Skandal pas skandali: Punëtorët e sektorit publik pa paga, FSK-ja ushqehet nga Mensa e Studentëve - NACIONALE

Skandal pas skandali: Punëtorët e sektorit publik pa paga, FSK-ja ushqehet nga Mensa e Studentëve

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një stuhi kritikash ka shpërthyer në drejtim të Qeverisë së Kosovë për dy skandale të mëdha që kanë lënë punëtorët e sektorit publik të papaguar dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me zgjidhje alternative për sigurim të ushqimit. Papërgjegjshmëri totale, thirrje për kërkim falje e deri të thirrjet për protesa koletive ishin disa nga reagimet e opozitës.

Nacionale rikonfirmoi sot raportimin e javës së kaluar se në lidhje me dështimin eekzekutimit të pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator. Skandali ishte pasojë e skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Po ashtu, Nacionale para një jave raportoi se në FSK kishte plasur një skandal. Kontrata që i skadoi operatorit të deriatëhershëm më 30 shtator, e ka lënë FSK-në pa një operator tjetër që do të siguronte ushqimin. Madje zëvendësministri Shemsi Syla u mundua që krejt këtë punë ta bëjë nën arsyetimin e “sekretit shtetëror”.

Zgjidhja e përkohshme e qeverisë? Angazhimi i punëtorëve të Mensës së Studentëve që të udhëtojnë në kazermat për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve. Sipas një dokumenti që e ka siguruar Dukagjini, e që u është shpërndarë departamenteve brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ky dikaster do të sigurojë transportin e tyre.

Opozita kërkon "përgjegjësi"

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku kritikoi ashpër qeverinë e Kosovës për dështimin e shpërndarjes së pagave në sektorin publik në kohë. Duke folur në emisionin “Pressing” të T7, Çitaku akuzoi qeverinë se po tregon mungesë ndjeshmërie dhe profesionalizmi.

Ajo theksoi se shumë nëpunës publikë, duke përfshirë oficerë policie, mjekë, mësues dhe ushtarë, kanë mbetur pa pagesë, gjë që ajo e përshkroi si një shembull të qartë të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe mungesës së llogaridhënies.

“Ne duhet të kujtojmë që sot qindra mijëra shërbyes publikë, policë, mjek, mësues, ushtarë nuk i kanë marrë pagat e tyre. Kjo shpërfaq në mënyrë shumë brutale shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë, mungesën totale të llogaridhënies brenda Qeverisë, mungesën e profesionalizmit dhe ndoshta çka është më tragjikja shpërfaq një shkalla të lartë të mungesës së empatisë, ndjeshmërisë”, ka thënë Çitaku.

Në lidhje me dy skandalet e raportuara, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se e para ndodhi për shkak të “tekeve të ministrit të Financave Hekuran Muratit”, ndërsa “ushqimi për FSK-në do të "harrnohet" nga kuzhina e menzës së studentëve.”

“Lajmi i ditës. Punonjësve të administratës iu vonohen pagat për shkak të tekeve te Hekuran Muratit. Pritet 'harrnimi' i situatës. Ushtarët e FSK janë pa bukë. Ushqimi i tyre do të "harrnohet" nga kuzhina e menzës së studentëve.” – shkroi ai në Facebook.

Dështimi për të ekzekutuar pagat për punonjësit e sektorit publik, sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka shkelur dinjitetin e shumë familjeve që mezi arrijnë t’ia dalin nga muaji në muaj.

Çfarë qeverie duhet të jetë ajo e cila guxon të dështoj në ekzekutimin e pagave, duke shkelur dinjitetin e shumë familjeve që mezi arrijnë t’ia dalin nga muaji në muaj? E kisha paralajmëruar këtë skandal. O djem, mos luani me njerëzit, mos luani me shtet! Nesër është i pari.” – tha ai.

Kritikë e ashpër ndaj pushtetit erdhi edhe nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili, përmes një reagimi në Facebook tha se kjo vonesë dëshmon “mungesës të përgjegjshmërisë nga ana e Ministrisë së Financave.”

Ai vuri theksin në mungesën e kërkim faljes nga zyrtarët e pushtetit në lidhje me këtë dështim. “Është koha që Qeveria të behet e përgjegjshme dhe të garantoj pagesat e rregullta, dhe të tregoj respekt për ata që punojnë për të mirën e përbashkët. Nuk pash asnjë kerkim falje sot!” – tha ai ndër të tjera.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e quajti “skandaloz” lajmin për mosekzekutimin e pagave duke shtuar se “ky dështim nuk guxon të kalojë pa ndëshkim, pa protesta kolektive.“

“Duam pagat tona! Kjo është thirrja e punëtorëve të administratës shtetërore që paguhen nga Buxheti i Kosovës! Ishte lajm i keq kur u kuptua që Lista e pagave në shëndetësi do të ekzekutohen pa e përfshi pagesën për kujdestaritë dhe ndrrimin e natës, por doli të jetë lajm skandaloz se sot pagat që ekzekutohen nga Buxheti i Kosovës, nuk janë ekzekutuar fare, jo vetëm në shëndetësi, por përgjithësisht në administratën publike. Ky dështim nuk guxon të kalojë pa ndëshkim, pa protesta kolektive.” – tha deputeti i PDK-së.

Lajme të ngjashme