Sanksionet ndërkombëtare ndaj Kosovës mbesin, veprimet e Qeverisë për shtensonim në veri "të pamjaftueshme" - NACIONALE

Sanksionet ndërkombëtare ndaj Kosovës mbesin, veprimet e Qeverisë për shtensonim në veri "të pamjaftueshme"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sanksionet – apo siç janë përdorur nën termin më të butë “masa ndëshkuese” sa për të dhënë një përshtypje të një niveli ndëshkues më pak fatal – ndaj Kosovës vazhdojnë të jenë në fuqi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe më vete edhe Gjermania, kanë ndëshkuar kursin e veprimit të Kosovës në instalimin me forcë të kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të vendit si dhe kursin e mosveprimit për shtensionim të situatës atje.

Një dakordësim që u paraqit si signifikant i arritur në Bratislavë mes krynegociatorit, Besnik Bislimi dhe ndërmjetësit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, megjithatë nuk i zhbëri ndëshkimet ndërkombëtare. “Të pamjaftueshme”, i quajti bashkësia ndërkombëtare zotimet e palës kosovare për atë që u tha të jetë një zvogëlim prej 25% të pranisë së njësive speciale policore brenda dhe rreth ndërtesave komunale.

Kërkesa parësore është shpallja e samëparshme e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banura me shumicë serbe dhe largimi i njësive speciale brenda dhe në rretjinë të ndërtesave komunale.

Ishte zëvendëskryeministri i parë kosovar, Besnik Bislimi, i cili ditëve të fundit zgjeroi edhe më tej konfuzionin ndërkombëtar dhe vendor kur tha se Kosova nuk do të shpallë zgjedhje të reja në veri pa u hequr sanksionet evropiane ndaj vendit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një frazim ca më ndryshe, por që përkthyeshëm thotë pothuajse të njëjtën gjë, tha se është “renditje e logjikshme” e gjërave që “njëherë shtensionimi, mëpastaj zgjedhje të reja”.

Bashkimi Evropian u kushtoi vëmendje deklaratave të Bislimit, teksa u shpen në mënyrë të paekuivokë se BE pret atë që ka pritur kaherë: shpalljen e samëparshme të zgjedhjeve të reja.

Nacionalja ditë më parë e pyeti BE-në për deklaratën e Bislimit, se a do të hiqen sanksionet, siç kërkon ai, në mënyrë që të shpalljen zgjedhjet. BE këtu, na tha prerazi, se zgjedhjet duhet të shpallen, duke shpërfillur në plotni një përgjigje ndaj Bislimti për heqjen e masave.

Ne nuk komentojmë komente të komenteve”, na thanë Zoi Mulleter, zëdhënëse e BE-së, duke iu përgjigjur kërkesës së Bislimit. Por, tha ajo, “ne e ritheksojmë që BE pret nga Palët që të përmbushin kërkesat siç i kemi nënvizuar me në deklaratën e 3 qershorit të 27 shteteve të BE-së”.

Kjo qartazi do të thotë që zgjedhjet e reja duhet të shpalln sa më parë të jetë e mundur dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithpërfshirëse në komunat veriore të Kosovës. Serbët e Kosovës presim të marrin pjesë në zgjedhje”, na tha zëdhënësja e BE-së.

Nacionalja ka biseduar edhe me ambasadën gjermane në Prishtinë, duke qenë se Gjermania ka qenë përveç brenda 27 shteteve të BE-së edhe sanksionuese ndaj Kosovës më vete. Zëdhënësja gjermane Vera Baumann, na tha se sa i përket Gjermanisë, në lidhje me kërkesën e Bislimit që njëherë tërheqja e sanksioneve dhe mëpastaj zgjedhje të reja, qëndrojnë plotësisht në linj me Bashkimin Evropian në qëndrimin 27-shtetësh.

Ne ndajmë pikëpamjen e BE-së të publikuar kohëve të fundit në lidhje me këtë çështje”, na tha zëdhënësja gjermane.

Kjo përgjigje e zëdhënëses erdhi mu në kohën kur i dërguari special i qeverisë federale gjermane, Manuel Sarrazin zbarkoi në Prishtinë për t’u takuar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, takim ky i cili, siç na tha zëdhënësja gjermane “ishte informal dhe konfidencial” dhe nuk u shpalos asnjëherë përmbajtja e bisedimeve. As Zyra e Kryeministrit nuk lëshoi komunikatë për takimin me Sarrazinin.

Ambasadori francez në Prishtinë, Olivier Guerot, në një bisedë me Gazetën Express, gjithashtu tha se sanksionet mbesin në fuqi për sa kohë veprimet e qeverisë kosovare janë të pamjaftueshme për shtensionim të situatës në veri.

Tërheqja e një pjese të policisë nga ndërtesat komunale është një hap pozitiv, por jo i mjaftueshëm. Masat e marra nga BE janë të kthyeshme. Ato nuk u morën lehtë, por qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për heqjen e tyre. Shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti. Ka projekte konkrete që janë të bllokuara, siç është ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujrave të ndotura për Prishtinën dhe tre komunat përreth”, ka thënë Guerot.

Franca mbështet masat e marra nga Bashkimi Evropian në emër të 27 shteteve anëtare. Masat nuk janë vetëm ato të institucioneve evropiane. 27 krerët e shteteve dhe qeverive folën edhe për situatën gjatë Këshillit Evropian në fund të qershorit. E gjithë Evropa pret përmirësim të situatës dhe veprime konkrete nga qeveria e Kosovës në këtë drejtim. Përndryshe ketë e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, tha ambasadori francez.

Lajme të ngjashme