Standardet e dyfishta të Kurtit për drejtësinë, Hoti: Ky nuk është kryeministri që i duhet Kosovës
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk po i përgjigjet prokurorisë për të dëshmuar për disa raste korruptive.
Duke e komentuar paraqitjen e Kurtit sot në gjykatë për rastin e kërcënimit, Hoti ka vlerësuar se të njëjtën gjë duhet të bëj edhe para prokurorisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Albin Kurti nuk është kryeministër që i duhet Kosovës.
“Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i organit më të lartë të drejtësisë – Gjykatës Supreme, e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore. Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar. Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës.”, ka shkruar Hoti.