“Raporti më negativ që ka marrë Kosova”; “99 % e gjerave të mira”: Opozita e alarmuar me gjetjet e Raportit të BE-së, Qeveria e gëzuar
Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën, për vitin 2024, i cili i është publikuar sot, ka nxitur reagime të ndryshme në vend. Gjetjet e Raportit të Progresit janë parë më sy të ndryshëm nga pozita dhe opozita.
Derisa Qeveria e shesh si shumë pozitiv raportin në fjalë, opozita vlerëson se ky është raporti më i keq që e ka marrë Kosova ndonjëherë.
Ndër të paret që e ka kritikuar Qeverinë Kurti për gjetjet e raportit ka qenë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar për mesazhe kryesore të raportit.
“Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta: Kosova mbetet nën sanksione! Kosova është duke u keq-qeverisur! Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi! Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres. Tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Republikës së Kosovës, e për të cilët Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, raporti është shqetësuar dhe alarmues.
“Fatkeqësisht, dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit. Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit. Raporti është shqetësues dhe alaramues, e të cilit nuk i gëzohet askush, por i cili kërkon vëmendjen dhe reagimin e qytetarëve. Lajmi i vetëm i mirë në këtë mes është se 9 shkurti po afrohet, dhe me të, edhe fundi i kësaj Qeverie. Qytetarët tanë, shteti ynë, meritojnë më mirë dhe më shumë. Meritojnë një Qeveri të përgjegjshme, e cila do ta rikthej Kosovën në drejtimin e duhur. Tjetër alternativë nuk ka!”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar me gjetjet e raportit.
Kjo parti opozitare ka vlerësuar se raporti për Kosovën nënvizon sfidat e vazhdueshme në Kosovë.
Sipas kësaj partie, raporti thekson nevojën urgjente për ndryshim.
“Raporti i Progresit për vitin 2024 nga Komisioni Evropian i publikuar sot, nënvizon sfidat e vazhdueshme në Kosovë, por mbi të gjitha, thekson nevojën urgjente për ndryshim. Raporti gjithashtu e thekson qartë situatën ekonomike në Kosovë—“ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me vitet e mëparshme”. LDK është e përkushtuar dhe do të punoj fort për të rikthyer pavarësinë e mediave dhe për të mbrojtur institucionet demokratike nga ndërhyrjet politike. Ne do të reformojmë gjyqësorin për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri, si dhe do të luftojmë korrupsionin me vendosmëri”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Kjo parti ka vlerësuar se Kosova meriton qeverisje më të mirë.
“Ndërsa këto janë rezultatet e paaftësisë së qeverisë aktuale; fokusi ynë do të jetë në krijimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive të reja në vend, në mënyrë që kosovarët të mos detyrohen të largohen. Kosova meriton një qeveri që i përmbush premtimet e saj. LDK do të udhëheqë pastër dhe me integritet. Është koha për ndryshim të vërtetë, tani!”, është thënë në reagimin e LDK-së.
Qeveria nuk do të flasë për gjerat negative
Qeveria e Kosovës nuk ka dashur të flasë për kritikat e Raportit të Progresit.
Zëvendëskryeministrit të Parë të Kosovës, Besnik Bislimi, pretendon se 99 e gjerave në këtë raport janë të mira.
Në një konferencë për media, pasi pranimit të raportit nga shefi i Zyrës së BE-së, ai kë kërkuar nga mediat që t`i shohin gjerat e mira në këtë raport.
“Të gjitha mediat e Republikës së Kosovës kanë akses në raport dhe është mirë me i pa se cilat janë anët pozitive. Se çdo media që e do pak Kosovën dhe do me e pa Kosovën duke ecur drejt BE-së është mirë me i pa 99 për qind të mirave që gjenden në raport. Në qoftë se misioni është në një mal të mirë me e gjet ndoshta një degë që nuk funksionon, unë nuk mund të jem pjesë e atij misioni, kërkoj falje”, ka thënë Bislimi.
Megjithatë, ai është zotuar se Qeveria e Kosovës do t`i zbatojë të gjitha rekomandimet e raportit në fjalë.
“I mirëpres rekomandimet e këtij raporti, do të vazhdojmë zbatimin e këtyre rekomandimeve, pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës, masa që janë në kundërshtim me vlerat e BE-se. Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe besoj se konform rekomandimit të Borell, Këshilli i Ministrave do t’i heqë masat ndaj Kosovës”, është shprehur Bislimi.
Për gjetjet e raportit ka folur edhe deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se raporti ka vlerësuar luftimin e korrupsionit.
“Raporti i Kosovës 2024 përgëzon masat kundër korrupsionit të ndërmarra nga Kosova, duke përmendur krijimin e Njësisë Speciale Hetimore në Policinë e Kosovës dhe miratimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, i cili përcakton qartë kompetencat për trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Sipas raportit, “përpjekjet e Kosovës kanë çuar në uljen e korrupsionit në nivel të lartë,” duke treguar një përparim të konsiderueshëm në transparencë dhe llogaridhënie”, ka shkruar Rexhaj.