Targat dhe letërnjoftimet lëshohen nga të njëjtat institucione në Serbi: Pse Qeveria Kurti i trajton ndryshe? - NACIONALE

Targat dhe letërnjoftimet lëshohen nga të njëjtat institucione në Serbi: Pse Qeveria Kurti i trajton ndryshe?

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Qeveria e Kosovës po synon që, në kundërshtim me kërkesën e ShBA-së dhe BE-së, ta zbatojë vendimin për targat nga 1 nëntori. Sidoqoftë, ekzekutivit nuk po i bëjnë përshtypje letërnjoftimet për qytetarët serbë, të cilat lëshohen nga të njëjtat zyra. Ndonëse këto letërnjoftime e trajtojnë Kosovën si pjesë të Serbisë, institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë në plan të ndërmarrin ndonjë veprim për t’i ndaluar ato.

Këto karta identiteti, që lëshohen në institucionet serbe, me adresa të vendbanimit në Kosovë, po konsiderohen si cenim i sovranitetit të Kosovës.

Ndërkohë njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se nuk e kuptojnë insistimin e Qeverisë për çështjen e targave, kur ajo kishte lëshuar pe sa u përket çështjes së dokumenteve të udhëtimit.

Dokumentet e tilla në mënyrë të heshtur janë pranuar me marrëveshjen gojore për lëvizjen e lirë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cila është arritur para dy muajve.

Zyrtarët qeveritarë të Kosovës asnjëherë nuk kanë folur publikisht për këtë çështje, ndërsa ata serbë kanë treguar se në bisedimet mes dy shteteve është arritur legalizimi i këtyre dokumenteve.

Kur është pyetur për këtë çështje, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte thënë se nuk është diskutuar kjo temë.

“Kjo nuk ka qenë çështje diskutimi fare. Nuk është ngritur fare. Ne, për çfarë kemi diskutuar, vendimi ka qenë për heqjen e fletë-hyrje-daljeve, ajo është arritur dhe tash do të ballafaqohemi me sfida tjera. Ne tërë kohën kemi deklaruar se reciprociteti është një çështje që do të shkojë hap pas hapi”, kishte deklaruar Sveçla, kur kishte dalë në Bërnjak për ta parë zbatim e marrëveshjes gojore për reciprocitet në letërnjoftime.

Pse targat po e letërnjoftimet jo?

Njohësit e procesit të dialogut Kosovë - Serbi kanë thënë se Kosova duhet të këtë kujdes me zbatimin e vendimit për targat ilegale serbe.

Ata kanë thënë se ky vendim duhet të zbatohet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se Qeveria mund të tërhiqet nga pretendimi për ta zbatuar këtë vendim.

Qeveri nuk do ta zbatojë vendimin për targat pas 31 tetorit, për shkak se është duke i kuptuar konsekuencat që mund t`i sjellë një vendim i tillë, pra mund të prodhojë një rezultat shumë negativ, jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, por për terë territorin e Kosovës. Dhe duke e ditur këtë gjë, mendoj që argumenti i tyre do të jetë që për shkak të kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, qeveria do ta shtyjë edhe për një kohë, ndoshta edhe afat të pacaktuar apo për ndonjë afat më të gjatë, çështjen e targave”, ka thënë Arifi.

Ai ka bërë me dije se pretendimi i Qeverisë për ta zbatuar vendimin për targat, nuk e nxjerr mirë atë para bashkësisë ndërkombëtare.

Është e vërtetë që letërnjoftimet ilegale, që lëshohen në Serbi, ato qarkullojnë edhe në Kosovë. Jo vetëm kjo, por edhe shumë gjera tjera e zbehin besueshmërinë e Kosovës si shtet edhe karshi partnerëve ndërkombëtarë, sepse me njërën çështje dëshirojnë të tregohen patriotë populistë, por, në anën tjetër, pikën tjetër nuk e zbatojnë fare, apo nuk ka interesim për ta zbatuar. Kjo është vepër penale, sepse falsifikohet një dokument apo krijohet një identitet i dyfishtë i një personi, apo lëshohet një dokument nga një shtet tjetër për një vend krejt tjetër”, ka deklaruar Arifi, duke shtuar se Kosova duhet ta zbatojë reciprocitetin në plotësi.

