"Qetësi absolute, errësirë, dritat veç te kamionët": Rrëfimet e policëve për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë
24 shtatori i vitit të kaluar në Banjskë, kishte zbardhur me të shtënat e armëve. Përfshirë zolla, granata të dorës, kallashnikovë, e armatime të tjera.
Plani që kishte nisur prej vitit 2021, kulmoi me sulmin e Banjskës ku grupi terrorist i financuar nga Serbia, synoi aneksimin e veriut të Kosovës.
Synimi ishte të vendoseshin dy kamionë në Urën e Banjskës, me qëllim të krijimit të terrenit të hapur për të sulmuar Policinë e Kosovës.
Si pasojë e këtij plani dhe të shtënave, humbi jetën polici, tash heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ka zbardhur detaje nga krejt ngjarja.
Fillimisht, në aktakuzë janë dhënë deklaratat e tre policëve që të paret kishin hasur në bllokimin e rrugës në fshatin Banjskë.
Ata kanë treguar se pasi ishte bërë ndërrimi në pikën kufitare në Izvor, kanë vazhduar në drejtim të fshatit Banjskë për tu kthyer në Stacion në Kushtovë të Vllahisë.
Me të arritur tek ura, që shpie për fshatin Banjskë, kanë treguar ata, kanë vërejtur se mbi urë të hyrjes së fshatit ishin vendosur 2 kamionë, të cilët e kishin bllokuar rrugën.
Më pas, ata e kanë informuar Dhomën Komanduese për të dërguar njësi shtesë për të ardhur në vendin e ngjarjes, ndërsa atyre u është thënë që të kthehen dhe të qëndrojnë në lokacion dhe të bëjnë foto të kamionave të cilët kanë bllokuar rrugën dhe t’ua dërgojnë.
“Pasi janë kthyer në lokacion, janë koordinuar me kolegët, që njëri koleg - Çlirimi të rrijë afër veturës të cilën e kanë ndalur rreth 30 m larg urës apo kamionave të dyshimtë, ndërsa ky (dëshmitari) dhe kolegu Mirsadi janë afruar për të vëzhguar rreth kamionëve, mirëpo nuk kanë vërejtur asgjë të dyshimtë, asnjë lëvizje të njerëzve apo diçka të tillë, ka qenë një qetësi thuajse absolute në atë zonë. Aty kanë qëndruar rreth 15-20 minuta derisa kanë ardhur njësitë shtesë që janë dërguar nga Dhoma Komanduese”, thuhet në aktakuzë, duke cituar dëshmitarin A.R.
Më pas, tregohet se policëve si përforcime u janë ardhur edhe dy vetura zyrtare me disa zyrtarë policorë.
Njëra veturë ka qenë Toyota, në të cilën ka qenë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ai tregon se si janë dëgjuar të shtënat e para.
Kurse, polici M. K. ka dhënë detaje tjera.
Në deklaratën e tij, ai ka treguar se të shtënat kanë filluar pasi policia është ofruar të kamioni.
“Ky (dëshmitari) ka shkuar tek kamioni qe ishte më në brendësi te urës ndërsa polici tjetër nga Stacioni Policor i Zveçanit është afruar tek kamioni që e kishte derën hapur. Posa ka tentuar ta hap derën e kamionit, kanë filluar të shtënat me armë zjarri në drejtim të tyre dhe në atë moment është larguar nga kamioni dhe është tërhequr në drejtim të kolegëve ku ishin të pozicionuar. Atëherë, gjate shkuarjes në drejtim të kolegëve, Rreshterin e ka parë që ishte përballë në një distance 5-7 metra dhe papritmas ka parë që në anën e djathtë të tij shume afër, ka shpërthyer një detonim dhe është bërë pluhur aty afër tij dhe ka vërejtur se pas këtij detonimi Rreshteri ka rënë në tokë. Pastaj, është afruar tek ai dhe e ka vërejtur se plagët e tij janë në fyt dhe ka gjakderdhje, ka tentuar që ta tërheq në një vend me të sigurtë por nuk ka arritur për shkak të shtënave në drejtim të tyre të cilat ishin pa ndërprerë. Në këtë moment ka filluar të shtijë në drejtim të pozicioneve sulmuese dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar edhe nga kolegët që të shtijnë në drejtim të njëjtë, si dhe ka kërkuar nga kolegu Çlirimi që ta sjellë veturën për ta tërhequr Rreshterin dhe ta fusin në veturë. Kolegu Çlirimi ka tentuar që ta sjellë veturën, mirëpo vetura ka qenë e pa lëvizshme për shkak të shtënave dhe ai është larguar nga vetura dhe ka ardhur në drejtim të tyre”, thuhet në aktakuzë, duke e cituar deklaratën e policit M.K.
