Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Partitë i kthejnë sytë nga diaspora, kërkojnë votën e bashkatdhetarëve
Me fillimin e procesit të regjistrimit të bashkatdhetarëve për zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë politike kanë kthyer sytë nga mërgata. Liderët e partive politike me mesazhe dhe video të ndryshme kanë ftuar diasporën që të regjistrohet në mënyrë që të bëhet pjesë e procesit zgjedhor.
Ata kanë kërkua përkrahje e partive të tyre, duke u zotuar për ndryshme në vend.
Një gjë të tillë sot e ka bërë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Përmes një video të publikuar në profilin e tij në “Facebook”, ai ka vlerësuar se vetëm me zgjedhje Kosova mund të bëj ndryshimin.
Ai ka bërë me dije se koalicioni që ai drejton do të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Kosova me zgjedhje mund ta bëj ndryshimin. Unë, Aleanca, koalicioni ynë që kam nderin ta udhëheqi, po punojmë që Kosova të jetë e sigurt përgjithmonë, të anëtarësohet në NATO. Kemi nevojë për ju, regjistrohuni si votues, votoni dhe bëni të mundur ndryshimin dhe sigurinë e përjetshme të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ditë me parë, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga diaspora që të regjistrohet.
“Sot ka nisur procesi i regjistrimit të bashkatdhetarëve të cilët dëshirojnë të votojnë në ambasadat dhe konsullatat e shtetit tonë, si dhe përmes postës, në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025. E përgëzoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën e mirë që ka bërë gjatë kësaj kohe duke mundësuar një proces efikas regjistrimi për të gjithë. Prandaj, sot, ju ftoj të gjithëve që, duke u regjistruar përmes platformës së KQZ-së, t’ia mundësoni vetes të drejtën tuaj të votës për zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
I pari i PDK-së ka kërkuar prej diasporës që ta mbështes kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
“Partia Demokratike e Kosovës, përmes strukturave të saj në mërgatë, do të jetë e angazhuar dhe në dispozicion të plotë për të ndihmuar e lehtësuar këtë proces për bashkatdhetarët tanë. Vetëm bashkë, duke votuar Bedri Hamzën për Kryeministër, mund ta rikthejmë atdheun tonë të përbashkët, Kosovën, në kursin e zhvillimit dhe integrimit. Afati i regjistrimit fillon sot dhe përfundon më 26 dhjetor”, ka vlerësuar Krasniqi.
Ftesë për regjistrimin e diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka bërë edhe Donika Gervalla, njëra nga kryetarët e partisë Guxo dhe ministri e Punëve të Jashtme.
“Së bashku me KQZ-në jemi duke punuar çdo ditë për t’i siguruar secilit qytetar të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, ashtu si e parashohin ligjet e Republikës së Kosovës, të drejtën dhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Secilit dhe secilës që dëshiron të japë votën e tij dhe votën e saj, dhe në mënyrën që ai dhe ajo vetë zgjedhin për të votuar”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Sipas saj, e drejta për të votuar është e drejtë kushtetuese se secilit.
“E drejta e mërgatës për të votuar, si e drejtë themelore demokratike, buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa mënyra e votimit rregullohet me Ligjin e ri Zgjedhor, të miratuar gjatë këtij mandati qeverisës nga Kuvendi i Kosovës. Është detyrim i të gjitha institucioneve tona të krijojnë dhe sigurojnë të gjitha mundësitë e parapara me ligj. E drejta e votës për mërgatën nuk guxon të mbetet vetëm në letër. Ajo duhet të mundësohet kudo dhe për të gjithë”, ka shkruar ajo.
Edhe partia në pushtet nuk ka qëndruar duarkryq në këtë drejtim.
Me t`u hapur procesi i regjistrimit, VV-ja e ka ftuar mërgatën që të bëhet pjesë e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju mundëson shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët jetojnë jashtë Kosovës, të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Periudha e regjistrimit për votim jashtë Kosovës, fillon me datë 29 gusht 2024 dhe përfundon me datë 26 dhjetor 2024”, është thënë në njoftimin e VV-së.
Më 29 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar periudhën e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë zgjedhjet e para që diaspora e Kosovës do të mund të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vende e huaja.