Qëndrimet e përziera të opozitës: Nuk e duan prapë Kurtin kryeministër, por s`kanë vija të kuqe për VV-në - NACIONALE

Qëndrimet e përziera të opozitës: Nuk e duan prapë Kurtin kryeministër, por s`kanë vija të kuqe për VV-në

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Opozita e Kosovës nuk e dëshiron sërish Albin Kurtin kryeministër, pas zgjedhjeve që po afrohen edhe më shumë. Megjithatë, me partinë e tij, duket se nuk kanë vija të kuqe, nëse ky nuk e udhëheq një qeveri tjetër.

Para pak ditësh, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, në “Pressing” u pyet rreth kësaj çështje. Ai bëri me dije se “nuk do ta ndihmojnë Kurtin për një mandat të ardhshëm”.

Por, siç tha Haradinaj, nëse e ofron pozitën e kryeministrit, kjo është “në rregull”.

“E kam sqaruar edhe më përpara. Nuk mbështesim edhe një mandat të Kurtit. Kujdo që ia bën ofertën e kryeministrit, jo të presidentit, se shkojmë për zgjedhje qeveritare, një sqarim, asnjë post nuk e sqaron vazhdimin e kësaj qeverie, nuk e arsyeton...Nuk bashkëpunojmë për me ia zgjatë jetën kësaj qeverie. Nuk ndihmojmë edhe një mandat të ardhshëm. Nëse ofron pozitën e kryeministrit, mendoj që është në rregull, por nëse Kurti mbetet kryeministër, dhe i fton palët me oferta, ose ta jap presientin ose këtë, është e dhimbshme dhe gabim, sepse pasojat për vendin janë më të mëdha se çdo kontribut tjetër që mund të japë.” – u shpreh ai.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili në anën tjetër, ka thënë se partia e saj nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, por ka theksuar se nuk bëjnë koalicion nëse kryeministër propozohet të jetë Albin Kurti.

“LDK-ja nuk ka vija të kuqe me askënd, dukshëm vijat e kuqe ndër vite janë shndërruar në të kaltra e të gjelbra. LDK nuk bën koalicion me kryeministër Albin Kurtin, nuk bën koalicion nëse ai është kryeministër. LDK ka me ofertu iniciativën e vet politike, ka me shiku ku e pozicionon qytetari, pastaj shohim e bëjmë.” ka thënë ajo.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar se partia e tij nuk ka vije të kuqe për asnjë subjekt politik e as për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një intervistë për emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ai ka thënë se kjo partia tradicionalisht kanë qenë kundër vijave të kuqe.

“A ke dëgju najherë në jetën tane qe sa mirresh me gazetari najkon prej PDK-së, prej Thaçit e deri te unë, që ne kemi vija të kuqe për dikënd? Jo. Ne e kemi njëfarë parimi që është pjesë e trashëgimisë tonë politike. Duke i ekskominukuar partitë ne do t’i ofendonim votuesit e asaj partie, që shqiptarë janë. Mund të jenë familjarë jam. Me ju thanë vijë të kuqe, është armiqësim.” - ka thënë Krasniqi.

Megjithatë, ai ka mohuar se në takimin e fundit me kryeministrin Albin Kurti ka folu për koalicionin e ardhshëm Qeverisë.

“Kush po flet për koalicione, pse po ma ndërron temën?... Unë dua zgjedhje, s’ka qenë kjo kërkesë e Albin Kurtit e fatkeqësisht as e kolegëve të opozitës. Kjo është qëllimi jem me pru një qeveri që udhëheq Bedri Hamza.”u shpreh tutje kryetari i PDK-së.

Lajme të ngjashme