Edhe analisti Gazmir Raci ka thënë se vendimi për targat duhet të zbatohet në koordinim me partnerët.

Marrëveshja për targat duhet të zbatohet në koordinim me faktorin ndërkombëtar për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike në të cilat po jetojmë si pasojë e invazionit rus në Ukrainë. Letërnjoftimet ilegale po ashtu Serbia duhet t`i ndalojë së lëshuari për qytetarët rezident serbë të Kosovës, së bashku me targat e regjimit te Millosheviqit”, ka thanë Raci për gazetën Nacionale.

Kurse analisti Dardan Gashi ka thënë se Qeveria Kurti duhet të tregojë para publikut se pse e ka lejuar përdorimin e kartave të identitetit.

Janë dokumente zyrtare që po i lëshon Republika e Serbisë në emër të sovranitetit të Kosovës, ashtu siç po i lëshon tabelat. Qeveria Kurti së pari duhet të na sqarojë neve qytetarëve, që po do me na shti në telashe me Amerikën dhe gjithë botën, pse i ka pranu qeto (letërnjoftime)”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, nuk ka logjikë që të kërkohet ndalja e targave dhe të lejohet përdorimi i letërnjoftimeve.

Unë po e adresoj pyetjen te opinioni dhe kryeministri, se pse njëra bën e tjera nuk bën, kur, në esencë, është seni i njëjtë. Në esencë, juridikisht, praktikisht, politikisht, është gjëja e njëjtë, identike. Pra këta janë tu mashtruar prapë dhe tu nxjerrë probleme ku nuk ka, sepse nëse nuk ka pasë problem me letërnjoftime, nuk ish dashtë me pasë as për targa, nëse ka problem me letërnjoftime, ka edhe me targa. Nuk mundet njëra me qenë problem dhe tjetra jo. Kjo është teke e Albinit, qysh të i teket atij. Pra është një tentativë e krijimit të opinioneve, e krizave në këtë vend, që po i vyejnë. Për çka po i vyejnë, e di ai”, ka thënë Gashi.

Institucionet të pavendosura

Derisa 31 tetori po ofron, presioni i ndërkombëtareve po rritet ndaj institucioneve të Kosovës për shtyrje të zbatimit të vendimit për regjistrimin e automjeteve me targa serbe në “RKS”.

Një ditë me parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova një herë e ka shtyrë këtë vendim.

Ne tashmë kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor, është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori, kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, sot presidentja Vjosa Osmani ka mohuar ta quaj presion kërkesën e partnerëve për shtyrje. Ajo ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Pra, ne duhet të ulemi dhe ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe respektohen obligimet ligjore e kushtetuese që i kemi ne, e në anën tjetër, të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë ndihen të mbrojtur e mbi të gjitha i mbrojmë mbi kërcënimet e vazhdueshme që po ua bëjnë bandat kriminale serbe. Besoj se do të gjendet një zgjidhje përpara që edhe do t’i mbrojë serbët, por edhe do të respektohet afati” ka deklaruar Osmani.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, përfaqësuesi i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj.

Ai ka bërë me dije se kjo “është kërkesë personale e Sekretarit Blinken”.

Escobar ka përsëritur kërkesën amerikane të muajit shtator, pra para dy muajve, kur ishte kërkuar shtyrja e afatit për dymbëdhjetë muaj (një vit).

Shtyrjen e vendimit për targat e kanë kërkuar edhe BE-ja dhe vende e QUINT-it.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, deri me 31 tetor qytetarët serbë duhet që tabelat me akronime të qyteteve të Kosovës (KM, PR, PZ) t`i regjistrojnë në “RKS”. Për ta bërë një gjë të tillë, Qeveria e Kosova ka ofruar edhe lehtësira.

Lajme të ngjashme