S’ka më ‘Guxo’ as në vendlindje të Gërvallës, avalanshi i dorëheqjeve për shkak të “tradhtisë së VV-së”
- As në vendlindje të vet nuk ka më “Guxo.”
Partia “Guxo” e drejtuar nga Donika Gërvalla–e themeluar nga Vjosa Osmani–ka nisur një shthurje të madhe në strukturat e veta pas heqjes dhe mosmbështetjes së themeltares së tyre si kandidate për presidente të vendit. Avalanshi i dorëheqjeve të larta nisi me Haxhi Avdylin i cili fushatën denigruese ndaj Osmanit s’mundi ta përpijë me tjetër gjë përveç se me largim nga të gjitha strukturat e partisë.
Dorëheqja më e fundit ishte më domethënësja. Dorëheqje të përbashkët dha e tërë kryesia e “Guxo”-s në Deçan, prej nga vjen vetë kryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla. Njoftimi për këtë largim kolektiv e dha mëngjesin e së enjtes Rabije Haklaj, një bashkëthemelueset e “Listës Vjosa”, si iniciativa pararendëse e “Guxo”-s. Haklaj shtjelloi edhe arsyet se pse ky lagim i përbashkët: “Tradhëtia e VV-së ndaj Vjosa Osmanit”, e përmbylli ajo.
“Ajo që ndodhi këto ditë, neve si Degë e Partisë Guxo në Deçan, që, jo vetëm na indinjoi, por edhe na zhgënjeu pa masë, ishte një tradhëti e pastër nga partneri i koalicionit, i cili, ndonëse e shihte vullnetin masiv të qytetarëve falë punës së jashtëzakonshme të Presidentes Dr. Vjosa Osmani në përfaqësimin aq dinjitoz të qytetarëve dhe të Republikës sonë, veproi në mënyrë të papranueshme.”
Kryesia e “Guxo”-s në Deçan iu kthye me “indinjatë” skemës së provuar nga Vetëvendosje vetëm ditëve të fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, që Vjosa Osmani të instrumentalizonte veten vetëm për kuorum të zgjedhjes së Glauk Konjufcës, dhe në rast të dështimit të këtij skenair “të fajësohej opozita”, siç edhe ka ndarë shpjegimin kabineti i Vjosa Osmanit.
“Për neve si degë është e pafalshme që u lamë në errësirë informative, e ku për këto qëndrime refuzuese u informuam vetëm përmes mediave dhe rrjeteve sociale në ditën D, pra më 5 mars, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës.”
Dorëheqja e Hajdajt.
Kujtim Hajdaj, anëtar i Kryesisë Qendrore të Partisë GUXO, po ashtu ka njoftuar pezullimin e aktivitetit të tij politik brenda kësaj partie për një kohë të pacaktuar. Përmes një reagimi publik, Hajdaj bëri të ditur se vendimi lidhet edhe me mbështetjen që ai i ka dhënë publikisht presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se në vendimin e tij kanë ndikuar edhe disa rrethana të krijuara në raport me udhëheqjen e partisë.
“Duke qenë se kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmanit për presidente dhe duke u bazuar në disa rrethana që janë krijuar në raport me udhëheqjen e partisë, kam vendosur të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO”, ka shkruar Hajdaj. Ai shtoi se për momentin nuk dëshiron të komentojë më tej arsyet që çuan në këtë vendim.
Fushata ndaj Osmanit, largimi i Avdylit
Vjosa Osmanit i është përshkruar tashmë lloj-lloj konspiracioni nga maçineria e linçimit të pushtetit të Vetëvendosjes. Krejt kjo pasi Albin Kurti në konferencë për shtyp foli për një “plan” kundër qeverisë së tij, për të cilën pritet të vendos Gjykata Kushtetuese a është fuqiplote apo vetëm kujdestare pas dekretit për shpërbërjen e Kuvendit nga Osmanit.
Prej deputetë të Vetëvendosjes që kanë nisur krejt vagët të flasin për një “Plan” për rrëzimin e qeverisë “të materializuar” nga Osmani me dekret presidencial e deri në skajet e internetit, ish-aleatja e ngushtë e Kurtit, është duke e marrë trajtim demonizues të një shkalle të madhe. Deri edhe në modifikime me inteligjencë artificiale duke gjeneruar pamje denigruese. Në dritën e këtyre zhvillimeve, deputeti Haxhi Avdyli njoftoi dorëheqjen e tij nga funskionet e kësaj partie. Këtë dorëheqje e priti si “akt guximi” Zotëriu i Parë në largim, Prindon Sadriu. Partia Guxo lëshoi komunikatë ku i uroi deputetit Avdyli “punë të mbarë”.
Këtë komunikatë e shpërndau Donika Gërvalla, por jo edhe bashkëkryetari tjetër, Faton Peci. Heshtja e Pecit ndaj Vjosa Osmanit është interpretuar se ai nuk është i linjës së hekurt refuzuese ndaj Vjosa Osmanit, siç ishte Donika Gërvalla muajve të fundit; në veçanti në kundërshtimet e forta që ajo të mos jetë kandidate për një mandat të tytë si Presidente e Kosovës.
Haxhi Avdyli tha se sulmet ndaj presidentes kanë kaluar kufijtë e debatit politik dhe janë shndërruar në një klimë të rrezikshme publike. “Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju apo fëmijët tuaj që kanë bindje ndryshe nga Partia”, deklaroi ai.
Sipas tij, thirrjet për dhunë, manipulimet me inteligjencë artificiale dhe sulmet personale janë “tërësisht të papranueshme” dhe përfaqësojnë një kthim në “një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës”. Deputeti theksoi se mospajtimi politik brenda grupit kishte ekzistuar edhe më parë, por se nuk kishte pritur një përshkallëzim të tillë publik.
“Nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linçim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime”, tha Avdyli. Ai shtoi se dorëheqja është një akt proteste për të mos u identifikuar me atë që e quajti strategji denigruese politike.
Reagimi i Partisë GUXO erdhi disa orë më vonë, përmes një deklarate të kryetares Donika Gërvalla. Gërvalla tha se partia e pranon dorëheqjen dhe e konsideron atë “zgjedhje të vullnetshme dhe të pakontestueshme”.
Në deklaratë, ajo falënderoi Avdylin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i uroi “shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme”.
Partia gjithashtu hodhi poshtë pretendimet për përfshirje në fushata linçuese ndaj Presidentes Osmani.
“Askush nga Partia Guxo nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt”, thuhet në reagim.