Refuzimi i Kurtit dhe paralajmërimi i Gjermanisë: Çka thanë Qeveria, Sarrazin e Rohde për takimin e para një jave? - NACIONALE

Refuzimi i Kurtit dhe paralajmërimi i Gjermanisë: Çka thanë Qeveria, Sarrazin e Rohde për takimin e para një jave?

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde të enjten zbuloi se kryeministri Albin Kurti refuzoi një kompromis të propozuar nga emisari gjerman, Manuel Sarrazin rreth CEFTA në mënyrë që UNMIK të zëvendësohet me Kosovën në bord. Për kompromis, kishte folur ky i fundit pas largimit nga Prishtina, ku qëndroi javën e kaluar.

Siç kishte raportuar Nacionale para një jave, Sarrazin para mediave kishte deklaruar që duhen rezultate konkrete para tetorit kur pritet të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.

“Ne duam të bëjmë një kapërcim ambicioz në tetor në Berlin. Sot isha në Prishtin dhe tash udhëtoj në rajon për të përgatitur rezultate konkrete në rajon, që të ecim para, për jetët e njerëzve.

Por, për këtë na duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmërinë për të bërë lëshime për t’u pajtuar në ujdi politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as të lehta për Kosovën.” – kishte thënë ai, transmeton Nacionale.

Por në njëfarë mënyre, Sarrazin kishte konfirmuar se kompromisi nuk është pranuar.

“Po ec tash, i brengosur, që nuk jemi ende aty, nëse nuk sjellni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë për t’i dhënë sinjal të fort që bashkëpunimi rajinal, dhe tregu i përbashkët rajonal, dhe Procesi i Berlinit që është formati në rajon që mundet të sjellë rezultate konkrete për qytetart

U kërkoj të gjithëve që të bëjnë çka të jetë e mundur për gatishmërinë për kompromise në ato rezutlate për lirinë e mallrave, të njerëzve, parave dhe tregtisës në rajon, bashkë drejt BE-së.” ishte shprehur ai.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në lidhje me takimin njoftoi:

“Në takim u bisedua për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.

Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen”.

Çka tha Rohde?

Pak ditë pas takimit, ambasadori gjerman në rrjetin social “X” ka shkruar se kompromisi nuk u arrit.

Madje, ai paralajmëroi se shtetet e tjera nëse është e nevojshme do të ecin para pa Kosovën.

“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit.” - ka shkruar ai.

Për këtë, më pas reagoi edhe ish-kryediplomati Petrit Selimi, i cili u shpreh:

“Mendoj se ky është një lajm i keq. I tmerrshme në fakt, por aspak i habitshëm”.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave serbe pas kidnapimit të tre oficerëve policorë kosovarë nga shteti serb në verën e vitit të kaluar.

Kërkesa për heqjen e kësaj ndalese është kërkuar nga Bashkimi Evropian edhe si kusht që Kosova të jetë përfituese në Fondin e Rritjes prej 6 miliardësh, ku vendi supozohet të ketë qasje në rreth 900 milionë euro.

Lajme të ngjashme