Rritje e pensioneve të veteranëve, Klinaku: Në vend se veteranët t'i merrnin 350 euro, tash do t'i marrin 204
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti për rritje të pensioneve të kategorive ta dala nga lufta e UÇK-së.
Klinaku ia ka përmendur kryeministrit Albin Kurti se qeveria e tij këtë kategori e ka larguar nga ligji për pagën minimale, i cili do të ua mundësonte që pensioni i tyre të jetë 350 euro.
“Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€. Pra, në vend se veteranët t'i merrnin 350€, tash do t'i marrin 204€.”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, veprimet e fundit të Qeverisë Kurti janë mashtrim.
“Nëse votuesi mashtrohet përsëri kjo është çështje e tij, por kaluan katër vite dhe çështja e "verifikimit" të veteranëve nga kjo Qeveri ka qenë vetëm farsë e që i është dashur dhe i duhet vetëm për opinionin publik, çështje e cila është e një procesi gjyqësor i cili nuk ka përfunduar ende. Më e pakta që duhet të bëjnë veteranët e luftës së UÇK-së dhe familjet e tyre, është që mos t'i besojnë më mashtrimit”, ka shkruar Klinaku.