Tash jemi elektorat, të reduktuar në qytetarë-votë | Intervistë me Dukagjin Goranin - NACIONALE

Tash jemi elektorat, të reduktuar në qytetarë-votë | Intervistë me Dukagjin Goranin

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Ndoshta nuk është aq shumë çështje kure se sa është çështje diagnoze.

Dukagjin Gorani – i cili më shumë se gjithçka tjetër e ka trupëzuar rolin e intelektualit publik mbi çështjet politike në vend – e pati goditur thelbin e thelbeve gjatë këtij viti kur në “Pressing” të T7 pati konstatuar se “për një kohë të gjatë kemi pushuar së qenuri shoqëri” dhe se “tash jemi elektorat”.

Kjo fjali – në kontekstin mbi të cilin e kishte konstatuar – thjesht të tingëllonte euklidiane përnga vërtetësia vetëevediente; sikur të thoje “tërësia është më e madhe se pjesët”. Validiteti i saj qëndronte thjesht “a priori” pa nevojë t’ia bësh as provën e as ta hedhësh në përvojë për verifikim.

Por, pse? Në lentet e Goranit tashmë kishim të bëjmë me “tifozeri”, me qytetarin “tifoz”, me një shumicë (elektorale) qytetarësh të cilët “(me) përkatësi ia zënë vendin të vërtetës”.

Elektorat jo thjesht në trajta “I elect you / unë të zgjedh ty” si preferencë politike mbi bazën e një oferte zgjedhore me prospekte të realizueshme socio-ekonomike; por një “election” përjashtues ndaj gjithkujt tjetër që s’ka zgjedhur “elect” si ti.

Kjo, për Goranin, ka qenë edhe një gjë që i ka qëndruar pezull gjatë tërë kohës ndërmend.

Në këto ujëra të leximit të shoqërisë kosovare, më poshtë gjeni bisedën me Dukagjin Goranin.

Intervista e plotë:

Nacionale: Gjatë këtij viti një formulim i juaji më ka bërë përshtypje të madhe – se shoqëria kosovare ka pushuar së qenuri shoqëri, por është shndërruar në elektorat. Ju edhe e patët elaboruar se çfarë kuptoni me këtë “shndërrim në elektorat”; por a mund të na thoni “pse” mendoni se është kaluar në këtë gjendje dhe sa janë gjasat për çmagjepsjen shoqërore njëherë e mirë nga politikanët; më konkretisht ndaj organizatës politike “Vetëvendosje” dhe kryetarit të saj, i cili i noton më së mirë këto dallgë; që mund të themi edhe se i krijon vetë?

Gorani: Ndjenja e komunitetit mirëmbahet përmes vlerave të përbashkëta, apo jo? Shoqëria është vetëm fjalë tjetër për solidaritet, përkatësi dhe besim të ndërsjellë. Në rastin tonë, tradicionalisht, këto sentimente janë mirëmbajtur në nivel familjar, farefisnor dhe rajonal. Me themelim të shtetit këto sentimente ka qenë dashur të ngriten në nivel nacional, përmes procesit të institucionalizimit. Ç’është tjetër shteti, nëse jo formalizim juridiko-politiko-territorial i këtyre sentimenteve?

Mirëpo, diçka ndodhi gjatë procesit të ‘shtetëzimit’ të këtyre sentimenteve, një anomali të cilën s’e prisja, e që ndërlidhet me kohën dhe mënyrën e krijimit të shtetit – dhe e cila vetëm sa e thelloi përjetimin e reduktuar e malicioz të shoqërisë. Bëhet fjalë për insistimin e vazhdueshëm që shteti i Kosovës të interpretohet arritje partiake dhe grupore – assesi kolektive, gjithë-shoqërore e kombëtare. Sot e kësaj dite vazhdon beteja mbi pronësinë partiake të shtetit i cili ishte dashtë të jetë i të gjithëve. Shembull, për LDK-në, shteti është mishërim i përpjekjeve të Ibrahim Rugovës; PDK insiston se shteti është meritë e UÇK-së dhe Hashim Thaçit; tevona, Vetevendosje mundohet të na bindë se shteti i ‘republikës së tretë’ është meritë dhe pronë e Albin Kurtit. Shkurt, në diskutimet tona, qoftë publike apo private, kategoritë e projektuara të përbashkëta dhe mbarë-shoqërore rregullisht reduktohen në çështje grupore dhe partiake.

