit të kërkesave.”

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte hedhur një mori akuzash në drejtim të SBAShK-ut, duke e akuzuar për rrënim të shtetit e shantazhim të Qeverisë.

Në një Kosovë ku testet e PISA-s po naj nxjerrin 3/4 e fëmijve si analfabetë funksionalë, ta shantazhosh, ta kërcënosh qeverinë, me rrënim të shtetit se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi.”, deklaroi Kurti.

Madje ai i kishte vlerësuar kërkesat e SBASHK-ut si absurde e irracionale.

Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara.”, theksonte tutje Kurti.

Lajme të ngjashme