Detaje domethënëse kanë dhënë edhe policët tjerë, që se bashku me rreshterin Afrim Bunjku iu kishin shkuar në ndihmë kolegëve të tyre.
Në deklaratat e tyre, ata kanë treguar se diku rreth orës 02:30 të datës 24.09.2023, derisa ishin në stacion në Zveçan, një njësi e Njësi Kufitare përmes radiolidhjes ka njoftuar Dhomën Komanduese së në hyrje të fshatit Banjskë janë vendosur dy kamionë të ngarkuar me rërë dhe kanë bllokuar hyrjen në fshat.
Pasi e kanë marrë këtë informatë, ata se bashku me rreshterin e ndjerë me dy vetura ishin nisur për në vendin e ngjarjes.
Polici me inicialet E.P. në deklaratën e tij ka përshkruan gjendjen e fshatit Banjskë në ato momente.
Ai ka treguar se menjëherë kishte shprehur dyshime se kjo mund të ishte një kurth.
“Gjatë ecjes, ka vërejtur se fshati ishte shumë i errësuar dhe shumë rrallë shiheshin drita të ndezura, kurse rruga tek barrikada ishte tepër e ndriçuar, dhe kjo e kishte vënë në dyshim se diçka e pazakontë po ndodhte, andaj kishte kërkuar nga kolegët që të ndahen nëpër pozicione pasi që mund të ishte një kurth. Tutje, ka deklaruar se pa kontaktuar fare me kolegët e NJNSH-së është nisur në këmbë në drejtim të rrugës së Izvorit ku afër urës ishte një kamion i vogël ngjyrë gjelbër në skaj të rrugës ndërsa prapa tij ishte Sedat Dushi dhe një koleg tjetër nga NJNSH. Më pas ka kërkuar nga kolegu Sedat që ta përcjellë rrugën për Izvor që të sheh se a ka ndonjë lëvizje. Papritmas ka ndodhur një detonim i madh afër tyre, ndërsa pas këtij detonimi kanë pasuar të shtënat me armë nga disa lokacione të fshatit Banjskë në drejtim të tyre”, ka deklaruar ai, sipas aktakuzës.
Deklaratë të ngjashme ka bërë edhe polici me inicialet A. Sh.
Ai ka treguar se porsa kolegu i tyre E. P. kishte thirrur që të kenë kujdes se kjo mund të jetë kurth, kishin filluar të shtënat.
“Vendi ku ishte barrikada mbi urë në hyrje të fshatit Banjskë ishte e ndriçuar ndërsa fshati dhe hapësira për rreth barrikadës ishte plotësisht në errësirë. Kolegu Elez Peci ka thirrur me zë të lartë të gjithë kolegët duke ua tërhequr vërejtjen se kjo barrikadë mund të jetë kurth për ta, dhe ka kërkuar që të shpërndahen menjëherë dhe të marrin pozicionet për sigurinë e tyre. Ndërkohë, brenda 10 sekondave, fillimisht është dëgjuar një fishkëllim dhe pastaj ka eksploduar një detonim dhe në të njëjtën kohë kanë vazhduar krismat e armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë dëgjuar se vinin nga fshatit Banjskë. Më pas, kanë arritur të pozicionohen prapa veturës Skoda së bashku me kolegun Halim Behramaj dhe iu kanë përgjigjur sulmit. Po ashtu, ka deklaruar se pasi ka shikuar në drejtim të rreshterit Afrim Bunjaku e ka vërejtur se ishte i shtrirë dhe nuk lëvizte. Më pas kolegët Elez Peci dhe një koleg tjetër i njësisë kufitare kanë arritur ta tërheqin rreshterin Afrim Bunjaku me automjetin Toyota dhe janë nisur në drejtim të Mitrovicës për ta dërguar në Spital”, ka thënë A. Sh., sipas aktakuzës.