Keni parasysh, lindja e shtetit e parakupton një formë të ‘vdekjes’ së shoqërisë së mëhershme. Shteti është një super-strukturë që synon t’i mbivendoset dhe t’i asimilojë aspektet provinciale dhe partikulariste të shoqërisë. Në vete, shteti është konstrukt modern andaj insiston në zhbërjen e shoqërisë zakonore dhe para-moderne, duke e rimenduar atë brenda parametrave modernë (i.e. kushtetuta, kuvendi, ligjet, qeverisja, etj). Fati i shteteve është i tillë që ato mund të jenë ose moderne ose nuk mund të ekzistojnë fare. Nuk mund të ketë shtet primitiv, provincial apo të lashtë. Aq më pak mund të ketë shtet që ka titullar specifik historik – ndonjë individ, lëvizje ose parti politike. Kjo që bëjmë është një prej marrëzive më të mëdha dhe të dëmshme, e të cilën vazhdojmë ta zbatojmë çdo ditë, pambarimsht. Të gjithë pa dallim refuzojmë ta pranojmë gjendjen e përbashkësisë meqë kemi frikë se brenda saj nuk mund të veçohemi. Kësisoj, nuk jemi shoqëri e bindjeve por e liderëve; nuk jemi kulturë e ushtarëve por e luftëtarëve. Jemi shtet i bajraktarisë, e që në vete paraqet një frazë dhe gjendje absurde.

Bajraktarllëku nuk prodhon përbashkësi e shoqëri. Një shtet i tillë, absurd, i nënshtron qytetarët brenda istikameve klanore dhe i ‘elektoralizon’ ata. Përkatësia grupit/partisë shndërrohet në karakteristikë supreme identitare, kurse shteti reduktohet në një vegël pushteti që duhet rrëmbyer dhe shpërdorur. Kësisoj, shteti barazohet me pushtet dhe prej këtu prodhohen edhe qyftet kuptimore si ‘shteti i Albinit’, ‘shteti i Rugovës’, ‘shteti i Hashimit’, etj.

Nuk mendoj se mund të ç’magjepsemi – siç e thuani – nga varësia prej bajraktarllëkut dhe liderizmit primitiv. Kjo, për faktin se shteti që themeluam nuk arriti ta prodhojë individin-qytetar i cili tutje do ta prodhonte shoqërinë përmes pjesëmarrrjes së lirë në jetën publike. Përkundrazi, shteti i ri u shndërrua në katalist të grupëzimit dhe klanizimit të mëtutjeshëm të individit, duke e pamundësuar kësisoj lindjen e qytetarit modern. Sot, jemi të reduktuar në makina votuese, duke e përjetuar fatin dhe mirëqenien tonë të pashkëputshme nga suksesi apo dështimi i strukturës që e përkrahim dhe prej të cilës fillojmë të varemi. Me kohë, ky obsesion ekzistencial ndaj pushtetit elektoral arriti nivele të paprekura më herët përmes logjikës së Vetëvendosjes dhe Kurtit, kur qytetari-individ përfundimisht u reduktua në qytetarin-votë.

Nacionale: Ka qenë një vit politikisht i rrëmujshëm – kemi parë e dëgjuar gjithçka; më theksueshmi një jerëm të pamëshirshëm popullor nga maji dhe qershori ndaj çdo kritike dhe mospajtimi me kursin që ndjekej në veri të vendit por edhe ndaj aleatëve që s’e miratonin atë kurs. A besoni se shteti kosovar ka pësuar një frakturë (prej kritikave në media ndërkombëtare, hidhërimit të shfaqur publikisht nga aleatët e deri te sanksioni nga ShBA, BE dhe Gjermani) në mirëbesimin dhe mbështetjen e sponzorëve të vet; por edhe në garantimin e sigurisë? Dhe cili është prospekti ynë në raport me finalizimin e shtetit tonë në dritën e këtij acarimi të thellë?

Gorani: Me gjasë, në Ballkan, çdo populli i vijnë ‘pesë minutat’ e tij për t’u përplasë me bashkësinë ndërkombëtare. Tash e kemi radhën ne, shqiptarët e Kosovës, që t’i përdorim të gjitha frazat mallkuese që i dëgjonim me dhjetëra vjet nga të tjerët në fqinjësi, se si Perëndimi është i kalbur, i padrejtë e i pandershëm – dhe se si ne jemi autoktonë, me të drejtë historike, kulturë vitale, rini të shëndoshë, etj, etj. Si thonë, ‘kush e qeshë, e veshë’.

