Rrena e qartë e Albin Kurtit e thënë më 10 tetor 2022 që duhet ta shqetësojë krejt popullin - NACIONALE

Rrena e qartë e Albin Kurtit e thënë më 10 tetor 2022 që duhet ta shqetësojë krejt popullin

11 muaj më parë

nga Jetlir Buja

Një muaj pasi iu prezantua propozimi franko-gjerman në tavolinë, kryeministri i Kosovës e mohonte se ai ishte propozim. Ai gënjente në mënyrë të qartë, siç dëshmohet nga vetë fjalët e tij të thëna më vonë. Por, pse kjo duhet të na shqetësojë?

Kryeministri i Kosovës i ka ndërruar vazhdimisht qëndrimet e tij kryesore politike, duke prodhuar edhe një prej fjalive më ikonike të viteve të fundit nga Besnik Bislimi që po mundohej ta arsyetonte:

“Nuk mund t’i thuash pse nuk po thua që i ke 25 vjet në vitin 2022 dikujt që thoshte se i kishte 25 vjet në vitin 2018,”

Eh.

Por, kryeministri për rastin e Propozimit Franko-Gjerman nuk e kishte thënë të vërtetën për një kohë të gjatë. Kjo gjë mund të jetë ilustruese edhe për Asociacionin.

10 tetori

Më 9 shtator 2022, kryeministrit Kurti do t’i vinte në zyren e tij Propozimi Franko-Gjerman, përmes ndërmjetësit Mirosllav Lajçak dhe emisarëve nga Franca e Gjermania.

Por, edhe një muaj pas kësaj ndodhie ai do ta mohonte se i kishte ardhur propozimi.

“... diskutohen modele të ndryshme por nuk ka diçka përfundimtare e aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash e jepni vërejtjet. Më shumë ka si të them ide që qarkullojnë Berlin, Bruksel, Washington, por edhe Londër, Romë, Paris, Beograd dhe Prishtinë.”kishte thënë ai.

Pra, nuk mund të thuhej se kishte proporim franko-gjerman sipas Kurtit. Natyrisht, ai këto fjalë do t’i ndërronte krejtësisht më vonë. Por, shihni edhe fjalët e mëposhtme dhe rrudhjen që ia bënte propozimit që veçse e kishte marrë një muaj më parë:

“...ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane.”

Pra, Propozimi franko-gjerman dëshironte t’i jepte edhe më shumë fuqi Lajçakut? Kaq? Kurti dhe Vuçiqi kishin dhënë të paktën një herë disa komente në lidhje me propozimin, i cili më vonë do të bëhej Marrëveshja e Rrugës për Normalizim që u arrit më 27 shkurt 2023.

Por, këto fjalë të 10 tetorit do t’i ndërronte Kurti në mënyrë rrënjësore.

Kryeministri i Kosovës, do ta pranonte ekzistencën e propozimit vetëm një muaj më pas, duke e vlerësuar si “hap në drejtimin e duhur”.

Megjithatë, se për çfarë arsyesh Kurti e kishte mohuar se propozimi ishte propozim më 10 tetor na tregojnë pikërisht fjalët e Besnik Bislimit për të:

“Sipas kësaj perspektive, propozimi franko-gjerman është më i afërt me pozicionin e Serbisë, sepse nuk prezanton marrëveshje finale dhe nuk përmban njohjen reciproke në këtë fazë,”

E, më pas?

Kurti do ta ndryshonte aq shumë qasjen, sa kjo do të tingëllonte edhe qesharake. Nga mohimi se ekzistonte propozimi, ai do të dilte në foltore të Kuvendit të Kosovës e do t’i thoshte këtij populli që vuan nga harresa se Propozimi Franko-Gjerman kishte ardhur si rrjedhojë e presionit të tij.

“Josep Borrell për herë të parë në më shumë se dymbëdhjetë vjet dialog e bëri hapin e madh më 18 gusht të vitit të kaluar. Për herë të parë u vendos korniza e përgjithshme e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë... takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat i presionit të Qeverisë tonë.”

Por, a ju kujtohet kur tha se iniciativa franko-gjermane nuk ishte propozim dhe thjesht donte t’i jepte fuqi Lajçakut. Shihni se çka tha më 13 shkurt të vitit 2023:

“Më 9 shtator 2022 erdhën dy emisarë të lartë në Prishtinë. Ata prezantuan para meje një propozim të bazuar në njohjen de fakto.”

Çkaaaa? Propozim? E pse gënjeu më 10 tetor 2022 se ai nuk ishte propozim?

Lajme të ngjashme