RTK-ja e transmeton prapë lajmin e rremë ndaj Nacionales: Nuk e zbaton krejt vendimin e KPM-së, s’tregon që bëri shkelje të etikës - NACIONALE

RTK-ja e transmeton prapë lajmin e rremë ndaj Nacionales: Nuk e zbaton krejt vendimin e KPM-së, s’tregon që bëri shkelje të etikës

1 javë më parë

nga NACIONALE

Radio Televizioni i Kosovës, i obliguar nga KPM-ja, ka dhënë hapësirë për Nacionalen dhe Periskopin për të demantuar lajmin e rremë, ku dy mediumet e lartëcekura sulmoheshin se janë nën ndikim të Serbisë. Megjithatë, RTK-ja nuk e ka zbatuar të gjithë vendimin e KPM-së. Për më shumë, RTK-ja ka nisur të kritikohet për mënyrën se si e raportoi krejt kët çështje sot. Çka ndodhi?

Pas dy muaj e gjysmë, RTK-ja ka bërë detyrën që do të duhej ta bënte qysh me 22 korrik, duke shfaqur demantimin tonë dhe të Periskopit. Megjithatë, RTK-ja nuk ka treguar saktë dhe në mënyrë të qartë se gjatë raportimit ndaj Nacionales dhe Periskopit kishte bërë shkelje të etikës, siç obligohej përmes vendimit të KPM-së.

Madje, në prezantimin e lajmit thuhet se kronika që do të paraqitet mëtutje është bërë “bazuar në një vendim editorial të RTK-së”. Tutje, aty sërisht përmendet artikulli i Sllobodna Bosnës dhe akuzat e pabazuara ndaj Nacionales dhe Periskopit.

“Radio Televizioni i Kosovës në përputhje me obligimet e përcaktuara nga KPM-ja dhe Kodi i Etikës KPMM 2016/03, ofron hapësirë për reagimin e portalit “Nacionale” në lidhje me një lajm të shkurtër të emituar në lajmet qendrore të RTK-së të datës 22 korrik. Në lajmin e transmetuar citohet një pjesë e shkrimit të portalit boshnjak, “Slobodna Bosnja”, i cili pretendon se një portal në Kosovë është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq, ndërsa një portal tjetër, ka pranuar transkaksion milionësh. Ndjekim kronikën bazuar në një vendim të editorial të RTK-së”tha moderatori i RTK-së.

Përveç në hyrje, edhe gjatë kronikës RTK-ja ka ripërsëritur të gjithë kroninikën e 22 korrikut, duke cekuar se e gjithë storia ishte 53 sekondëshe.

Çka kishte thënë KPM-ja?

Sjellim ndër mend që Komisioni i Pavarur për Media e kishte aprovuar ankesën e Nacionales kundër RTK-së. Në vendimin e KPM-së thuhej se RTK-ja me raportimin e Slobodna Bosnës në edicionin e lajmeve, ka bërë shkelje të etikës.

Në atë raportim, u akuzua Nacionale ishte paguar nga Serbia, përmes një transaksioni milionësh. Sipas KPM-së, RTK-ja kishte bërë raportim të pa mbështetur në fakte, vetëm me një burim, dhe në mënyrë të njëanshme.

“KPM ka analizuar ankesën dhe përgjigjen e palës përgjegjëse dhe bazuar në raportin e monitorimit të datës 16 gusht 2024 ka gjetur se pala përgjegjëse gjatë transmetimit të edicionit qendror të lajmeve ka transmetuar një lajm i cili nuk mbështetet në fakte, por vetëm në një burim mediatik (Slobodna Bosna), duke dështuar të marrë edhe qëndrimin e palëve tjera të përfshira në kontekst, fakt ky i cili ka rezultuar me transmetimin e lajmit në mënyrë të njëanshme”, thuhej në vendim.

Lajme të ngjashme