Sot, këto fraza janë pjesë e arsenalit diskursiv të pushtetit aktual dhe të strukturave të tij në shoqëri. Artikulimi i tyre vetëm sa e shpërfaq shkallën zhvillimore të këtyre strukturave, e të cilat vetëm sa e thellojnë tutje refuzimin tradicional të transformimit të mendësisë ideologjike, të logjikës qeverisëse dhe të kulturës politike të shtetit. Përgjithësisht, në Ballkan, Perëndimi konsiderohet i dobishëm përderisa nuk prekë në botëkuptimet lokale e provinciale mbi përkatësinë, grupin, traditat provinciale dhe mitet identitare. Pastaj konsiderohet sorosist, masonik, satanist dhe financues i fqinjit armik.

Mendoj se, prej së jashtmi, shteti i Kosovës dhe qeveria e tij përjetohet si një problem i mërzitshëm i shkaktuar nga një shoqëri e paaftë për ta kuptuar bashkëkohësinë. Nuk është gjë e re kjo për një shtet ballkanik, mirëpo pritjet kanë qenë tjetërfare gjatë procesit të themelimit të tij. Edhe trajtimi që na bëhet është ai që e kemi parë gjatë dekadave nëpër fqinjësi: qortime, sanksione, kufizime dhe insistime kokëforta në reformë të pushtetit dhe të shoqërisë. Mes tjerash, ngjarjet që përmendni, të këtij viti, i dhanë fund percepcioneve (edhe ashtu në zbehje) për Kosovën si një viktimë historike. Sot, ne trajtohemi si një akter i papërgjegjshëm ballkanik me potencial të përkeqësimit të sigurisë rajonale. Nëse misioni i NATO/KFOR u themelua për ta mbrojtur Kosovën nga fqinjësia, nesër ai ka gjasa të vazhdojë për ta mbrojtur fqinjësinë prej neve – kaq thjeshtë shihet kjo punë prej së jashtmi. Kosova nuk shihet ndaras prej Ballkanit dhe zhvillimeve të tij, e as që ka ndonjë status të veçantë të aleatit apo të mikut politik. Deri dje u ndihmuam meqë përkufizoheshim çështje humanitare, por sot jo. Kosova shihet vetëm si nje copë e vogël e mozaikut ballkanik i cili përmes bashkëpunimeve politike dhe ekonomike duhet të kualifikohet për integrim në BE. Këto që po i them janë fraza të mërzitshme që i dëgjojmë çdo ditë, mirëpo kushdo që mendon se bëhet fjalë për diçka tjetër – diçka me të thellë, më të veçantë dhe më dramatike – ka përjetim të shtrembëruar mbi madhësinë e vet dhe rëndësinë tonë.

Ky proces politik për një bashkërendim gjithë-ballkanik do të vazhdojë monotonisht, me përshpejtime dha ngadalësime varësisht nga rrethanat. Për mikrokozmën tonë politike procesi politik me Serbinë përjetohet si çështje epike e historike; për BE-në dhe diplomacinë perëndimore përjetohet si vend pune dhe mandat byrokratik. S’do mend, integrimi në bashkësinë politike perëndimore e nënkupton një proces të ‘disciplinimit dhe normalizimit’, e që shpesh, lokalisht, përjetohet si dhunë strukturore. Mirëpo, nuk ekziston mënyrë tjetër e përfshirjes në struktura të mëdha ndërshtetërore e ndërkombëtare. Në kontekstin e BE-së, këtë proces e kaluan të gjithë, prej Francës e Gjermanisë e deri te Polonia e Kroacia. Herët a vonë, do ta kalojmë edhe ne e Serbia. Sipas logjikës ndërkombëtare, kjo punë do të ishte mirë të kryhet sa më herët. Me këtë pajtohet edhe logjika ballkanike, edhe pse sipas saj kushdo që rastisë të jetë në pushtet gjatë këtij procesi ‘identitarisht shpërfytyrues’ do të hyn në histori si tradhëtar i kombit. Kësisoj, në Ballkan dhe në Kosovë, politikanët janë radikalisht modernë e pro-evropianë vetëm në opozitë. Me të marrë pushtetin, i bien ndërmend vlerat kombëtare, lashtësia identitare dhe paranojat historike. Saktësisht në këtë fazë është sot edhe Kosova me Albin Kurtin.

