Studim: Kina ka shpenzuar 240 miliardë dollarë për të nxjerrë shtete nga borxhi - NACIONALE

Studim: Kina ka shpenzuar 240 miliardë dollarë për të nxjerrë shtete nga borxhi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kina shpenzoi 240 miliardë dollarë për t’u paguar borxhe 22 shteteve në zhvillim gjatë periudhës 2008 – 2021. Shuma është rritur viteve të fundit, pasi më shumë shtete janë ballafaquar me vështirësi për t’i paguar mjetet e shpenzuara gjatë ndërtimit të infrastrukturës së projektit “Një Rrip, Një Rrugë”, sipas një studimi të publikuar të martën.

Gati 80 për qind e huave shpëtuese janë dhuruar mes viteve 2016 e 2021, kryesisht për shtete me të ardhura mesatare, përfshirë Argjentinën, Mongolinë dhe Pakistanin, sipas një raporti të hulumtuesve të Bankës Botërore, Shkollës “Kennedy” të Harvardit, “AidData” dhe Institutit “Kiel” për Ekonomi Botërore, raporton agjencia “Reuters”.

Kina ka dhuruar miliarda dollarë hua për ndërtimin e infrastrukturës në shtetet në zhvillim, por huadhënia është zbehur nga viti 2016, pasi shumë projekte kanë dështuar që t’i ofrojnë dividendët e pritur financiarë.

“Pekini përfundimisht po mundohet që t’i shpëtojë bankat e veta. Për këtë arsye është futur në biznesin e rrezikshëm të huadhënies ndërkombëtare për dalje nga borxhi”- tha Carmen Reinhart, ish-ekonomiste udhëheqëse në Bankën Botërore dhe njëra prej autorëve të studimit.

Huadhënia e Kinës për shtetet që ishin në vështirë nga borxhi u rrit nga më pak se 5 për qind të portofolit të jashtëm huadhënës më 2010, në 60 për qind më 2022, sipas këtij studimi.

Argjentina ka marrë më së shumti hua – 111,8 miliardë dollarë. Në vend të dytë është Pakistani me 48,5 miliardë dollarë, ndërsa i treti është Egjipti me 15,6 miliardë dollarë. Nëntë shtete të tjera kanë marrë nga më pak se 1 miliard dollarë.

Banka Popullore e Kinës ka dhuruar 170 miliardë dollarë si financim shpëtues, përfshirë shtetet si Surinami, Sri-Lanka dhe Egjipti.

Kina është duke e negociuar ristrukturimin e borxhit me shtetet si Zambia, Gana e Sri-Lanka dhe është kritikuar për vonimin e këtyre proceseve. Kina është kundërpërgjigjur, duke u bërë thirrje Bankës Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar që edhe këto institucione të ofrojnë fonde për daljen e shteteve nga borxhi.

Lajme të ngjashme