(R)evolucioni i Konjufcës për "Zajednicën e 2013-ës" brenda disa muajsh, çfarë (s')tha?
Vështirë se deklarimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmbajnë konsistencë ose konformitet me atë çfarë thotë vetë. Politikanët rëndom maten në raport me fjalën e dhënë, të realizuar ose jo, dhe gjykohen në bazë të saj. Po ta bënim këtë me Konjufcën, titujt dhe kapitujt do të mbusheshin me pikëpyetje të mëdha.
Fjala e Konjufcës më shumë mund të kuptohet si bast dhe dëshirë vetanake se sa prognozë e asaj se si do të shpalohen gjërat. Prej “as kësi e as asi” Asociacioni si zotim kategorik të tij para një vit e gjysmë më parë, në “Asociacion veç si njëfarë premtimi abstrakt” para disa muajve, e deri te para disa ditëve në Asociacion konkret sipas asaj të pajtuar në vitin 2013 “ku s’ngarkohemi asgjë më shumë se ajo”.
Krejt këto prognoza dëshirore e Konjufcës të çojnë deri te pranimi eksplicit i pranimit të Zajednicës...
“Jah, nuk e nënshkruan Serbia marrëveshjen”; me këtë pohim/mohim Konjufca i tregonte intervistuesit të tij në ATV para disa muajve se Kosova niset në Ohër veç me “premtim abstrakt” për Asociacionin, pra si një entitet mendor e konceptual, por pa ndonjë ekzistencë fizike të materalizueshme. Por edhe nëse materializohet, sipas Konjufcës, ajo s’do të ishte asgjë me shumë se “një forum” ku mblidhen komunat me shumicë serbe.
Por, prap, “jah, nuk e nënshkruan Serbia” shprehej ai në prognozën e tij dhe përmes ksaj “jah” rrjedhte edhe “jo”-ja konsekuente e Asociacionit.
Si ia kishte çitë lapsin kësaj Konjufca? Thoshte se “kur Serbia ta kundërpeshojë se çfarë po jep” në raport me atë “se çfarë do të merrë”, përkatësisht njëfarë Asociacioni të zhveshur nga çfarëdo pushteti ekzekutiv – Serbia tërhiqet. Në këtë linjë e kishte vendosur bastin.
Se si do të triumfonte Kurti në Ohër, edhe këtu e kishte një profesim. “Është kaq e thjeshtë”, i thoshte Konjufca bashkëbiseduesit të tij, “Njëherë njohja ‘de facto’ dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit”. Konjufca me rehati e quante “njëfarë premtimi abstrakt”, thjesht si enitet mendor e jo edhe objektiv-institucional.
Krejt këtij ligjërimi “bindës” të Konjufcës do t’ia jepte goditjen vetë ai në një intervistë dhënë ditë më parë te Jeta Xharra, kur tregoi se “na u është dukur deal (ujdi) e mirë” që në kombim të njohjes “de facto” të pajtohen për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, sipas asaj që është pajtuar në vitin 2013 në Marrëveshjen e Brukselit, “por pa u ngarkuar më shumë”.
Përmbysje? Asociacioani i 2013 nga vetë Konjufca dhe organizata politike të cilës i takon është dhënë kaherë të jetë si kancer brenda shtetit, ose shtet brenda shtetit, përkatësisht, siç e kanë frazuar ata, “Republika Srpska”.
E krejt kacafytja në Bruksel, tash tha Konjufca, po bëhet rreth asaj “të merret njohja de facto për Aasociacionin e vitit 2013, por jo më shumë”.
“Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit është – se dy pjesë janë këtu njohja de facto edhe qyky Asociacioni – me mujtë Kosova, kurgjo pa e ngarku Kosovën më shumë se që ka pranu Qeveria Thaçi 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhanë për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është dukë neve deal (ujdi) e mirë”.
“Unë kam thënë nuk është mirë Asociacioni të bëhet, por për këtë shteti i Kosovës i ka dy mundësi ta zhbëjë krejt, sikur kur futesh në do procese qe don me i zhbë…”.
“Dy mundësi janë: të futet shteti i Kosovës në mohim të plotë të obligimeve ndërkombëtare edhe me thonë ne po vazhdojmë rrugën tonë, ose mu mundu shteti i Kosovës të arrij t’ia ndryshojë karakterin obligimit pa e dëmtu shtetin e Kosovës”.
“Prej vitit 2013 nuk kemi mundur të lirohemi kurrë…”.
Janë këto fjali të Konjufcës, thënë më në fund, krejt ajo që Konjufca ka një karrierë të tërë politike duke e kundërshtuar.