Qeveria bën 'fushatë' për opozitën në Maqedoni: E godet Bujar Osmanin për planin e OSBE-së në veri - NACIONALE

Qeveria bën 'fushatë' për opozitën në Maqedoni: E godet Bujar Osmanin për planin e OSBE-së në veri

3 javë më parë

nga NACIONALE

Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, po del se nuk është veç një vendim i një partie politike në Kosovë.

Tashmë duket që VV-ja, parti që ka pushtetin në Kosovë, po e shfrytëzon pushtetin për t’u pozicionuar politikisht kundër disa partive në Maqedoninë e Veriut. Më saktë kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit.

Por, si po e bën këtë?

Tashmë edhe aparati shtetëror është funksionalizuar. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në cilësinë e zëdhënësit, ka goditur direkt kandidatin për president nga BDI-ja, Bujar Osmanin.

Mbase, nuk është e rastësishme sepse pak ditë më parë kryeministri Kurti e priti rivalin e Osmanit, Arben Taravarin në takim.

Megjithatë, goditja kësaj radhe është tentuar të duket më diplomatike. Përparim Kryeziu e ka përmendur planin e OSBE-së rreth situatës në veri muaj më parë, në kohën kur Osmani e udhëhiqte presidencën e OSBE-së. Një plan që dihej kohë më parë se ishte realizuar nga Bujar Osmani.

“Në planin 9 pikësh të OSBE-së, Kosovës i kërkohet të tërheqë Policinë Speciale nga veriu i Kosovës, teksa Serbisë vetëm të ulë gatishmërinë e Ushtrisë (Pika 2). Pra, Kosovës të largojë forcat që rezultuan që garantojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të vendit, kurse Serbisë të ulë gatishmërinë e forcave që kërcënojnë me agresion sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, e nis postimin zëdhënësi Kryeziu.

“Po ashtu, pika 3 e po atij plani, sygjeron që për sigurinë në terren, përgjegjëse të bëhet policia e rregullt, me asistencën e KFOR-it dhe EULEX. Gati katër muaj më pas, me 24 shtator, një patrollë e policisë së rregullt u sulmua nga trupa paramilitare, me armatim të sofistikuar, të financuar e mbështetur nga shteti i Serbisë. Aty mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi, Afrim Bunjaku. Rendin dhe sigurinë në terren brenda ditës e riktheu Policia Speciale e Kosovës. Po mos të ishte kjo njësi në veri, sot do të njihnim një realitet tjetër pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë”, thekson ai.

May be an image of 4 people

“Plani gjithashtu i kërkon Kosovës që kryetarët e katër komunave në veri të japin dorëheqje në verën e vitit të kaluar (Pika 5). Ashtu siç kërkonte me ngulm edhe Serbia, e cila shpresonte që në këtë mënyrë të zhbënte shpejt gabimin e saj me rastin e thirrjeve për serbët e Kosovës që të braktisin institucionet e Kosovës dhe të bojkotojnë zgjedhjet në katër komunat në veri”, thuhet në postim.

Zëdhënësi i Qeverisë vendos ta luajë të ‘painformuarin’, duke thënë se tek dje e kanë marrë vesh që ky plan është hartuar nga vet Bujar Osmani. Madje, Kryeziu shkon aq larg sa thotë se Bujar Osmani e sheh Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Një postim që nuk duket rastësi duke ditur përfshirjen kokë e këmbë të VV-së në zgjedhje, me këshilltarin e Kurtit atje, Bekim Qokun.

“Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë. Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale. Dorëheqje të kryetarëve nuk ka. Ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja në këto komuna që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu”, ka shkruar Përparim Kryeziu.

Ky reagim vjen pas një interviste që bëri dje Bujar Osmani në Kallxo.com. Pra, duket se zëdhënësi nuk e ka zbuluar 'ujin e nxehtë'

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka treguar se çfarë ka bërë për Kosovën gjatë kohës sa ka qenë kryesues i OSBE-së.

“Fillimisht kam qenë në vizitë në Prishtinë. Përveç takimit me presidenten, kryeministrin , ministren e jashtme, me kryeministrin vizituam edhe Akademinë për policë, ku i përshëndetem policët e rinj përfshirë edhe ata të komuniteteve. Për së dyti pastaj dola me planin 9 pikësh për deeskalim në veri të Kosovës, si kryesues i OSBE-së për shkak se me vendim të OSBE-së është vështirë të merren vendime për shkak se janë me konsensus atje dhe prandaj shfrytëzova mandatin tim si kryesues që të dal me planin 9 pikësh i cili pastaj u bë edhe plan i Qeverisë së Kosovës për deeskalim, përfshirë këtu shpalljen e zgjedhjeve dhe normalizimin e situatës atje”, ka thënë Bujar Osmani.

Lajme të ngjashme