Qeveria tregon tri temat që u diskutuan sot me Lajçakun: Hapja e urës, plani i sekuencimit dhe takimi i radhës - NACIONALE

Qeveria tregon tri temat që u diskutuan sot me Lajçakun: Hapja e urës, plani i sekuencimit dhe takimi i radhës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se sot zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dhe emisari special të BE-së, Miroslav Lajçakm, kanë diskutuar për tri çështje.

Në njoftimin për media të Qeverisë është thënë se temë e diskutimit në këtë takim ka qenë edhe çështja e hapjes se urës së Ibrit.

“Diskutimet përgjatë takimit u përqendruan në tri tema kryesore: dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Më tej, sipas njoftimit, Bislimi ka treguar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut në Bruksel.

“Ai nënvizoi se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog. Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”, është thënë në njoftim.

Lajme të ngjashme