Rruga drejt KiE-së: Kurti iu premton gjermanëve kalimin e Kodit Civil
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka mbajtur një fjalim në organizimin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), e cila udhëhiqet nga kancelari Olaf Scholz. Nga hapësirat e Bundestagut në Berlin, Kurti ka dërguar dy porosi në lidhje me ecjen tutje të Kosovës në anëtarësimin në Këshill të Evropës.
Sipas Kurtit, dy gjëra duhet të ndodhin: e para, votimi i bashkësive civile të seksit të njëjtë dhe, e dyta, zgjidhja e çështjeve të minoriteteve, përfshirë atij serb.
Për të sqaruar më konkretisht këto dy premtime. Kurti ka premtuar se do të votohet projekt-kodi civil dhe se do të ecë tutje me hapa konkret për Asociacionin, ndonëse këtë të fundit nuk e përmendi me emër.
Në lidhje me projekt-kodin civil, që kundërshtohet nga një pjesë e deputetëve të VV-së, Kurti ishte shumë konkret. Në një të ardhme shumë të afërt, Kurti vlerësoi se do të kalojë kjo nismë ligjore, duke u ndërtuar një shumicë parlamentare, përfshirë atë me opozitën.
“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë” – ka theksuar ai.
Në fjalimin e tij, Kurti ka treguar edhe se pse do të veprojë kështu.
“Ne e bëjmë këtë sepse është e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Evropës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët” – tha Kurti.
Ndërsa në lidhje me çështjet e minoriteteve, Kurti ishte më i mjegullt. Ai nuk e përmendi Asociacionin, ndonëse nga konteksti politik, nënteksti ishte tek Asociacioni.
“Ne gjithashtu do të zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të hartuar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese” – tha Kurti.