Selimi i reagon sërish Kurtit pasi kërcënoi mediat: Sjellje jopatriotike, ndoshta edhe kriminale
Ish-kryediplomati Petrit Selimi ka bërë një tjetër reagim pas sulmit që kryeministri Albin Kurti ua ka bërë mediave të Kosovës.
Selimi e ka cilësuar këtë si “sjellje jopatriotike”, e ndoshta edhe kriminale.
Në shkrimin e tij në “X”, ai ka përmendur se Kurti ka shkuar me para të taksapaguesve nga Kosova në Nju Jork, ku nuk po lobon, por po sulmon e kërcënon.
“Sjellje jopatriotike e kryeministrit të Kosovës. Ndoshta edhe kriminale. Po përdor paratë e taksapaguesve për të udhëtuar në Nju Jork – jo për të lobuar për më shumë njohje (ka zero njohje në 4 vjet), por për të sulmuar dhe kërcënuar opozitën e mediat kosovarë, para kolegëve në tubimin e liderëve socialistë.” – ka thënë ai.
Unpatriotic behavior by Kosovo PM. Maybe even criminal. He uses tax payers money to travel to New York - not to lobby for more recognitions (he obtained zero in 4 years) but to attack and threaten Kosovo opposition and media in front of peers at gathering of socialist leaders. https://t.co/Uejj7EokmX
— Petrit Selimi (@Petrit) September 28, 2024
Mbrëmjen e së premtes, në lidhje me këtë çështje, Selimi u shpreh:
“Ah. Albini i vjetër i zemëruar është kthyer. Kryeministri i Kosovës mban një fjalim në Internacionalen Socialiste në Nju Jork dhe shfrytëzon rastin për të sulmuar “regjimin e vjetër” në Kosovë (në thelb të gjithë të tjerët që marrin frymë në Kosovë). Ai kërcënon edhe mediat që me sa duket janë të gjitha të paguara nga disa forca të liga.” - ka thënë ai.
Derisa ka marrë pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, Kurti ka gjetur hapësirë që të hedhë akuza të rënda ndaj mediave në Kosovë, duke pretenduar se disa prej tyre “paguhen me para të pista nga regjimi i vjetër”.
“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim.” – tha ai.