Gjermania, ShBA, BE dhe OSBE dalin kundër mbylljes "në këtë mënyrë" të qendrave ilegale serbe të mirëqenies
“Struturat paralele (serbe) duhet të shuhen...(por,) jo kështu...jo pa marrëveshje paraprake për alternativa”.
Mbylljen e disa qendrave – ilegale – serbe të mirëqenies dhe punës sociale në veri të Kosovës e kanë kundërshtuar edhe nga ambasada gjermane; jo për mbylljen si të tillë, por për mënyrën.
Gjermania i qëndroi asaj se struktura të tilla “duhet të mbyllen”, por se mënyra se si u kryen nga autoritetet kosovare, “pa ofruar alterantiva...ndikon negativisht në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera”.
“Siç u tha më parë, Ambasada Gjermane është dakord që strukturat paralele duhet të ndërpriten, por institucionet në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe ato që ofrojnë shërbime sociale bazë nuk duhet të mbyllen në këtë mënyrë.
Mbyllja e strukturave të tilla ekzistuese pa marrëveshje paraprake për alternativat mund të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera”, thanë nga ambasada gjermane në një prononcim me shkrim për “Nacionale”.
Ishte fillimisht ambasada e Amerikës në Kosovë e cila përmes një reagimi tha se kjo ndikon në raportet mes dy shteteve.
“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”, thuhet nga SHBA-ja.
Reagoi edhe Bashkimi Evropian.
Zyrtarë e BE-së kanë thënë se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.
“Bashkimi Evropian është në dijeni për operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe misioni i saj për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron situatën dhe Brukseli po pret “detaje të tjera për të përcaktuar faktet””, thuhet në deklaratë.
Në anën tjetër, kanë reaguar edhe nga misioni i OSBE-së duke deklaruar se kjo ndikon në jetën e komunitetit serb në Kosovë.
“Misioni sheh se mbyllja e Qendrave për Mirëqenie Sociale të drejtuara nga Beogradi do të ndikojë në aksesin në shërbimet kryesore për komunitetet joshumicë. Çdo ndërprerje e kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbështetjes sociale prek në mënyrë disproporcionale grupet e cenueshme sociale”.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Reagime të tilla ka pasur edhe në raste të tjera kur institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë aksione të ndryshme në pjesën veriore.