Rama thirrje OKB-së për të mbështetur një raport të ri që kundërshton pretendimet e Dick Marty-t - NACIONALE

Rama thirrje OKB-së për të mbështetur një raport të ri që kundërshton pretendimet e Dick Marty-t

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Në një fjalim të rëndësishëm para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i vuri në tryezën e kësaj organizate një sërë çështjesh që lidhen me interesin kombëtar duke e mbyllur fjalimin e tij në fund me një thirrje të drejtpërdrejtë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara rreth raportit të Dick Marty-t.

Rama kërkoi nga ky institucion të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të prodhuar një raport të ri që kundërshton me prova dhe fakte raportin e Dick Marty-t, i cili sipas Ramës, jo vetëm që ka njollosur qëllimisht UÇK-në, por edhe vetë historinë e Kosovës.

I pari i ekzekutivit të Republikës së Shqipërisë e hodhi poshtë raportin si trillim dhe fantazi, dhe theksoi në vija të trasha faktin se në “bazë” të një trillimi të tillë që deklaroi politikani zviceran në vitin 2011, liderët e UÇK-së edhe sot janë të burgosur padrejtësisht.

Ai akuzoi Marty-n të ishte paguar si tregimtar por jo edhe si raportues i Këshillit të Evropës. Në bazë të kësaj, sipas Ramës, u bë e mundur ngritja e Dhomave të Specializuara.

“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty-t ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Evropës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifesti kundër pavarësisë së Kosovës.”, tha Rama.

Tutje Rama tha se OKB duhet të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport të tillë në mënyrë që ndihmohet rivendosja e besueshmërisë ndaj një organizatë kaq të rëndësishme.

"Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin, ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të ketë nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme.”, tha Rama.

Kujtojmë me propozim të Partisë Socialiste, kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë e cila kundërshton një raport të KE-së me pretendime për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Rezoluta është miratuar në mënyrë unanime, me 125 vota të deputetëve.

Raporti i vitit 2010, i autorizuar nga senatori i atëhershëm zviceran Dick Marty dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të përfshirë në trafikimin e organeve ndërmjet viteve 1998-1999.

Kjo rezultoi në themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në vitin 2015 për të hetuar krimet e supozuara të kryera nga anëtarët e UÇK-së.

Në Gjykatën Speciale tashmë ka filluar procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Lajme të ngjashme