Rama i sjell 46 vende evropiane në Tiranë, Kurti merret me ditëlindje në Facebook - NACIONALE

Rama i sjell 46 vende evropiane në Tiranë, Kurti merret me ditëlindje në Facebook

6 muaj më parë

nga Col Mehmeti

47 krerë vendesh evropiane e udhëheqës institucionesh e organizatash, si Këshilli Evropian, Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Fondi Monetar e NATO, do të mësyjnë Tiranën për samitin e 16 majit të Komunitetit Politik Evropian. Përveçse një afirmim i rëndësisë së shtetit shqiptar, ky samit është cilësuar edhe si mundësi për promovimin e Shqipërisë turistike. “Fuqizim i dinjitetit të flamurit shqiptar në arenën ndërkombëtare”, e ka cilësuar kryeministri shqiptar, Edi Rama. Lajme të tilla nuk ka dhënë thuajse asnjëherë kryeministri tashmë i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti. I vetmi afish në faqen e tij në ‘Facebook’ ka qenë urimi i tij për përvjetorin e lindjes së Ejup Statovcit.

Tirana do të hapë dyert për krerët e qeverive nga nga më shumë se dyzet vende evropiane dhe të organizatave të rëndësishme politike e ushtarake.

Më 16 maj, Komuniteti Politik Evropian (EPC) do të mbajë samitin e tij të gjashtë me radhë në kryeqytetin shqiptar.

Duke pasuar mbledhjet e viteve të kaluara të mbajtura në Republikën e Çekisë, Moldavi, Spanjë, Britani dhe Hungari, Shqipëria bëhet vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që mirëpret një ngjarje të shënuar evropiane.

Ky samit, gjatë të cilit do të shtrohen çështje kryesisht të sigurisë evropiane në dritën e invazionit rus në Ukrainë, është vlerësuar si njohje e rolit gjithnjë e më të fuqishëm të shtetit shqiptar në kuadrin politik evropian.

Rama: “Tirana bën bashkë kontinentin demokratik”

Kryeministri, Edi Rama të enjten e ka quajtur samitin e 16 majit si një mundësi që Shqipëria t’i bëjë vetes promovim në të gjitha aspektet.

Në bashkëbisedim me qytetarët te rubrika ‘Sy m’Sy’ në RTV KLAN, ai ka thënë se Tirana më 16 maj mbledh udhëheqs të kontinentit nga Londra deri në Ankara, nga Stockholmi e Oslo deri në Athinë e Baku.

“Ky është një fuqizim i mëtejshëm i dinjitetit të flamurit tonë në arenën ndërkombëtare, por edhe një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë turisitike”, ka thënë Rama.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Tirana do të jetë epiqendër e politikës evropiane, me ç’rast Evropa do t’iu japë përgjigjje disa pyetjeve në lidhje me sigurinë, rritjen ekonomike, pabarazinë dhe mjetet për zbutjen e kostove gjithnjë e në rritje të jetësës.

“Do të jetë një promovim i Shqipërisë, rritjes së kuotave të saj në arenën ndërkombëtare, forcimit të imazhit, fuqizimit të dinjitetit, por edhe mundësi për promovimin e Shqipërisë turiistike”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se Shqipëria gjatë muajit maj do të jetë në ekranin e gjithë bitës, ndaj, sipas tij, ky është një moment që të mbyllet hendeku i krijuar prej shekujsh mes Shqipërisë dhe Evropës.

“Unë jam shumë optimist se në këto 100 metrat e fundit drejt finishit po rritet adrenalina dhe energjia e përgjithshme politike”, ka thënë më tej Rama.

Një forum i nisur nga Macroni

I themeluar në maj të 2022-s me propozim të presidentit francez Emmanuel Macron pas invazionit rus në Ukrainë, Komuniteti Politik Evropian është një forum ndërqeveritar për diskutime politike e strategjike mbi të ardhmen e Evropës.

Ai ia kishte bërë sefte me samitin e parë të mbajtur në tetor të 2022-s në Pragë, ku kishin marrë pjesë 44 vende evropiane, ashtu sikurse edhe presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Rregulli i pashkruar i samiteve të këtij forumi është që ato mbahen dy herë në vit, njëri në pranverë që organizohet nga një vend joanëtar i BE-së, dhe tjetri në vjeshtë që mbahet nga një vend anëtar i BE-së.

Pas Pragës, Moldavia kishte pasur nderin që të ishte mikpritësja e dytë e samitit në qershor të 2023-s, kurse në vjeshtë të po të njëjtit vit qe mbajtur edhe në Spanjë.

Vitin e kaluar Mbretëria e Bashkuar ishte organizatore e samitit pranveror, kurse Hungaria e samitit vjeshtor.

Pas Shqipërisë, Danimarka sivjet do ta mirëpresë samitin vjeshtir.

Për këto vite të mbajtjes së këtyre samiteve, Komuniteti Politik Evropian ka shënuar disa arritje jo të vogla.

Kështu, për shembull në samitin e parë ishte rënë në ujdi që një mision i udhëhequr nga BE-ja të vendosej në anën armene të kufirit me Azerbejxhanin në një periudhë dymujore për mbikëqyrjen e krizës kufitare mes dy vendeve.

Pas kësaj u vendos një mision i BE-së me mandat më të gjatë në Armeni.

Në samitet e radhës ishte rënë në ujdi edhe për riafrimin e Mbretërisë së Bashkuar me institucionet evropiane, ashtu sikruse edhe për mbështetje logjistike për një mision civil të BE-së në Kisinau të Moldavisë.

Ditë të mira për Shqipërinë po vijnë…

Për shumë analistë e njohës politikë, zhvillimet e fundit janë vlerësuar si ogure tejet të mbara për afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shtim të gjasave të saj për anëtarësim në BE.

Mesazhin më shpresëplotë e ka dhënë tre ditë më parë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Duke folur për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, ajo ka thënë se “Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të mirë në reforma.”

Më 7 prill, udhëheqja e diplomacisë së BE-së kishte vizituar Podgoricën dhe Tiranën zyrtare, ku dhe kishte zhvilluar takime me instancat më të larta.

Në Tiranë, Kallas e kishte cilësuar Shqipërinë si “partnere të fuqishme të Bashkimit Evropian.”

Pyetjes nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo iu përgjigj pozitivisht duke thënë se kjo varet edhe nga fakti nëse Shqipëria i ndërmerr hapat e duhur.

Mesazhe të tilla shpresëdhënëse ka dhënë edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos: “Mali i Zi dhe Shqipëria mund të anëtarësohen më 2026 ose 2027. Por, bisedimet për zgjerim bëhen vetën nëse rajoni është stabil. Tani, ai nuk është i tillë. Dhe kjo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për synimet strategjike të BE-së.”

Prishtina e Kosova nuk figurojnë në harta organizimesh


Në anën tjetër, Kosovës e Prishtinës nuk duket se iu trokasin në derë mundësi të tilla.

Përveç sanksioneve të dyfishta nga BE dhe ShBA që ende janë në fuqi, Kosova ka pushuar së qeni prioritet serioz dhe ajo përmendet vetëm në kontekstin e përparimeve në bisedimet me Serbinë.

Ajo rëndom nuk figuron në hartën për organizime konferencash a takimesh me rëndësi kombëtare – e vetmja ngjarje që është organizuar ishte ajo e vjetshmja ku në vjeshtë u organizua një konferencë për edukimin mediatik në Ballkanin Perëndimor. /NACIONALE/

C.M

Lajme të ngjashme