Nacionale: Ju kam dëgjuar thuajse gjatë tërë vitit – përtej analizës, më shumë si një intelektual publik – dhe ju, ndryshe nga të tjerët, e keni mirëmbajtur një diskurs esëll përkundër intoksikimit dhe euforisë kolektive ndaj të cilës ishim dëshmitar. Ju jeni fokusuar më shumë në pikturën e përgjithshme se sa në partikularitetet e aty-për-atyshme e të përditshme. A është e vështirë, të themi ashtu kushtimisht, t’i vështrosh ngjarjet i dispasionuar; për të parë, analizuar dhe artikuluar ndodhitë politike dhe shoqërore; dhe pse ju, në analizën tuaj, jeni i tillë?

Gorani: Ende vazhdoj të besoj se suksesi në analizimin e shoqërisë matet me aftësinë e vëzhguesit që të distancohet nga ajo – me aftësinë që veten ta sheh me sy të huaj. Megjithatë, kjo mënyrë e gjykimit tash e sa kohë konsiderohet e vjetëruar dhe e tejkaluar: Përkatësitë po ia zënë vendin të vërtetës. Çdo ditë e më shumë, e vërteta po definohet si produkt i botëkuptimit dhe jo anasjelltas. Dikur, e vërteta i ndryshonte botëkuptimet; sot, ato e disenjojnë të vërtetën. Jo vetëm tek ne por edhe shumëkund në botë, faktet po i nënshtrohen bindjeve – diçka e paparë ç’prej kohës së Descartes-it.

Kështu që, nuk jam i sigurt nëse mënyra ime e analizimit të shoqërisë ka ndonjë vlerë sot. Shumë më bindëse po janë analizimet që nisen prej asaj se ‘si do të duhej të ishte bota’ se sa ato që përpiqen ta shpjegojnë se ‘çfarë është’ ajo. Kjo, për faktin se sot, si kurdoherë më parë, besojmë se bota është vetëm siç e mendojmë ne. Ja një shembull emblematik: sot ka individë dhe grupe në shoqërinë tonë që vërtet besojnë se Albin Kurti dhe qeveria e tij mund të ndikojë në zgjedhjet amerikane, në emërimet e emisarëve të BE-së, në zhvillimet politike në Shqipëri, në pushtetin e Vuçiqit në Serbi, në lëkundjet partiake në Mal të Zi e në zhvillimet zgjedhore në Maqedoninë Veriore. Sado e përçudnuar që mund te duket, kjo formë e ‘analizës’ shoqërore po bëhet gjithnjë më e popullarizuar dhe më e guximshme. Sot, dikotomia e dikurshme ‘mes fakteve dhe normave’ është zvetnuar në përplasje mes fakteve dhe bindjeve. Bindjet individuale/grupore po servohen lehtësisht si surrogat për faktet dhe me kohë po kontrabandohen si fakte. Fascinante, kjo punë.

Nacionale: Çka është interesante në konfrontimet verbale që keni në studio televizve, është njëfarë metode sokratike e “elenchus”-it; ky përmes pyetjeve dhe nënpyetjeve ndaj pohimit të afirmuar nga tjetri, ju arrini t’ia nxirrni supozimet e gabuara të premisuara në atë pohim, duke e bërë bashkëbiseduesin tuaj nganjëherë të duket edhe qesharak pas ekzaminimit që bëni; dhe thjesht mirëmbajtja e atij pozicioni fillestar nga ai/ajo bëhet e pamundur. Nga e keni krijuar këtë metodë kros-ekzaminuese dhe pse është e nevojshme ajo më konkretisht?

Gorani: Sërish, si pjestar i një shkolle që sot shihet si e tejkaluar, procesin dialogjik e ushtroj gati instinktivisht – dhe shpesh ia shoh sherrin, qoftë privatisht, qoftë në publik. Këtë e bëj i nxitur nga parimi se bashkëbiseduesi/kundërshtari duhet që vet të bindet në vërtetësinë ose pavërtetësinë e pohimeve të tij përmes një procesi të diskutimit kritik. Këtu, pyetjet dhe nënpyetjet i shoh si sfida kuptimore që synojnë ta shpërfaqin qëndrueshmërinë logjike të pohimeve të bashkëbiseduesit.

