Sinjalizuesi i inteligjencës ruse paralajmëron rritje të mundësisë që FSB-ja ta rrëzojë Putinin
Rreziku për puç nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) kundër Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është duke u rritur çdo javë, ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon, sipas një sinjalizuesi në “zemër” të inteligjencës ruse.
Sinjalizuesi pretendon se kaosi dhe pakënaqësia i kanë kapluar shërbimet e sigurisë pas pushtimit pothuajse të dështuar rus të Ukrainës.
Në internet janë publikuar letrat e shkruara nga një analist anonim i inteligjencës ruse për Vladimir Osechkin-in, aktivist rus në ekzil dhe themelues i grupit për të drejtat e njeriut, “Gulagu.net”.
Ky aktivist i ka thënë gazetës “The Times” se rreziku që po e marrin agjentët e inteligjencës duke folur është shenjë e zemërimit të tyre ndaj presidentit rus dhe pakënaqësisë nga efekti i sanksioneve ndaj zyrtarëve të FSB-së, të cilët më nuk do të mund “të shkojnë në pushime në vilat e tyre në Itali dhe t’i dërgojnë fëmijët e tyre në Disneland Paris”.
Duke folur nga shtëpia e tij në Francë, ku ka jetuar në ekzil nga viti 2015, Osechkin-i tha:
“Për 20 vjet, Putini ka krijuar stabilitet në Rusi. Zyrtarët e FSB-së, policët, prokurorët shtetërorë – ata njerëz brenda sistemit – kanë pasur mundësi të jetojnë jetë të mirë.”
“Por tash e tërë kjo ka kaluar. Ata kuptojnë që kjo luftë është katastrofë për ekonominë, për njerëzimin. Ata nuk duan që të kthehen në Bashkimin Sovjetik”, shtoi ai.
“Për çdo javë dhe çdo muaj që kjo luftë vazhdon, rritet mundësia për një rebelim nga ata që janë në shërbimet e sigurisë”, tha aktivisti rus. /Nacionale