Pse Serbia s'e vrau Ramushin, por ia vrau vëllezërit? Anatomia e fyerjes brutale të këshilltarit të Kurtit - NACIONALE

Pse Serbia s'e vrau Ramushin, por ia vrau vëllezërit? Anatomia e fyerjes brutale të këshilltarit të Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj, ka skandalizuar opinionin gjatë ditës së sotme me disa pretendime thënë në formë nënkuptimesh në lidhje me Ramush Haradinajn. Çka tha z. Feraj?

“Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftës por vëllezërit e tij, dhe pse mbas lufte Vuçiqi dërgoi natën e me urgjencë ListënSerbe që ta bëjë Ramushin kryeministër,” - është shprehur z. Feraj në fjalinë problematike.

Të merremi me secilën prej fjalive të paragrafit të mësipërm.

“Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg,”

Në të parin, Feraj konsideron që Ramush Haradinaj – kryetar i AAK-së – po “vazhdon të ankohet” pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg.

Kjo është e pavërtetë, thënë troç ose interpretim i vrazhdë thënë së buti.

Ramush Haradinaj asnjëherë nuk është ankuar pse Albin Kurti nuk është vrarë nga Serbia në burg. Ish kryeministri ka shprehur dyshime në disa raste në lidhje me lirimin e Kurtit nga burgu, duke u bazuar në një listë që konsideronte se ai kishte qenë i vetmi i liruar mes qindra të tjerëve.

Duke e bërë një lidhje të tillë të nënkuptueshme, Haradinaj ka provuar të përforcojë mesazhet e tij se Kurti me politikën e tij po i shërben “qëllimshëm” ose “paqëllimshëm” Serbisë.

Të kalojmë te e dyta, dhe më fyesja.

“...pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftës por vëllezërit e tij...”

Në këtë pikë, z. Feraj nxjerr nënkuptimin e qartë se Serbia nuk e ka vrarë Ramush Haradinajn që më vonë të merrte shërbime prej tij.

Po ashtu, ai nënkupton se gjatë periudhës së luftës janë vrarë vëllezërit e Haradinajt sepse nuk ishin në shërbim të Serbisë, si i vëllai i tyre, Ramushi.

Ai nuk ka mbështetur asnjërin nga këto pohime brutale me ndonjë provë.

E treta, ku përmblidhet e vërteta e pohimit të Ferajt.

“...pse mbas lufte Vuçiqi dërgoi natën e me urgjencë Listën Serbe që ta bëjë Ramushin kryeministër”

Për shkak se ishte shërbëtor i Serbisë, Haradinaj më vonë është bërë – gjithnjë sipas Ferajt – kryeministër i Kosovës me vota të Listës Serbe.

Nga kjo, dalim në një përfundim tjetër: se Ramush Haradinaj në mënyrë indirekte – si shërbëtor i Serbisë edhe gjatë luftës – ishte njëkohshëm edhe përgjegjës për vrasjen e vëllezërve të tij.

Natyrisht, të gjitha këto pretendime mund të hidhen poshtë fare kollaj nga kryetari i AAK-së dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë luftës.

Haradinaj ka humbur dy vëllezër në luftë, Shkëlzenin dhe Luanin, dhe që të dy janë shpallur pas lufte “heronj të Kosovës”. Ramush Haradinaj ka qenë komandant dhe bashkëluftëtar i të dyve.

Lajme të ngjashme