Sulm i ri në Jerusalem, një person i armatosur plagos dy izraelitë - NACIONALE

Sulm i ri në Jerusalem, një person i armatosur plagos dy izraelitë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy izraelitë janë qëlluar me armë në Jerusalemin e pushtuar Lindor disa orë pasi një person i armatosur vrau shtatë njerëz afër një sinagoge, përderisa dhuna më e rëndë në Izrael e në territoret e pushtuara palestineze vazhdon që të eskalojë.

Shërbimi ambulantor izraelit tha se një baba e biri i tij, në të pesëdhjetat e të njëzetat, janë lënduar rëndë në një lagje hebreje afër Qytetit të Vjetër të shtunën në mëngjes. Policia tha se sulmuesi është qëlluar për vdekje në vendin e ngjarjes nga një kalimtar rasti.

Policia e identifikoi sulmuesin si një djalë 13-vjeçar. Sipas raportimeve të pakonfirmuara arabe e hebreje, ai vinte nga një lagje palestineze e quajtur Silvan.

Të shtënat e së shtunës ndodhën pasi një person i armatosur palestinez vrau shtatë persona, përfshirë disa fëmijë, afër një sinagoge në periferi të Jerusalemit Lindor, përderisa ata po largoheshin pas lutjeve të premten në mbrëmje.

I dyshuari 21-vjeçar u qëllua për vdekje gjatë përpjekjes për të ikur nga vendi i ngjarjes, tha policia. 42 persona, përfshirë disa pjesëtarë të familjes së sulmuesit, janë arrestuar për këtë rast. Policia dhe ushtria izraelite janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie dhe trupa shtesë janë vendosur në Jerusalem dhe në Bregun Perëndimor në pritje të dhunës së mëtejme.

Sulmi në Neve Yaakov ndodhi një ditë pas bastisjes më vdekjeprurëse të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor në dy dekadat e fundit, gjatë të cilës u vranë nëntë palestinezë, përfshirë dy civilë.

Viti i kaluar ishte më i përgjakshmi në Izrael dhe në Bregun Perëndimor që nga viti 2004, pasi u vranë 250 palestinezë e 30 izraelitë. 49 palestinezë të tjerë vdiqën në Rripin e Gazës gjatë fushatës së befasishme bombarduese të Izraelit në gusht.

Vetëm këtë muaj, 32 palestinezë janë vrarë deri më tani. Departamenti i Shtetit i ShBA-së, Kombet e Bashkuara dhe ndërmjetësues të tjerë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje maksimale nga të dyja palët për ta qetësuar situatën.

Lajme të ngjashme