QUINT, fjalët e Escobarit, raporti i komisioneres: Kosova përballë një urgjence tjetër – Manastiri i Deçanit - NACIONALE

QUINT, fjalët e Escobarit, raporti i komisioneres: Kosova përballë një urgjence tjetër – Manastiri i Deçanit

11 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Shtatë vite pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit, shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian iu desh të dalë me një komunikatë të ngjajshme si herave të kaluara – “respektoni vendimin”. Megjithatë, kësaj radhe Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti iu përmend edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës, pak ditë pasi u pranua aplikimi. Komunikata, fjalët e emisarit Gabriel Escobar dhe raporti i komisioneres së KiE-së – çka duhet të dijmë?

Aleatët e Kosovës në këtë 7 vjetor të vendimit kanë përçuar një mesazh duke lënë të kuptohet se mosrespektimi i vendimit, mund ta pengojë anëtarësimin e vendit në KiE.

Pak ditë pasi Kosova mori lajmin e mirë për pranimin e aplikimit për anëtarësim, Qeveria po përballet me një urgjencë tjetër për të cilën njëjtë si për Asociacionin – kishte thënë se nuk do ta zbatojë.

Komunikata e QUINT-it dhe ShBA-së

Mëngjesin e së shtunës Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të dilnin me një komunikatë ku sërish, Kosovës do t’i kërkohej që me urgjencë ta zbatojë “regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”.

Kësaj here, ajo që ka marrë më shumë vëmendje, është një prej fjalëve të fundit, në paragrafin e fundit të kësaj komunikate.

Qeverisë së drejtuar nga Kurti, aleatët i kanë bërë të ditur se mosrespektimi i vendimeve të gjyqsorit, mund të ndikojë në përparimin e rrugës drejt anëtarësimit në KiE.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të nevojshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejshëm në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë për këtë përparim.” – thuhet tutje.

Fjalët e Escobar

Në një komunikim të tij me gazetarët, i dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kishte përmendur Këshillin e Evropës dhe vendimin për manastirin e Deçanit në një përgjigje të tij.

Derisa ishte pyetur nëse Serbia ka shkelur marrëveshjen e Ohrit duke votuar kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Escobar ia kishte lënë këtë për ta vendosur BE-së.

Por, megjithatë ai e dha një qëndrim të shtetit që përfaqëson, duke u shprehur si vijon: “Pra, nuk është domosdoshmërisht një fitore”.

Këtu, e kishte fjalën për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, derisa vijoi me fjalët “…është një detyrim”.

Pse nuk është një fitore? Emisari Escobar e kishte arsyetuar qëndrimin e tij me atë se është deyrim që përmirëson marrëdhëniet, por se duhet të ketë lëvizje dhe këtu, pikërisht në vendimin për Manastirin e Deçanit.

“Do të duhet të shohim lëvizje për adresimin e disa shqetësimeve legjitime që ka komuniteti serb në veri të Kosovës për trajtimin e tyre dhe për moszbatimin e disa vendimeve të gjykatës kushtetuese, përfshirë vendimin për mbrojtjen e manastirit të Deçanit.” ishte shprehur ai.

Raporti i komisioneres së KiE-së

Fiks para një viti, në Kosovë për vizitë qëndroi komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq. Disa muaj më vonë, gjetjet e kësaj vizite ajo i kishte hartuar në një raport.

Në pikën 59 të raportit, ishte shprehur keqardhja që autoritet e Kosovës nuk po e respektonin këtë vendim, ku konfirmohej pronësia e Manastirit për mbi 24 hektarë tokë përreth.

“Komisionerja shpreh keqardhjen që autoritetet ende nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga maji 2016, duke konfirmuar të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë në afërsi të tij. Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese njoftoi Kryeprokurorin e Shtetit për moszbatimin e aktgjykimit të vitit 2016. Përderisa Manastiri ka posedimin material të kësaj toke, autoritetet lokale deri më tani kanë refuzuar regjistrimin e pronësisë në librat kadastralë.” – thuhej në raport.

Madje, në raport ishin ngritur pikëpyetje se a respektohet ligji në Kosovë.

“Siç u diskutua me autoritetet, Komisionerja konsideron se moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast shtron pyetje të rëndësishme në lidhje me respektimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejshme.” – shkruante mes tjerash.

Lajme të ngjashme