Radomiroviq demanton pretendimet për zjarrëvënie të veturave në veri: “Do ta padis portalin Kosovo-Online”
Kanë marrë hovin në kanale serbe në “Telegram” dhe tabloide të afërta me qeverinë serbe si "Novosti" disa audioregjistrime ku pretendohet se Zëvendës Ministri për Komunite dhe Kthim, Radoica Radomiroviq gjoja “instrukton” dikë për zjarrëvënie të veturave në veri të Kosovës.
Lista Serbe ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke e marrë si të mirëqenë autenticitetin e këtyre regjistrimeve, e duke e akuzuar Radomiroviqin si “piroman me përvojë”.
“Besojmë se ky audio incizim do të mjaftojë që policia dhe autoritetet përkatëse të arrestojnë Radomiroviqin dhe të shqyrtojnë përfshirjen e tij të mundshme këtë javë, të cilat po shkaktojnë shqetësimin e qytetarëve”, kanë shkruar Lista Serbe.
Kontaktuar nga Nacionale, zv/ministri Radomiroviq e mohon përfshirjen e tij në këto pretendime ndaj tij për zjarrëvënie, ndërsa për audioregjistrimet thonë se “janë të prera, të montuara dhe të redaktuara” me qëllime dashakeqe; ndërsa për bisedën që i atribuohet si “fakt” për përfshirjen e tij, thotë se ka qenë një bisedë krejt tjetër dhe për një rast të vitit 2020.
“Ju duhet ta dini mirë gjuhën serbe dhe të interpretoni, prandaj nuk po jap udhëzime, por po tregoj se si Dragan Aksentijevic i vuri flakën makinës së Slavko Simiqit. Unë kam edhe dëshmitarë kur folëm më 18 nëntor të vitit 2023. Videoja është prerë nga një punëtor dhe e nxjerr jashtë konteksti. Regjistrimi është bërë nga Stefan Stefanoviq. Të gjitha regjistrimet janë prerë dhe redaktuar, nuk ka vazhdimësi të gjithë bisedës”, tha Radomiroviq në një përgjigje me shkrim për Nacionalen.
Rreth momentit të bisedës – dhe regjistrimit – Radomiroviq thotë se kanë qenë gjashtë persona në tavolinë në një bisedë që thotë se është e nëntorit 2023, dhe jo e shkurtit të këtij viti.
“Unë po e padis portalin Kosovo-Online, sepse po publikon informacione të rreme. Kushtojini vëmendje videos ku unë them citimin: DHE E VENDOSI NËN MAKINE”, na tha Radoica Radomiroviq.
Çka thuhet në inçizimin e pretenduar?
“I hedh 100 gram benzin nën fshirëse të xhamave. Dhe, tung! S’ka kush që e fikë atë pastaj, sepse flaka e kap edhe plastikën...Dhe, kjo nuk fiket më. Ose nën veturë. E ndezë zjarrin nën veturë...e aty ka yndyrëra, kabllo, pastaj është edhe tabela e instrumenteve. Flaka shpërthen menjëherë, dhe ajo nuk fiket më. Kaq, tungjatjeta”, pretendohet të thotë Radomiroviq, për çka ky i fundit thotë se është prerë dhe aranzhuar për të tingëlluar ashtu; ndërsa thotë se fjala ka qenë për një rast të vitit 2020 për mënyrën se si i ishte djegur vetura e Sllavko Simiq.