Mirëpo, sot, një proces i tillë, kritik e dialogjik, po përjetohet ofendues dhe arrogant. Sot pothuaj nuk ke fare të drejtë që përmes pyetjeve ta sfidosh vërtetësinë e pohimeve të dikujt. Madje, reagimi që shpesh e marr nga kjo përpjekje është, mendoj, karakteristik për shoqërinë tonë: ‘nuk jam në gjyq këtu!’, ose ‘nuk lejoj të merrem në pyetje kësisoj, si para policit!, ose ‘është punë jotja nëse nuk më beson, nuk e kam ndërmend të arsyetohem!’

Mendoj se reagimet e tilla flasin për një logjikë shoqërore e kulturore gjithnjë në rritje të padiskutueshmërisë së bindjeve, të rigjiditetit në gjykim e vlerësim si dhe në mosgatishmëri për ndryshim të mendimit. Qëndrueshmëria logjike, lineariteti i mendimeve, sinkronizimi kuptimor dhe temporal i pohimeve – këto sot konsiderohen vetëm barrë e panevojshme mendore, e me raste edhe kufizim i lirise së shprehjes :) Shkurt, sot bashkëbiseduesi kërkon që t’i lejohet shkarja logjike dhe t’i respektohet disonanca kognitive. Sot, njerëzit të dëftojnë me krenari se nuk e thonë atë që e mendojnë dhe se nuk e zbatojnë atë që e thonë. Dikur, një gjendje e tillë arsyetohej si pasojë e ndonjë persekutimi, qoftë nga familja, shoqëria apo shteti. Sot, kjo prezantohet si çështje vullneti, si ndërmarrje e vetëdijshme – madje, si strategji e komunikimit dhe politikë identitare.

E pranoj, është kjo një botë shoqërore që më huton vazhdimisht, një dimension epistemologjik ku ndjehem i huaj dhe i paaftë ta kuptoj. Mirëpo, është po ashtu edhe reale: sot mund të jesh njëkohësisht liberal dhe patriarkal, njëkohësisht demokrat dhe nacionalist, njëkohësisht sekular dhe fetar, njëkohësisht pro-evropian dhe provincial – njëkohësisht mesjetar dhe modern. Në një ambient të tillë, mendimi kritik – e që nënkupton të drejtën në testim dhe kontestim të autoritetit – konsiderohet kryekëput akt armiqësor.

Nacionale: A mendoni – dhe nëse po, kur? – se shoqëria kosovare do të pësojë një transformim pozitiv socio-politik; kur më do të ketë pjekuri mjaftueshme për të mos rënë pre e karremeve populliste; dhe do të jetë mjaftueshëm solide që shteti ose politika të mos jetë alfa dhe omega në vetëdijen e njerëzve?

Gorani: Më nuk besoj në këtë. U dëshmuam se jo vetëm që jemi shoqëri e vogël, por edhe që parapëlqejmë të mendojmë si shoqëri e vogël e cila nuk e matë veten me botën por vetëm me njëri-tjetrin. Gjatë këtij çerekshekulli të lirisë e dëshmuam se nuk mund të prodhojmë ndjenjë të centralitetit, të një mëvetësie kulturore të aftë të krijojë produkte komplementare me bashkëkohësinë globale. Nuk po dalim dot nga shkarjet e disonancat kognitive meqë zbatimin e vlerave të importuara të bashkëkohësisë – prej teknologjive të reja e deri te produktet kulturore apo etika globale – përpiqemi ta bëjmë brenda kontekstit lokal e paramodern. Shkurt, sot e aktrojmë bashkëkohësinë vetëm në dukje dhe nivel performativ derisa nuk e hapim gojën t’i artikulojmë bindjet e botëkuptimet tona. Aty fillojnë shkarjet logjike dhe bezdia kuptimore.

Gjendja në të cilën jemi nuk është vetëm pasojë e kufizimit të lirisë së lëvizjes, edhe pse mendoj se izolimi ishte ndër fatkeqësitë më të mëdha të pasluftës. Palëvizshmëria individuale e kolektive e ndihmoi tejmase procesin e provincializimit dhe primitivizimit të shoqërisë dhe të jetës publike. Sot jemi aq shumë të shkëputur nga bota e jashtme saqë kemi prodhuar një mori frikash, paragjykimesh e mosbesimesh ndaj saj. Mbase, ngushëllim të vetëm mund ta kemi bindjen gjithnjë në rritje se, megjithatë, bota s’mund të jetë tjetër veçse ashtu siç e mendojmë dhe se, rrjedhimisht, varet prej nesh dhe do të detyrohet t’i përshtatet botëkuptimeve tona./Nacionale/

Lajme të ngjashme